Nitaj, LDK-së: Pse po gënjeni

Këshilltari në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), Lah Nitaj, ka deklaruar se të gjitha vlerësimet e LDK-së, rreth autostradës janë të pavërteta dhe fare nuk qëndrojnë.

Sipas tij sukseseve dhe ndërtimit të rrugëve të Kosovës, e veçanërisht të Rrugës së Kombit, duhet të iu gëzohen të gjithë, duke përfshirë edhe LDK-në.

“Konstatimet e LDK-së, se Kosova paguan mbi 10 milion euro për kilometër të autostradës Morinë-Merdarë, janë gënjeshtra të kulluara”, ka thënë ai, për “Epoka e re”.
Po ashtu se deklarimet e LDK-së se autostrada Morinë-Merdarë është më e shtrenjta në rajon, nuk qëndrojnë.

“Duhet të merret shembull, Kroacia dhe Shqipëria, ku atje ndërtimi i autostradës ka qenë shumë më i shtrenjte, se sa në Kosovë, pra kontrata e Qeverisë s Kosovës, me kompaninë fituese është me e leverdishme në rajon”, ka theksuar ai.

Nitaj, është shprehur se ndryshimi i trasesë së autostradës është bërë, pasi që kompania që ka projektuar ndërtimin e saj, ka dhënë versionin e saj se nëse shkon në atë anë, do të mund që të ketë më pak shpenzime dhe se do të iket në ndërtimin e tunele, që do të kushtonin më shumë. Ai po ashtu ka bërë të ditur se kontrata me Bechtel-Enka është më transparentja dhe është e lidhur në bazë të rregullave ndërkombëtare.

Kurse për fillimin e ndërtimit të autostradës në drejtim të Shkupit, Nitaj, është shprehur po kryhen të gjitha procedurat që janë paraparë që ajo të fillojë sipas planeve që i ka paraparë qeveria e Kosovës.

“Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Financave, po punojnë me të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, që Kosova të mos ketë kurrfarë problemi financiar, pra nuk do të ketë kurrfarë problemi, pasi që po koordinohen më të gjithë akterët ndërkombëtar”, ka pohuar ai./Indeksonline/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS