RCCOLA

Një drejtshkrim për Shqipërinë dhe për Kosovën

/ 4 minuta lexim

Tiranë – Nga 26-28 qershor 2012 në Tiranë u mblodh Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, i themeluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me autoritet shkencor për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me zhvillimin, përsosjen e përdorimin e shqipes standarde.

Kjo është mbledhja e dytë e Këshillit që mbahet në Tiranë gjatë këtij viti, pas mbledhjes së parë, më 6-8 mars 2012, në të cilën u diskutua, u nxorën përfundime dhe u morën vendime për çështje të leksikut, të terminologjisë dhe të anglicizmave në shqipen e sotme standarde.

Mbledhja e tanishme e Këshillit u hap me një minutë heshtje për të nderuar profesor doktor Fadil Rakën, anëtar i Këshillit dhe kryetar i grupit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për drejtshkrimin, i cili u nda nga jeta para pak javësh.

Tema e diskutimeve në mbledhjen e tanishme të Këshillit ishte Drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar në shqipen standarde. Sipas Rregullores së Këshillit, ishin hartuar më parë dy parashtresa lidhur me çështjet problemore të drejtshkrimit të kësaj zanoreje, që shërbyen si bazë e material referimi për diskutimet e anëtarëve të Këshillit.

Diskutimet u përqendruan në disa raste konkrete të drejtshkrimit të kësaj zanoreje në pozicion paratheksor e pastheksor, u dhanë mendime e u bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e sotëm të kësaj zanoreje, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për mënjanimin a pakësimin e mundshëm e të dobishëm të përjashtimeve, për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të shkrimit të ë-së së patheksuar në pozicion paratheksor a pastheksor në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj.

Diskutimet qenë të hapëta, me argumente shkencore dhe me frymë bashkëpunuese për t’i shërbyer gjuhës sonë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje më të mira që lehtësojnë zotërimin e përdorimin e drejtë të saj.

Në diskutime u theksua se çështja e drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar është e gjerë dhe e ndërlikuar dhe se mbetet detyrë e gjuhëtarëve dhe e institucioneve përkatëse të thellojnë studimet që ndihmojnë edhe për zgjidhjen më të mirë të problemeve të ndryshme të drejtshkrimit të saj.

KKGJILAN

Zgjidhjet konkrete, që në këtë mbledhje, me argumentim shkencor, patën mbështetje më të përgjithshme të anëtarëve të Këshillit, do t’u përcillen dy akademive. Çështje të tjera të drejtshkrimit, të fushës së fonetikës, të gramatikës etj., do të shqyrtohen në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

Rishikimi i drejtshkrimit të shqipes ka përfshirë në një debat të gjerë akademikët shqiptarë dhe ata të Kosovës. Akademiku Kolec Topalli, i cili është edhe anëtar i Këshillit mbarëkombëtar të gjuhës, thotë se është porosia e Drejtshkrimit të ’72-es që ky tekst të rishikohet. Nga ana e tij akademiku sqaron se për çështjen nëse do të hiqet ose jo zanorja ë, do të ndiqen dy rrugë.

Propozimi i parë është që zanorja ë do të hiqet në emrat “lojë, rojë, gojë”, që kanë prapashtesat “tar”.

Akademiku Topalli thotë se ka një kakofoni në lidhje me ndryshimet që janë propozuar për në drejtshkrim.

Propozimi i dytë për zanoren ë është që ajo të vendoset, pra të shtohet në vendin e duhur ku ka funksion fonetik dhe gramatikor, p.sh nga britmë në britëm.

Ndryshimet e tjera të propozuara në këtë komision ndërakademik janë shkrimi me germë të madhe të emrave të përveçëm dhe të fjalës Zot që me Drejtshkrimin e 72-es janë me të vogël. Ndryshimin e fjalës Evropë në Europë.

Gjithashtu Topalli kujton se asnjë akademik nuk kërkon të tjetërsojë drejtshkrimin aq më tepër për të pasur dy drejtshkrime, një për shqiptarët e Shqipërisë dhe një për shqiptarët e Kosovës.