Mobi Casa

‘Një fëmijë me fat’: Nga një i mbijetuar i luftës, në diplomat dhe i diplomuar në Harvard

/ 16 minuta lexim

Në intervistën e tij për albinfo.ch, udhëheqësi i ri i Misionit të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Sami Kastrati flet për punën e tij në këtë mision, sfidat e përfaqësimit të Kosovës këtu, gjendjen e shtetasve të Kosovës në regjionin që e mbulon Konsullata e Cyrihut, etj.

Përjetoi tmerret e luftës kur përballja me vdekjen dukej se ishte më afër se kurrë. Ankthin e shumë netëve të gjata e pa gjumë. Shpresën e pathyer të mposhtjes së forcave të regjimit. Gëzimin e lirisë. Rrëqethjen dhe trishtimin edhe në kohë paqeje, përderisa dëgjonte dhe raportonte mbi dëshmitarët e masakrave më barbare dhe krimeve më të egra kundër njerëzimit në Kosovë gjatë procesit të gjykimit të Millosheviqit në Hagë. Por, përkundër këtyre, ai nuk u thye dhe nuk u ndal. ‘Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë’, thotë Udhëheqësi i ri i Misionit të Republikës së Kosovës, në Cyrih, z. Sami Kastrati, përderisa reflekton mbi të kaluarën historike.

Preferon ta quajë veten ‘Një fëmijë me fat’, titull ky i librit i memoareve të Profesorit të njohur të së Drejtës Ndërkombëtare dhe ish-anëtarit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Thomas Buergenthal, i cili i mbijetoi holokaustit. Lexoni intervistën e mëposhtme për të kuptuar disa nga këto rrugëtime.

albinfo.ch: Ju jeni emëruar së fundi si udhëheqës i Misionit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih. Diçka për karrierën tuaj para hyrjes në diplomaci.

Sami Kastrati: Propozimi për emërimin tim zyrtar si Udhëheqës i Misionit në Cyrih është bërë në mesin e muajit shkurt nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, z. Behgjet Pacolli. Punën zyrtare në mision e kam filluar pas marrjes së pëlqimit në parim nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme, ndërsa ushtrimin e plotë të të gjitha funksioneve në raport me shtetin pritës, pas marrjes së ekzekuaturës dhe nënshkrimit nga Presidenti i Konfederatës zvicerane, Sh.T.Z. Ueli Maurer, dhe Kancelari i Konfederatës, Walter Thurnherr.

Karriera ime para se të aplikoja dhe të përzgjidhesha në valën e parë të diplomatëve të karrierës, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ndërlidhet me fushën e gazetarisë dhe komunikim strategjik. Për rreth pesë vite kam punuar si gazetar i politikës në të përditshmen “Koha Ditore”, respektivisht gjatë viteve 2004-2009, duke mbuluar ngjarjet më të rëndësishme si në nivelin kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar. Brenda periudhës së njëjtë kohore dhe si rezultat i bashkëpunimit të kësaj gazete me Organizatën Ndërkombëtare Amerikane – IREX, isha nominuar dy herë edhe si korrespondent – I Dërguar Special për mbulimin e gjykimit të ish-Presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, dhe të akuzuarave të tjerë nga Trbunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi me seli në Hagë, duke përfshirë edhe atë të Kryeministrit Haradinaj dhe pjesërisht edhe të Zëvendëskryeministrit Limaj.

Gjatë qëndrimit në Hagë kam ndjekur dhe raportuar edhe rastin në mes Bosnjë dhe Hercegovinës ndaj Serbisë dhe Malit të Zi mbi aplikimin e Konventës mbi Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Për një kohë kam punuar edhe si Ekspert i Komunikimit për Organizatën e Konsulentëve Evropian (ECO) me seli në Bruksel dhe Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara – Iniciativën Kosovare për Transparencë. Nga viti 2006 deri në vitin 2007 isha anëtar i Bordit të Asociacionit Profesionist të Kosovës dhe gjatë punës si gazetar kam qenë fitues i disa çmimeve për artikujt më të mirë.

Lexuesit tanë do të ishin të interesuar të dinë më shumë edhe mbi edukimin tuaj profesional?

