Hidromorava

Nisin negociatat për tregti të lirë me Turqinë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila dhe ministri i Ekonomisë së Republikës së Turqisë, Zafer Caglayan, lansuan zyrtarisht në Ankara negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë në mes të dy vendeve.

Zëvendëskryeministrja Kusari – Lila tha më këtë rast se këto negociata janë në interes të dy vendeve dhe janë shenjë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë.

“Ne shpresojmë se negociatat me Turqinë janë hap i mbarë për tregtinë e Kosovës para se të fillojmë negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, që presim të fillojmë vitin e ardhshëm”, ka thënë ajo, bën të ditur MTI-ja përmes një komunikate për media.

Më tutje, sipas komunikatës, ministrja Kusari-Lila ka thënë se ekonomia e Kosovës në krahasim me ekonominë e Turqisë është e vogël dhe për këtë arsye Kosova do të ketë nevojë për mbrojtjen e disa sektorëve strategjikë për një periudhë disavjeçare. Ajo miqësisht ka kërkuar që Qeveria e Turqisë t’i marrë në konsideratë këto fakte gjatë negociatave të marrëveshjes për tregti të lirë.

“Për shkak se ekonomia jonë përbëhet rreth 70 për qind nga shërbimet, ne po ashtu kërkojmë në veçanti që shërbimet të jenë pjesë të këtyre negociatave”, përfundoi ministrja Kusari-Lila.

Ministrja Kusari-Lila po ashtu kërkoi që Qeveria e Turqisë të krijojë një fond të posaçëm për përkrahjen e investitorëve turq që duan të investojnë në Kosovë.

Hidromorava

Në anën tjetër, ministri i Ekonomisë së Turqisë, Zafer Caglayan, ka thënë se Kosova është vend mik i afërt i Turqisë dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë.

“Fillimi i negociatave sot është tregues se vendet tona po e rrisin bashkëpunimin ekonomik. Marrëveshja e tregtisë së lirë është në interes të zhvillimit ekonomik të dy vendeve tona. Ky është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e marrëdhënieve tona tregtare”, ka thënë ministri Caglayan.

Ministri Caglyan ka thënë se Turqia gjatë negociatave do të marrë parasysh të gjitha kërkesat e Kosovës.

“Kemi drejtuar personat përgjegjës në ministrinë time që të marrin parasysh të gjitha kërkesat e Kosovës gjatë negociatave duke përfshirë këtu mbrojtjen e sektorëve strategjikë të Kosovës dhe përfshirjen e shërbimeve në negociata. Ne sinqerisht jemi të interesuar që ta shohim Kosovën një vend të zhvilluar ekonomikisht dhe këto negociata do t’i shërbejnë atij qëllimi”, përfundoi ministri Caglayan.

Për më tepër, këto negociata tregtare janë të parat që institucionet e shtetit të Kosovës i bëjnë me një vend të huaj.

Marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë paraqet njërën nga tri marrëveshjet kornizë që ndihmojnë në tërheqjen e investitorëve turq. Tre muaj më herët Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshjen për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve. Ndërsa së shpejti Kosova dhe Turqia do të nënshkruajnë edhe marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë, përfundon komunikata e MTI-së.