RCCOLA

Një aktakuzë e mbajtur pa të drejtë në sirtarët e hetuesisë dhe gjykatave ..!

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Nga Hafiz Gagica – Me kureshtje të veçantë e lexuam informatën për (gjoja) fillimin e procesit gjyqësor ndaj Bujar Bukoshit dhe dy të akuzuarve tjerë për keqpërdorim të mundshëm të mjeteve të Fondit të Republikës së Kosovës, i njohur si Fondi i tre përqindëshit (3%-shit), i themeluar në vitin 1992 në Gjermani, por i transformuar pas luftës pa të drejtë në një fondacion privat i ashtuquajtur “UFORK”..!

Lidhur me këtë informatë po sjellim këtë deklaratë për informim të opinionit publik:
1. Bëjmë me dije opinionit se një grup aktivistësh në Gjermani, kontribuues në Fondin e 3%-shit, në vitin 2013, mbështetur edhe në deklaratën e ish ministrit për financa në Qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil, Isa Mustafa, në vitin 2000 para Kuvendit të Republikës së Kosovës ka deklarue se nga fondet e Republikës së Kosovës në Perendim kanë tepruar 50 milion Euro, pa i përfshirë asetet sikur Dardania Bankë në Tiranë si dhe objektet tjera, kanë ngritur aktpadi pranë organeve të drejtësisë përmes të cilës kanë kërkuar ta dinë të vërtetën, se ku dhe si janë shpenzuar të gjitha mjetet e grumbulluara në atë Fond. Aktpadia, pos organeve kosovare të drejtësisë i është dorëzuar edhe të EULEX-it, por paraprakisht edhe organeve të drejtësisë gjermane, aty ku janë grumbulluar ndihmat si dhe mjetet financiare, me dyshimin e bazuar se djersa e tyre është shpërdorur!
2. Zvarritja e procesit hetues dhe gjyqësor, duke e mbajtur në sirtarë të prokurorisë dhe gjykatës së Kosovës aktpadinë e këtij grupi, padyshim se kanë pasur për qëllim vjetërsimin e lëndës, përkatësisht mos zbardhjen e së vërtetës rreth menaxhimit të Fondit të tre përqindëshit (3%) në tërësi!
3. Deklarojmë për opinion se kjo aktpadi bashkë me procesin hetues për disa vite në vazhdimësi është shtyrë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me përjashtim të ndonjë bisede të herëpashershme formale me disa të nënshkruar të aktakuzës, por pa ndërmarrë asnjë veprim konkret për nisjen e hetimeve, që flet qartë se drejtësia në Kosovë është e kapur dhe e kontrolluar nga politika!
Procesi gjyqësor i cili paska fillue këto ditë në Prishtinë, siç thuhet larg mediave, del se si qëllim paska mbylljen e çështjes së fondeve, duke u marrë vetëm me menaxhimin e “UFORK-ut”, dhe jo për t’i zbardhur fondet e Republikës së Kosovës, apo siç njihen në opinion të 3%-shit dhe atë të “Dardania Bankës”!

KKVITI

Megjithatë, duam të besojmë se në një të ardhme të afërme, organet e drejtësisë në Kosovë, në koordinim të plotë me institucionet relevante të drejtësisë në Gjermani si dhe ato evropiane, do të veprojnë në harmoni me interesin shtetëror, që sa më para të zbardhen faktet, se për çfarë destinimesh janë shfrytëzuar të gjitha mjetet e Fondit të Republikës së Kosovës!
Për grupin:
H.Gagica
Stuttgart, 03.04. 2019