Hidromorava

Nis gjykimi ndaj Nexhmedin Arifit dhe Kabil Hajdarit

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan ka nisur gjykimi ndaj kreut të Vitisë Nexhmedin Arifi i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe Kabil Hajdarit i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”. Edhe Arifi edhe Hajdari mohuan veprat penale para trupit gjykues që po e kryeson Hasan Sadiku.

Në Gjykatën Themelore në Gjilan ka nisur procesi gjyqësor ndaj Nexhmedin Arifit kryetar i Vitisë dhe Kabil Hajdarit ish drejtor në NP”Univerzal”, raporton rajonipress.

Kryetari i trupit gjykues Hasan Sadiku i shoqëruar edhe nga anëtarët Emine Salihu e Veli Kryeziu e ka nisur gjykimin me leximin e aktakuzës të përfaqësuar nga prokurori Shaban Spahiu. Spahiu e ka lexuar në tërësi aktakuzën për të dyshuarit derisa këta të fundit e kanë mohuar atë në tërësi.

Sipas aktakuzës kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi akuzohet për veprën penale “korrupsioni zyrtar” derisa Kabil Hajdari për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.

Sipas aktakuzës i dyshuari Kabil Hajdari në gusht të viti 2008 deri në maj 2011, derisa ka qenë drejtor në NP “Univerzal”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga datat 24.03.2009, deri më 01.01.2011, mjetet e trustit pensional për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje: Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini, edhe pse kanë qenë në listën e pagave, trusti pensional atyre nuk u është paguar fare, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë të 16 mijë eurove.

Kabil Hajdari gjithashtu dyshohet se ka shmangur mos pagesën e tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës në vlerën e 79.815.29 eurove.

Kurse, Nexhmedin Arifi dyshohet se duke qenë në pozitën e kryetarit të Vitisë më 22 gusht 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo tjetrin, në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ka marrë vendimin mbi ekzekutimin e vendimit të Kuvendit komunal për derajonalizimin e KRM”Higjiena”, njësia punuese në Viti e cila ishte pjesë integrale e “Higjienës” në Gjilan.

Eco Higjiena

Arifi gjithashtu akuzohet se nuk e ka respektuar shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë atë vendim. Sipas aktakuzës Arifi i ka mundësuar Kabil Hajdarit që të keqpërdor mjetet e kompanisë publike duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerën e 79 mijë eurove.

Pasi u është lexuar aktakuza Edhe Kabil Hajdari edhe Nexhmedin Arifi i kanë mohuar veprat. “E kam kuptuar aktakuzën, por nuk ndihem fajtor për asnjë moment” tha Nexhmedin Arifi.

Edhe Kabil Hajdari tha se nuk ndihet fajtor për asnjërën nga veprat e ngarkuara.

Gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarve Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruxhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Tafë Mustafa dhe Agron Misini.

I dëmtuari i parë Kadri Halabaku para trupit gjykues tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në hetuesi dhe prokurori. Ndryshe nga palët e dëmtuara edhe është ngritur aktakuza ndaj të dyshuarve.

Halabaku tha se rastin e ka paraqitur në organet e policisë pasiqë ka kuptuar se nuk i është paguar trusti pensional. “Unë mendoj se këta janë përgjegjës dhe këta e dinë pse mjetet tona na janë marrë” tha ky i dëmtuar.

Gjykimi vazhdon me marrjen në pyetje të të dëmtuarve të tjerë. /rajonipress/

Mund të ju interesoj: