Fundamenti

Nga shteti “neutral dhe i hapur” deri te IBM-ja

/ 10 minuta lexim

Nga Halil Matoshi – Ibrahim Rugova e dinte se jetonte në epokën e ‘sovraniteteve të kufizuara’ që presupozonte një rrugë jorevolucionare drejt mëvetësisë shtetërore, pra një proces të padhunshëm, si një zgjidhje e negociuar, “zgjidhje evropiane” e jo si “një zgjidhje përfundimtare”. Në çka u përngjan sot “Menaxhim i integruar i kufijve”? Prandaj nuk thuhet kot “Zotit, ç‘është e Zotit, Cezarit ç‘është e Cezarit…”

Shtylla në të cilën Ibrahim Rugova mbështeste postulatin e tij për një Kosovë të pavarur dhe neutrale, “të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë” është oferta për një zgjidhje evropiane, nga fakti se ky burrë shteti kishte një mendje të avancuar perëndimore për shtetbërje, që e veçonte nga mendësia etnonacionaliste ballkanike e kohës. Nacionalistët e rinj serbë ambiciet e tyre shtetomëdha i ushqenin me idetë fashiste, ndërkaq nacionalizmi shqiptar sillej rreth ideve të mëdha por në vorbullat e pamundësisë. Atëbotë po përplaseshin nacionalizmi latent që u vinte shqiptarëve si kujtim për “Shqipërinë e madhe” nën pushtimin fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe fashizmi i rimenduar konsesual, pra gjithëserb, dhe të dy këto koncepte buronin nga mendja e mbyllur dhe angazhoheshin për shtetin e mbyllur sipas modelit stalinist. Rugova e dinte se po jetonte në epokën e ‘sovraniteteteve të kufizuara’ që presupozonte një rrugë jorevolucionare drejt mëvetësisë shtetërore, pra një proces të padhunshëm për krijimin e shtetit, si një zgjidhje e negociuar, “zgjidhje evropiane” e jo si “një zgjidhje përfundimtare”.

Po kampet e përqendrimit kanë qenë “hapësira për jetë të zhveshur” brenda sistemit nazist, gjegjësisht si instrumente të “zgjidhjes përfundimtare” të çështjes së hebrenjve, ndërkaq “kampet e detyrimit” (nën Stalinin) kanë qenë kampet e punës së detyruar”, pra në kuadër të sistemit komunist. Brenda instrumentit të parë, kampit të përqendrimit, “çdo gjë ka qenë e lejuar” (everything is possible), siç shprehet Giorgio Agamben, ndërkaq tek rasti i dytë kemi të bëjmë me një situatë më pak condita inhumana, por gjithqysh situatë asgjësuese. Kjo zgjidhje së voni (2012) e dizajnuar si “Menaxhim i integruar i kufijve” gjeti mbështetje edhe në Bruksel, por u bë e pranueshme edhe në Prishtinë nga Qeveria e Hashim Thaçit, koniukturë që e përqeshte Rugovën atëbotë për “shtetin e tij promajë”, por u pranua madje edhe nga pasardhësi i Millosheviqit, Ivica Daqiç. Në kohën kur Rugova e krijoi këtë postulat, nuk ishte kohë kreative, sepse popujt e Ballkanit ishin mbërthyer në ngërçin e nacionalizmit; disa përpiqeshin për pavarësinë e tyre, e serbët, për “Serbinë e madhe – qiellore”, duke mësyrë shfarosjen e të gjithë joserbëve. Ky opsion i Rugovës cilësohej nga diplomatët ndërkombëtarë si “sensibil dhe i emancipuar deri në shkallë të realizmit politik”, gjë që për hapësirat e ish-Jugosllavisë ishte ide e avancuar evropiane.

“Është mbase e sigurt – theksonin ekspertët suedezë nën drejtimin e Jan Oberg – se asnjëra pale nuk do të mundet t’i realizojë kurrë synimet e veta njëqind për qind, dhe kurrë nuk do të përfilleshin qind për qind kërkesat e asnjërës palë, nga asnjë faktor ndërkombëtar, prandaj që të dyja palët duhet të lëshojnë pe, që më në fund të mos u merret fytyra, por të gjejnë vetë alternativa për dhunën dhe luftën me ndihmën e palës së tretë, apo tërë komunitetit ndërkombëtar.”Esenca e projektit për transicion paqësor në Kosovë konsistonte në dy pika. Duke mos e pasur si relevancë dëshminë se kush duhet fajësuar për çka. “Nëse Serbia dëshiron që serbët të jetojnë në Kosovë dhe nëse dëshiron një prani të Kosovës në Serbi, ajo duhet të zhvillojë një politikë që është e pranueshme për shqiptarët e Kosovës. Nëse shqiptarët e Kosovës insistojnë në shtetin e tyre të pavarur, ky shtet duhet të mbështetet në parimet, idetë dhe praktikën që është e pranueshme për Serbinë.” (Projekti për Kosovën i TFF -Transnational Fondation For Peace, 1991.)

Realizimi i këtij projekti do të bëhej i mundur përmes modaliteteve të ndryshme, bashkëpronësia dhe kondomiumi, apo një Konfederatë Serbia dhe Mali i Zi me Kosovën deri te modeli i mburojës (trusteeship) apo Protektoratit të OKB-së, i cili nga pikëpamja kosovare do të garantojë lirinë nga Serbia në një pikë të caktuar në kohë, kurse mbikëqyrja e OKB-së do të garantonte ndërprerjen e represionit në këtë proces. Po, “ne duam dialog – por në prani të një pale të tretë, si garantuese të çdo rezultati dhe duam një protektorat civil ndërkombëtar”, përsëriste Rugova edhe më 1995, mirëpo serbët pranonin të bisedohej vetëm për të drejtat njerëzore dhe stabilizimin e jetës në ‘krahinë’ por jo për ndërrimin e statusit të Kosovës. Por shqiptarët e Kosovës të gjitha modalitetet që qarkullonin asokohe i kuptonin vetëm si një mundësi më shumë drejt shkëputjes nga Serbia dhe në këtë kontekst, ata asgjë që vinte nga Perëndimi si ide ose projekt, nuk e përjashtonin a priori. Dhe Rugova ishte koheziv në këtë proces. Ibrahim Rugova megjithatë e linte të hapur mundësinë e këmbimit paqësor të territoreve të pastra etnikisht, në këtë rast Kosova Lindore do të bashkohej me Kosovën e pavarur, ndërsa Leposaviqi dhe Zubin-Potoku do të shkonin me Serbinë.

Atëbotë, për këtë mundësi e pata cituar Rugovën në një shkrim në gazetën austriake ‘Der Standard’ të Vjenës, (1994) dhe ai ndonëse nuk kishte dëshirë të identifikohej me këtë model, megjithatë vazhdonte ta mbante si opsion të hapur. Rreth 20 vjet më pas Kosova nuk ka probleme kufitare! Por ka probleme me menaxhimin e tyre. Kufijtë përfundimtarë të saj janë kufijtë administrativë të Kosovës sipas statusit autonom të vitit 1974 dhe të verifikuar me Kushtetutën aktuale të shtetit sovran, dhe ata nuk do të preken. Menaxhimi i integruar i tyre gjithsesi ishte një ide e mirë, por Prishtina dihej se nuk do të mund ta realizonte pa ndërhyrjen e Brukselit. Dhe ky model u shtrua gjatë takimeve të kryeministrave të dy vendeve (Thaçi e Daçiq), përderisa nacionalizmi i rikthyer serb ende mbahet fort për idetë e vjetra e të debatuara shumë gjatë, ripërkufizim territorial, apo ndarje dhe ndërrim territoresh etj., ide këto që u përmblodhën në të ashtuquajturën “Platforma e Serbisë për Kosovën”, e cila nuk sjell ndonjë risi duke ofruar variantin serb të “zgjidhjes përfundimtare” dhe duke qëndruar shumë pranë projekteve e elaborateve fashiste të shtetit serb karshi shqiptarëve të Kosovës. Sipas Kushtetutës së vitit 1974, Kosova kishte një territor të kufizuar qartë dhe me kufij të dallueshëm. Një ndër tri kriteret themelore për shtetësi, sipas së drejtës ndërkombëtare, është territori i përkufizuar qartë, kriter ky të cilin Kosova e plotësonte. Kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar me Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) të vitit 1974, sipas së cilës kufijtë e brendshëm (të republikave dhe krahinave) nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e njësive gjegjëse, për çka Kosova gëzonte të drejtën e vetos në Kuvendin Federativ. Po ashtu kufijtë ndërkombëtarë të Jugosllavisë nuk mund të ndryshoheshin pa pëlqimin e të gjitha njësive federale, pra edhe të Kuvendit të Kosovës (Kushtetuta e RSFJ 1974, neni 4.5).