Kam mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës dhe isha shumë me fat, që u pranova në gjeneratën e parë menjëherë pas luftës, respektivisht hapjes së këtij Fakulteti në Prishtinë në vitin 2001. Mund të them se ajo ishte një gjeneratë e artë, pasi që nxori shumë kuadro të talentuara dhe ishte rezultat si i ligjëruesve vendorë, ashtu edhe atyre ndërkombëtarë. Një numër relativisht i madh e asaj gjenerate kanë ushtruar dhe edhe sot ushtrojnë pozita shumë të larta shtetërore: nga ministra, deputetë, sekretarë të përgjithshëm, ambasadorë dhe funksione tjera shumë të rëndësishme. Më pas, gjatë vitit 2004-2006 kam ndjekur studimet në nivelin Master sërish në Fakultetin e Shkencave Politike në UP, ndërsa përfundova edhe një Master tjetër për Integrime Evropiane dhe Regjionalizëm (MEIR) në vitin 2009, që organizohej nga Akademia Evropiane e Bolzanos në Itali, Universiteti i Gracit në Austri, Instituti Evropian i Administratës Publike Luksemburg dhe Qendra Evropiane për Regjione në Barcelonë/Spanjë. Edhe pas pranimit në Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës në vitin 2009, ka qenë synimi im i vazhdueshëm, që t’i kushtoj një rëndësi të madhe ngritjes profesionale dhe avansimit akademik dhe t’i ndjek Universitetet/akademitë më prestigjioze të shteteve, ku kam shërbyer. Në ndjekje të përmbushjes së këtij synimi, përderisa isha me mision në Mbretërinë e Holandës 2010-2013, përfundova një program shumë të rëndësishëm studimi, së bashku edhe me diplomatë të Evropës Juglindore, ndërsa gjatë shërbimit tim në Uashington D.C./ShBA 2013-2017 u përzgjodha nga Bordi Profesionist i Universitetit të Harvardit, që të marr pjesë si kandidati i parë nga Kosova në një program prestigjioz edukimi për Sigurinë Kombëtare dhe Ndërkombëtare në John F. Kennedy School of Government në Cambridge/ShBA, ku merrnin pjesë ambasadorë, gjeneralë dhe admiralë nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, përfaqësues të lartë nga Agjenci të Inteligjencës si dhe nivel i njëjtë i përfaqësimit nga shtetet të tjera.

Çfarë postesh keni mbajtur në karrierën e deritashme në diplomaci?

Nga viti 2009 deri në vitin 2013 kam shërbyer si Zëvendës-Shef Misioni me gradën diplomatike Ministër-Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Holandës, duke përjetuar ndjenjën më të veçantë dhe padyshim më të paharruar ndonjë herë të bashkë themelimit të Misionit të Parë Diplomatik të Republikës së Kosovës në këtë shtet. Gjatë asaj periudhe kohore, Kosova shënoi dy fitore historike në nivelin ndërkombëtar: E para, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se “miratimi i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, 2008 nuk e ka shkelur ndonjë rregull të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare” dhe më vonë lirimi i Kryeministrit Haradinaj nga të gjitha akuzat e rigjykimit të pjesërishëm nga Trbunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi me seli në Hagë, duke e konfirmuar kauzën dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më pas, nga fundi i vitit 2013 deri në vitin 2017 shërbeva në të njëjtin funksion edhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington D.C., Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ishte dhe do të mbetet përgjithmonë nderi, privilegji dhe besimi më i madh që mu dha nga udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës për të shërbyer në shtetin më të madh aleat, partner dhe mik të Kosovës – SHBA. Funksioni i fundit që e kam ushtruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme nga viti 2017 deri në vitin 2019 ka qenë Udhëheqës i Komunikimit dhe Diplomacisë Publike. Kjo ka qenë njëra nga sfidat më të mëdha në përballjen e përditshme dhe luftimin e një kampanje të gjerë, të koordinuar, dhe të pamëshirshme mohimi, mashtrimi dhe dezinformomi nëpërmjet lajmeve të rreme nga udhëheqësit e politikës së jashtme të Serbisë. Në fund të vitit që shkoi, sipas rekomandimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Qendra për Perspektivë Evropiane, jam përzgjedhur në Bordin Drejtues të Projektit për Diplomaci Digjitale për Evropë.

A keni pasur ndonjë lidhje me Zvicrën para se të vinit në cilësinë e përfaqësuesit diplomatik të Republikës së Kosovës? Ndonjë eksperiencë a njohje nga afër? Çfarë e dallon punën këtu nga puna në SHBA?

Lidhja ime me Konfederatën Zvicerane është e kamotshme. Zvicra ishte shteti i parë evropian, që e kam vizituar ndonjëherë në atë kohë si student në vitin 2003 dhe kjo ishte ndoshta vizita më produktive dhe me ndikimin më të madh në rrugëtimin tim të mëvonshëm jetësor dhe profesional. Ky ishte vendi, që ndikoi thellë në botëkuptimet e mia për vlerën, përgjegjësinë, saktësinë, cilësinë dhe përkushtimin në punë.

