Eko Higjiena

Nikoliqi dhe Lugina e Preshevës

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Milaim Shefkiu – Qeveria e Kosovës, pas disa lëshimesh e dështimesh në relacion me fqinjin verior, duket se mori një vendim të drejtë. Tregoi se Kosova është shtet dhe në shtëpinë e vet, vendos vetë se kush mund të vijë në vizita e kush jo. Vendosi që presidentit serb, Tomisllav Nikoliq të mos i lejohet ardhja në Kosovë, për të mbajtur liturgji politike dhe për të përsëritur sintagmën e mësuar tashmë edhe nga shurdhmemecët, se “Kosova është djepi i Serbisë”.

Edhe pse nuk është krejt e qartë nëse vërtet ia kanë bërë “bllok” ardhjes së Nikoliqt, megjithatë vendimi i bërë publik nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrja Vlora Çitaku, duket se është i qëlluar. Është mirë që Qeveria e Kosovës nuk i ka harruar skenat poshtëruese që ia kanë bërë një vit më parë, ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli. Ai u kthye nga policia serbe në pikëkalimin e Konçulit, sipas modelit të “kmerëve të kuq”, ndërsa liderët serbë në Beograd, Daçiq e Nikoliq kthimin e Makollit e konsideruan si fitore “cezariane”.

Edhe pse ministri Makolli nuk e përfaqësonte në Luginën e Preshevës karakterin UÇK të qeverisjes, megjithatë, ai ishte ministër i Qeverisë së Kosovës, një shtet që, sipas Serbisë, është shpallur njëanshëm. Vizita e Makollit do e thyente akullin e vizitave në këtë rajon, që historikisht e ka kundërshtuar Serbinë dhe administrimin e saj.

Për vizitën e Makollit, liderët dhe qytetarët e Komunës së Preshevës dhe Bujanocit kishin bërë zijafete, kishin caktuar takime e kishin lënë promovime. Por, këto plane ua prishi Daçiqi, ndërsa nëpër Beograd e Nish ai fryhej si “balon” se si është “serbin sin” dhe lufton çdo gjurmë ku shkel këmba e shqiptarit.

Për të gjitha këto poshtërime që ua ka bërë Serbia dhe liderët e saj Kosovës, pa i përjashtuar zvarritjen e policëve në kufij, investimet në strukturat paralele, mbajtjen peng të 1700 të zhdukurve, e 100 të zeza të tjera, bërja bllok Nikoliqt ishte një vendimet i drejtë.

Uji Dea

Por, pyetja është se a mjafton ky reciprocitet i Prishtinës, sa u përket të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?. Natyrisht se ky veprim është aq minor në këtë relacion sa që nuk vërehet gati hiq.

Qeveria e Kosovës është treguar e shurdhër për gati një dekadë sa i përket Luginës së Preshevës dhe të drejtave të shqiptarëve atje.

Shqiptarët në Kosovën Lindore, më së paku kanë nevojë për vizata të politikanëve kosovarë. Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë kanë nevojë për veprime konkrete, kanë nevojë për reagime politike, kanë nevojë për mbështetje financiare dhe ata kanë nevojë të përfshihen në grupin negociator të Prishtinës, që në këtë nivel negociatash ata ta zgjidhin problemin e tyre politik.

Shqiptarët në Kosovën Lindore kanë nevojë që të drejtat e tyre të zgjidhen në korrelacion me të drejtat e serbëve të veriut. Nëse serbët në Mitrovicën e veriut, në Zubin-Potok e në Leposaviq të kenë autonomi politike, kulturore, administrative, të drejta në doganë, të drejta në arsim, simbole kombëtare… etj, këto të drejta t’i kenë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës. Edhe nëse të drejtat e serbëve mbrohen sipas pakos së Ahtisarit, i njëjti plan të zbatohet edhe në Kosovën Lindore. Shqiptarët e mbetur nën administrimin e Serbisë kanë nevojë edhe për reagime, qofshin mediale, sa u përket kërcënimeve për heqjen e pllakës përkujtimore në Preshevë, apo për heqjen e flamurit në Dobrosin. Serbia kërcënon Luginën në vijimësi dhe përmes Luginës e kërcënon Kosovën.

Dhe është e çuditshme se si Qeveria e Kosovës, as shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, nuk e lëshuan asnjë zë për këto kërcënim, qofshin edhe asi reagime në Facebook apo Twiter, sikurse që ishte ky i fundit i ministres së Integrimit, Vlora Çitaku. Prandaj, vendimi për bërjen bllok të Nikoliqit për hyrje në Kosovë, është vetëm një reagim i Prishtinës, që ndërlidhet me Luginën e Preshevës. Ky veprim nuk është i mjaftueshëm. Duhet më shumë veprime konkrete…të prekshme dhe jo në hava.