Që nga qershori i vitit 1999, po ata kufij të Kosovës kontrolloheshin bashkërisht nga autoritetet e Kosovës (IPVQ), UNMIK-u dhe KFOR-i. Korniza kushtetuese për vetëqeverisje të përkohshme e vitit 2001 pastaj e përkufizoi Kosovën si “territor i pandashëm”, kurse Grupi i Kontaktit ka përjashtuar opsionin e ndarjes së Kosovës si mundësi e zgjidhjes së statusit (Grupi i Kontaktit 2006, neni 6.)

Ndërkaq që territori i Republikës së Kosovës është përcaktuar me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës dhe është përkufizuar me vijën kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988.

RCCOLA

MIK-u është projekt evropian dhe tashmë shumë shtete të rajonit e aplikojnë, e ndër to edhe Shqipëria dhe Mali i Zi. Kjo ide nuk është e re, por buron nga Strategjia Kombëtare e Kosovës për MIK-un e vitit (2008.)

Si ide evropiane natyrisht se gjatë zbatimit (duke filluar nga 10 dhjetori 2012) do të hasë në rezistencë edhe nga Republika e Serbisë, por veçanërisht nga serbët kosovarë.

Natyrisht se Prishtina e Beogradi do ta bëjnë një ditë edhe praktikisht demarkacionin e kufirit 380.068 km të gjatë, mirëpo ndryshime radikale nuk mund të ketë.

Kësisoj, vetë bisedimet e cilësuara si teknike mes Kosovës dhe Serbisë janë konceptuar në atë mënyrë që të derivojnë një marrëveshje të negociuar, si “zgjidhje kreative”, të cilën Hashim Thaçi e pati përmendur që në pranverë të vitit 2012, mirëpo, autorësinë e këtij modeli “Kosova shtet i pavarur dhe neutral, i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë” e mban Kryetari i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në anën tjetër, duke qenë se autonomia asimetrike për serbët e pjesës veriore të Kosovës e defunksionalizon Kosovën si shtet, kam shkruar po në “Kohën Ditore” (24.11.2011) se ideja për MIK-un dhe caktimi i një përqindjeje nga doganat kosovare (p.sh. 20% e të hyrave, kjo mund të negociohet) në pikën 1 dhe 31 për krijimin e një fondi zhvillimor për tri komunat e veriut të Republikës së Kosovës, mbetet e vetmja zgjidhje kreative, e cila me mbështetjen e BE-së do të ofronte zgjidhje evropiane, joterritoriale, kushtetuese, si prag maksimal i Prishtinës zyrtare.

Dhe këtë ide e adoptoi Qeveria e Kosovës, më 22 dhjetor 2012. Lidhur me këtë Kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë, do të takohen më 17 janar, që të diskutojnë krijimin e një fondi unik për veriun e Kosovës në të cilin pos fondeve ndërkombëtare dhe të Serbisë do të participonte edhe Kosova me një përqindje nga të hyrat doganore të pikave 1 dhe 31.

Po ashtu kam shkruar se do të jetë boll e zorshme për Beogradin ta nënshkruajë statusin e vendit kandidat të BE-së e të mos pranojë zgjidhje evropiane dhe kështu doli, Serbia hyn në vitin 2013 pa status të vendit kandidat.

Eksperimentet e saj po shterojnë (ShBA-ja mbajti pozicionin se Platforma serbe është humbje kohe kot) dhe ky shtet ose do ta zgjedh përfundimisht BE-në e ta lërë rehat Kosovën që t’i këqyrë punët e veta, ose Kosovës do t’i jepet drita jeshile për të hyrë me mekanizma shtetërorë në këtë pjesë të territorit të saj.