Kjo më kishte bërë aq shumë përshtypje saqë gjatë studimeve, njëri nga punimet e mia studimore në universitet ishte mbi ndërtimin e identitetit zviceran dhe rolin e figurës qendrore në themelimin e Konfederatës zvicerane, William Tell. Kam lexuar me kënaqësi dhe pasion edhe studimet shkencore nga profesori zviceran, Urs Altermatt. Në rrugëtimin tim të mëtutjeshëm si diplomat kam pasur rastin dhe mundësinë, që të takoj dhe zhvilloj kontakte edhe me diplomatë zviceranë si në Hagë, ashtu edhe në Uashington D.C.

Fundamenti

Sa i përket punës tonë detyrat, përgjegjësitë dhe misioni mbetet i njëjtë, por më duhet ta them faktin se është nder i veçantë dhe privilegj i madh të shërbesh si përfaqësues i vendit në shtetet pritëse, ku bashkëkombësit tanë janë në numër shumë të madh si në SHBA, këtu në Zvicër, Gjermani dhe gjithandej nëpër botë. Ne, të gjithë e dimë rolin jetik, kontributin e jashtëzakonshëm dhe sakrificën e gjithsecilit bashkëkombës, qoftë në sensibilizimin e opinionit dhe vendimmarrëseve në shtetet pritëse, lëvizjet e mëdha, organizimet e fuqishme dhe mobilizimet e përgjithshme, që u bënë për dekada pikërisht nga këto shtete për kauzën tonë gjithëkombëtare; grumbullimin e madh të mjeteve, madje duke ndarë kafshatën e tyre; pjesëmarrjen direkte në luftë, shumë nga ta duke rënë heroikisht dhe duke lënë familjet dhe fëmijët e tyre. Ne, i jemi mirënjohës dhe i përulemi rolit, kontributit, sakrificës dhe veprës së gjithsecilit prej tyre.

Të jesh përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës në Zvicër është diçka që dallon nga postet në vende tjera. Kjo mund të thuhet kur kemi parasysh numrin e madh të shtetasve kosovarë në regjionin relativisht të vogël që mbulon Konsullata Juaj. Cilat janë sfidat e një Udhëheqësi të Kosovës në Cyrih?

Megjithëse detyrat dhe përgjegjësitë tona si përfaqësues diplomatikë mbeten të njëjta, nga mbrojtja në shtetin pranues të interesave kombëtare të Republikës së Kosovës dhe të shtetasve tanë, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me legjislacionin në fuqi të shtetit pranues, pastaj nxitja dhe fuqizimi i marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore, arsimore dhe fusha të tjera është krejt e natyrshme, që secili shtet i ka specifikat e veta. Është e dukshme evidente prezenca shumë e madhe e shtetasve kosovar/bashkëkombësve tanë, që jetojnë në Cyrih dhe njëmbëdhjetë kantone të tjera që mbulon Konsullata jonë.

Çfarë takimesh keni pasur me autoritetet e kantonit mikpritës dhe si jeni pritës?

Që nga fillimi i ushtrimit të funksionit tim si Udhëheqës i Misionit kam zhvilluar një sërë takimesh që përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në nivelin politik, ekonomik, atë të sigurisë dhe fushave të tjera respektive si në nivelin kantonal, ashtu edhe atë federal. Në të gjitha takimet, që kam zhvilluar jam pritur me shumë ngrohtësi dhe respekt të veçantë. Përkitazi me këtë, më duhet ta përmend faktin tepër të rëndësishëm, që kjo është rezultat edhe i imazhit pozitiv, që është krijuar këtu në Zvicër nga bashkëkombësit tanë. E kam përshtypjen se është rezultat i asaj që njihet si diplomaci qytetare dhe që është bërë me shumë sukses nga shtetasit tanë këtu.

Sot, shqiptarët e Kosovës në Zvicër janë shndërruar në partnerë serioz dhe tashmë konsiderohen si një vlerë e shtuar dhe aset i rëndësishëm edhe për shtetin pritës. Veç sportit, ku djemtë tanë mbrojtën dhe përfaqësuan fuqishëm kombëtaren zvicerane, sukseset e tyre shtrihen pothuajse në të gjitha fushat tjera: nga politika në biznes, shëndetësia në ndërmarrësi, arkitektura në drejtësi, gastronomi etj.

Nga Udhëheqësi i ri i Misionit është normale të pritet edhe qasje e re ndaj punës konsullore. Çka mund të thuhet se do të ketë të re në strategjinë e punës tuaj. A i keni evidentuar çështjet ku kërkojnë qasje tjetër fare apo ku ju do të fokusoheshit më shumë se paraardhësi Juaj?

Fillimisht dua t’i falënderoj të gjithë paraardhësit e mi për punën, përkushtimin dhe angazhimin. Dua të besoj, se secili nga ta ka bërë më të mirën e mundshme në mbështetje të kushteve, rrethanave, mbështetjes dhe mundësive. Është krejt natyrshme, që pas çdo ndryshimi synohet të sillen energji të reja dhe dinamikë tjetër fare e punës, përkundër misionit të përbashkët, që mbetet i njëjtë. Duke marrë parasysh fluksin pothuajse të papërballueshëm të kërkesave për ofrimin e shërbimeve konsullore, gjëja e parë që ne bëmë me mbështetje të plotë edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme ishte rritja e hapësirave në Konsullatë, duke ofruar kushte më të mira si për shtetasit tanë, ashtu edhe për stafin. Bëmë një ndarje të përgjithshme të detyrave dhe përgjegjësive, organizuam një punë të shkëlqyeshme ekipore brenda në Konsullatë, gjë për të cilën i jam mirënjohës dhe i falënderoj të gjithë kolegët konsuj dhe stafin lokal dhe mund të them se me sukses përballuam këtë sfidë të paprecedentë para pushimeve verore. Dua ta përmend faktin se që nga muaji prill i këtij viti e deri më tash Konsullata në Cyrih vazhdon të jetë e para nga të gjitha konsullatat tjera për nga të hyrat mujore. Janë ofruar qindra shërbime konsullore në baza ditore dhe mijëra të tilla në baza mujore. Brenda kapaciteteve dhe mundësive jemi munduar që në vazhdimësi t’i japin këshilla dhe asistencë edhe nëpërmjet shërbimit telefonik. Nuk duam të krijojë përshtypjen se jemi perfekt, por e bëjmë më të mirën e mundshme, brenda kapaciteteve ekzistuese. Ne synojmë, që të jemi të hapur dhe të ndjekim një qasje gjithëpërfshirëse; t’i kushtojmë vëmendje të posaçme dhe t’i ofrojmë ndihmë secilit shtetas të Republikës së Kosovës. Të rrisim edhe më shumë bashkëpunimin me komunitetin tonë këtu në të gjitha fushat dhe natyrisht të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin e gjithanshëm me të gjitha Kantonet që mbulojmë. Për ne, bashkëkombësit tanë që jetojnë këtu paraqesin një fuqi ekonomike, potencialet e së cilës ende nuk janë shfrytëzuar. Për këtë, vlerësojmë se diplomacia ekonomike duhet të jetë njëri nga prioritetet strategjike, së bashku edhe me diplomacinë publike, por, duke mos përjashtuar edhe fushat e tjera të interesit të veçantë.

A keni vendosur lidhjet me përfaqësues të diasporës së Kosovës në regjionin që mbuloni në Zvicër në Përgjithësi? Cilat janë këto kontakte?

Deri më tash kam shfrytëzuar çdo rast, mundësi dhe ngjarje, që të takoj përfaqësues të ndryshëm të diasporës. Studiues, artistë, aktivist, sportistë, bankierë, politikanë, deputetë, ndërmarrës, arkitektë, juristë e gazetarë. Nga promovimi i disa librave, ku Konsullata ishte nikoqire, pastaj në mbrëmjen për qëllime bamirësie, që u mbajt këtu në Cyrih, ku ishit organizatorë ju dhe ne ju bashkuam me kënaqësi kësaj nisme, në themelimin e Odës së Tregtisë Kosovë-Zvicër, në shënimin e përvjetorëve të ndryshëm, në festivalin e parë open-air shqiptar në Zvicër Alba Fest, ku performoi edhe Rita Ora, pastaj në takimin tjetër, që kishim në Konsullatë me gratë e suksesshme në Zvicër. Me një fjalë: mund të themi se jemi krenarë dhe i gëzohemi pa masë të arriturave të gjithmbarshme dhe integrimit të bashkëkombësve tanë këtu.

Ju personalisht merreni me përfaqësim diplomatik të Kosovës në Zvicër. Por, ndoshta keni ndonjë ide edhe për problemet me të cilat përballet diaspora kosovare këtu. Cilat janë sipas jush problemet?

Vlerësimi ynë i përgjithshëm është se bashkëkombësit tanë këtu janë të integruar mjaft mirë në shoqërinë dhe institucionet e shtetit pritës. Ju ishit dëshmitarë, se pak kohë më parë Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës ratifikoi Marrëveshjen e sigurimeve sociale Zvicër-Kosovë, e cila për një periudhë kohore ishte një lloj brenge. Neve na gëzon fakti, që Republika e Kosovës dhe Konfederata zvicerane janë shtete mike, partnere dhe aleate; kanë arritur të ngrenë në një nivel të lartë dhe të shkëlqyeshëm bashkëpunimi të gjithanshëm dypalësh dhe shumëpalësh dhe që kjo marrëdhënie e veçantë vërehet edhe në mes dy popujve në të dyja shtetet respektive.

‘Një fëmijë me fat’: Nga një i mbijetuar i luftës, në diplomat dhe i diplomuar në Harvard