GRANDEMALL

Nga Shqipëria statusin e veteranit të UÇK-së e kërkojnë 420 persona

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Kukës – Rreth 420 persona nga Shqipëria pretendojnë se kanë qenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose kanë kontribuar në forma të ndryshme në luftë për çlirimin e Kosovës. Por, në mesin e aplikuesve, ka edhe viktima të minave serbe, të vendosura në kufi në vitet 1998-1999, si dhe të tillë që kanë pësuar nga granatimet serbe.

Përfaqësuesi i Kryesisë së Veteranëve të UÇK-së për Shqipërinë, Sokol Poga, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” se pesë ditë para skadimit të afatit kanë aplikuar për të përfituar statusin e veteranit të UÇK-së 420 persona nga Shqipëria.

“Nga këto, 40 aplikime janë për të përfituar statusin e dëshmorit dhe 67 persona për invalid të luftës. Në mesin e aplikimeve për të përfituar statusin e dëshmorit dhe atë të invalidit të luftës ka persona që kanë humbur jetën, apo janë gjymtuar nga shpërthimi i minave serbe të vendosura në kufi gjatë luftës, por edhe nga granatimet e ushtrisë serbe në territorin e Shqipërisë. Aplikuesit, sipas Pogës, janë nga rrethet e Hasit, Tropojës e Kukësit, por ka edhe nga zona të tjera të Shqipërisë”, ka thënë Poga.

Ai pa dashur të paragjykojë statusin e tyre, ka thënë se këta persona duhet trajtuar si viktima civile.

“Statusin e dëshmorit mund ta përfitojnë rreth 50 për qind e numrit të aplikimeve”, ka thënë Poga. E njëjta qasje, sipas tij, vlen edhe për invalidët e luftës.

Banorët e zonave kufitare – kontribuues të luftës
Pjesa më e madhe e aplikuesve nga Shqipëria do të trajtohen si kontribuues të luftës. Sipas Pogës, për të përfituar statusin e dëshmorit, invalidit, apo veteranit të luftës në Shqipëri ka një specifikë të veçantë.

“Fillimisht do të konsiderohen veteranë të luftës ata persona që kanë qenë të inkuadruar në brigada konkrete, apo në bazat speciale sekrete të UÇK-së të instaluara në Shqipëri, si dhe persona që kanë përcjellë përmes kufirit grupe e materiale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Megjithatë kontributi i banorëve të zonave kufitare me Kosovën, rretheve kufitare, por edhe i gjithë Shqipërisë ka qenë i pazëvendësueshëm për çlirimin e Kosovës”, ka bërë të ditur Poga.

Në luftën e Kosovës, në formacionet e UÇK-së, kanë marrë pjesë më shumë se 100 shqiptarë nga Shqipëria. Disa prej tyre kanë qenë edhe në postet drejtuese në Shtabin e Përgjithshëm, apo dhe në krye të njësive e reparteve. Nga lista e publikuar nga UÇK-ja, rezulton se 28 shqiptarë nga Shqipëria janë dëshmorë të rënë në krye të detyrës. Dëshmorët janë kryesisht nga Tropoja, Hasi e Kukësi, por edhe nga Tirana, Pogradeci, Kavaja, Berati e Vlora. Por krahas pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në luftë, shumë grupe dhe fshatra kufitare me Kosovën kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me UÇK-në , me Shtabin e Përgjithshëm të saj.

E disa nga aplikuesit thonë ta kenë bërë këtë gjë për të dëshmuar kontributin në luftën e Kosovës.

ARKATANA

”Ne jemi krenarë për kontributin. Në radhë të parë kemi kryer një detyrë para kombit. Në atë kohë ne nuk na vinte në mendje asgjë tjetër përveç çlirimit ë Kosovës nga serbët. Por duke u bërë një analizë ngjarjeve pas luftës na ka vrarë shpirtërisht që ne nuk kishim asnjë mirënjohje apo të paktën një dokument që kemi kontribuar, madje një kontribut kryesor. Nuk kishim një dokument që të paktën t’jua tregonim fëmijëve se kemi kontribuar për kombin në një moment shumë të vështirë për të. Besoj se tashmë këtë dokument do ta kemi”, shprehen aplikuesit Gëzim, Bedri, Qamil e Agron Cahani. Të tretë kanë qenë pjesëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Cahanit” dhe janë marrë me transportin e armëve dhe shoqërimin e grupeve të UÇK-së nga Shqipëria në Kosovë e anasjelltas përmes malit të Pashtrikut.

