Një falënderim i veçantë i Valentina Bunjakut Rexhepit adresuar votuesve
Gjilan – Kandidimi dhe zgjedhja e imja si deputete në Parlamentin e Kosovës, është vetëm rinkonfirmim në formë të testamentit që kamë lidhur unë me votuesin që beson në vlerat më të rëndësishme të Filozofisë Rugovjane në themelet e besimit në Atdhe, besë dhe familje. Unë i përkulem këtij vullneti dhe falënderoj nga zemra bashkëpunëtoret e mia, strukturat e LDK-së dhe qytetarët që votuan që të jem zëri i tyre në Parlamentin e Kosovës ka shkruar Valentina Bunjaku Rexhepi.
Letra e plotë
Të nderuar dhe të respektuar qytetarë të Gjilanit, votues dhe simpatizant të ecjes sime politike që keni bërë rrugëtimin tim “story” të suksesit, fillimisht, si njërën nga asamblistët më të votuara në vend, si Kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit, si Kryesuese të Asociacionit të Asamblesë së Kryesueseve të Kuvendeve të komunave të Kosovës, dhe tash së fundi edhe si deputete të zgjedhur në këtë legjislaturë në Parlamentin e Kosovës. Unë mbaj mend, hapat e parë të proceseve politike. Duke qenë nënë e dy fëmijëve, kjo punë ishte sfidë madhe për të përvjelë duart në ringritjen e kapaciteteve të mora Forumin e Gruas së LDK-së në Gjilan.
Vetëm ato që janë femra, dhe ata që dinë të respektojnë me “hakikat” femrën, e vlerësojnë se sfidat e një grua nënë në politikë kanë shtresa të shumta stresi, kokrra të mëdha djerse e mundi për të arritur synimet politikë në një vend ku demokracia është një proces të vazhdueshëm dhe projekti i shtetësisë së Republikës së Kosovës përcillet me probleme e kriza të mëdha socio politike.
Por pengesat nuk më kanë zmbrapsur përkundrazi më kanë kalitur dhe më kanë dhënë forcë për të ecur drejt synimeve dhe sukseseve të përbashkëta dhe në këtë rrugëtim unë natyrshëm nga zemra deri në përulje i atribuoj familjes dhe aktivisteve femra që besuan dhe punuan në projektin tim.
Riorganizimi i Forumit të Gruas natyrisht ka kërkuar durim dhe sakrificë, besueshmëri dhe përkushtim dhe me një formacion të tilla të femrave ne qysh në fillim kemi thënë është koha që femrat të mos jenë robe të kuotave të përfaqësimit por se janë të gatshme të pranojnë sfidat të barabarta me meshkujt dhe këtë ja kemi arritur.
Se femra shqiptare në Kosovë, tashmë, është e gatshme për të pranuar edhe sfidat më të rënda të jetës politike e dëshmuar edhe si kryesuese e Asamblesë Komunale në Gjilan. Që nga zgjedhja, si Kryesuese kam dëshmuar gatishmërinë për të udhëhequr punën me asamble, përballjen me mendimet opozitare, duke e bërë Asamblenë e Gjilanit, si njërën nga më të mirat dhe më transparentet në vend, dhe për këtë dëshmojnë edhe matjet, vlerësimet dhe monitorimet e organizmave jo qeveritar të vendit dhe atyre ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë. Duke bashkëpunuar me të gjitha partitë politike, ne sollëm ligje dhe vendime gjithnjë në interes të qytetarëve.
Si një femër në ballë të burrave në krye të kuvendit, besojë se e kam kryer detyrën time me nder dhe përgjegjësi maksimale, dhe kjo nuk do të mund të kishte pasur suksese pa ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme që kisha nga Lutfi Haziri, Kryetari i komunës së Gjilanit, asamblistëve dhe strukturave përcjellëse të Kuvendit Komunal në Gjilan, të cilët i falënderoj dhe me sinqeritet dhe krenari.
Unë jam krenare, që historia e demokracisë në qytetin tim të lindjes në Gjilan, ka shënuar me mua herën e parë që një femër ka udhëhequr me asamblenë komunale. Por kjo për mua ka qenë më shumë obligim dhe përgjegjësi, për të qenë në shërbim të mijëra e mijëra burrave dhe grave që besojnë dhe shpresojnë që ta kenë Kosovën një vend ku me krenari i rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre.
Të dashur dhe të respektuar qytetar
Kandidimi dhe zgjedhja e imja si deputete në Parlamentin e Kosovës, është vetëm rinkonfirmim në formë të testamentit që kamë lidhur unë me votuesin që beson në vlerat më të rëndësishme të Filozofisë Rugovjane në themelet e besimit në Atdhe, besë dhe familje. Unë i përkulem këtij vullneti dhe falënderoj nga zemra bashkëpunëtoret e mia, strukturat e LDK-së dhe qytetarët që votuan që të jem zëri i tyre në Parlamentin e Kosovës.
Unë shprehë përkushtim për këtë besatim të ngritur për mes votës së rinkorfimimit se vendi ynë i bukur akoma ka shumë nevojë, për djersë, sakrificë dhe mund, për ta bërë atë të dinjitetshëm për të jetuar. Ju garantoj se angazhimi im në parlament do të jetë gjithnjë në interes të vendit.
Dhe të tjera beteja të demokracisë do t’i bëjmë bashkë dhe unë do jem këtu për përligj vullnetin tuaj, të votuesve të mi, të cilët meritojnë një mirëqenie më të mirë.
Zoti e bekoftë vendin tonë të bukur.
(Valentina Bunjaku- Rexhepi, deputete e LDK-së nga Gjilanit në Parlamentin e Kosovës)