Të dëmtuarit nga minat kërkojnë dëmshpërblim në Gjykatën e Strasburgut
Banorët e fshatrave përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë janë më të viktimizuarit nga lufta e Kosovës. Vetëm nga minat e vendosura nga ushtria serbe përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë në vitin 1999 janë regjistruar 34 të vdekur dhe 238 të plagosur.

Nga lufta e Kosovës ka mbetur e minuar një sipërfaqe prej 15.250.000 m2 përgjatë kufirit. Në këtë zonë, 25.000 persona janë direkt të prekur nga minat. 34 persona kanë vdekur dhe 238 janë të dëmtuar nga shpërthimi i minave dhe municioneve të paplasura. Kryetari i Komitetit Shqiptar të Miqve Antiminë, Besnik Alibali, ka ngritur një padi ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut duke kërkuar 1 miliard dollarë dëmshpërblim për viktimat e minave në verilindje të Shqipërisë.

Fatura financiare që do t’i kërkohet si dëmshpërblim Gjykatës së Strasburgut nga Komiteti Shqiptar i Miqve Antiminë do të jetë 1 miliard USD. Vendimi i Komitetit Shqiptar të Miqve Antiminë për t’iu drejtuar me një padi dëmshpërblimi Gjykatës së Strasburgut erdhi si rezultat i një situate pajtuese nga ana e Qeverisë dhe e organizmave të tjera shqiptare me fatin e shumë viktimave dhe familjarëve të tyre të dëmtuar si pasojë e minimit të vijës kufitare Shqipëri-Kosovë.

Gjithashtu në objektin e kësaj padie është edhe dëmshpërblimi i pasojave ekonomike dhe ekologjike, të cilin e kanë shkaktuar minat në territorin verilindor të Shqipërisë. Sipas Besnik Alibalit, kjo padi e ka bazueshmërinë e saj ligjore në të drejtat dhe detyrimet, që përcakton Konventa e Otavës, anëtare e së cilës Shqipëria është që nga viti 1999.

Në ditën që kjo konventë hyri në fuqi, pikërisht më 1 mars 1999, forcat jugosllave vendosën një numër shumë të madh minash brenda kufirit shqiptar, duke dalë hapur kështu kundër saj dhe Konventës së Strasburgut për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Konventa ndërkombëtare e Otavës, në të cilën Shqipëria renditet në vendin e 93-të, ndalon kategorikisht prodhimin, magazinimin, ruajtjen dhe përdorimin e minave kundër personit, si dhe parashikon ndëshkime ligjore dhe financiare për të gjithë ata që shkelin nenet e saj.

Dëmshpërblimi për ata që kanë vuajtur pasojat e minimit të territorit është një nga të drejtat, që përcaktohet në mënyrë të qartë dhe të plotë nga kjo konventë. Vlera për të cilën do të kërkohet dëmshpërblim në Gjykatën e Strasburgut, është përllogaritur rreth 1 miliard dollarë amerikanë. Në këtë vlerë financiare janë marrë për bazë llogaritjeje të dhënat zyrtare për numrin e të vrarëve dhe të plagosurve nga minat në kufirin verior të Shqipërisë.

Kryetari i Shoqatës së Viktimave të Minave dhe Armëve në Shqipëri “ALB AID”, Jonuz Kola, shprehet skeptik se Gjykata e Strasburgut do të marrë në shqyrtim padinë e Komitetit të Miqve Antiminë.

”Shqipëria nuk ka prova që t’i paraqesë para Gjykatës së Strasburgut. Nuk janë grumbulluar prova në vendin e ngjarjes kur banorët kanë rënë në mina, por është mjaftuar vetëm me një fotografi. Gjykata vepron me prova. Ish- ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiç, në një aktivitet në Beograd ka mohuar që ushtria jugosllave të ketë minuar kufirin. Pas kësaj deklarate unë kam braktisur aktivitetin në shenjë proteste”, shprehet Jonuz Kola nga Shoqata e Viktimave të Minave dhe Armëve në Shqipëri “ALB AID”. (koha)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.