Hidromorava

Nga pavarësia te bashkimi dhe anasjelltas

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Albin Kurti- Nga pavarësia (e Kosovës) pa bashkim (me Shqipërinë) duhet të kalojmë te bashkimi (kombëtar) si pavarësi (e vërtetë)

Teksa shqiptarët tashmë kanë nisur ta kremtojnë 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, politikanët e tyre kanë prirjen që çështjen e kombit dhe të bashkimit kombëtar ta ngujojnë në të kaluarën, në rrafshin emocional dhe te rrëfimet letrare. Ata evokojnë kujtime nga historia jonë, tregojnë ngjarje e lavdërojnë personalitete, përçojnë ndjenja mallëngjimi.

Në kontrast me këtë, të ardhmen, rrafshin racional dhe të vërtetën shkencore ia kanë rezervuar një tjetër bashkimi – Bashkimit Evropian. Pra, thonë që e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian, se vetëm kjo është plotësisht e arsyeshme dhe njëkohësisht e sigurt porsi matematika.

Dhe, jo vetëm kaq. Kombi e bashkimi kombëtar trajtohen te regjistri i kulturës e traditës kurse politika dhe ekonomia përbëjnë sërish regjistrin e atij bashkimit tjetër – Bashkimit Evropian. Valoje flamurin shqiptar, këndo e vallëzo shqip, ama orientimin politik dhe modelin ekonomik nuk na e përcakton bashkimi ynë (këtu) por bashkimi tjetër (atje). Këta politikanë preferojnë të flasin për bashkimin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve që të mos flasin për bashkimin ekonomik e politik të tyre.

Bashkimi kulturor nuk e sjell shtetin e bashkuar por autonominë kulturore. Sepse bashkimi kombëtar nuk është thjesht bashkim kombëtar, bashkim i kombit. Bashkimi kombëtar është bashkim kombëtar në një shtet. Pra, bashkimi kombëtar nuk do të thotë komb i ri, por shtet i ri. Një shtet që është i ri sepse është shtet i kombit, i tërë kombit. Në Bashkimin Evropian ndodh bashkimi ndërkombëtar (midis shteteve) dhe jo bashkimi kombëtar (i shqiptarëve). Prandaj, politikanët shqiptarë do të duhej që të angazhohen më shumë në politikën shtetërore sesa në kulturën kombëtare, apo jo? Le t’ua lëmë kulturën shoqërive kulturore-artistike, krijuesve, medieve dhe shtëpive botuese. Politikanët e lartë kanë detyra të tjera të larta politike e shtetërore. Mobiliteti i shqiptarëve duhet të përkthehet jo vetëm në homogjenitet kulturor kombëtar por edhe në akumulim të kapitalit kombëtar. Pa të dytën do të mund ta humbim edhe të parën.

Si kulturë pa politikë, si traditë pa ekonomi, do të shtohen ata që do të na quajnë bashkësi etnike për të mos na quajtur komb. Ja se çfarë shkruan publicisti Xhelal Neziri në revistën ‘Shenja’ që botohet në Shkup: “Dallimi nga kombi është se bashkësia etnike identitetin e saj e lëvron në mënyrë joinstitucionale, pa përkujdesje nga shteti. Nëse identiteti kombëtar është i lidhur me shtetin, atëherë identiteti etnik është më tepër folklorik dhe i pasistemuar mirë. Sipas antropologut Thomas H. Eriksen, dallimi ndërmjet etnisë dhe kombit qëndron në raportin e tyre me shtetin. Sipas tij, derisa kombet synojnë që kufijtë e tyre gjeografikë të jenë të përputhshëm me ato kulturor, bashkësitë etnike s’pretendojnë të kenë kontroll mbi shtetin ose të qeverisin atë”.

Uji Dea

Krerët e shtetit e qeverive të Shqipërisë e Kosovës duhet ta theksojnë edhe politikën dhe ekonominë kombëtare, jo vetëm kulturën kombëtare. Kombi është edhe pasuria kombëtare. Pasuria kombëtare u takon të gjithë pjesëtarëve të kombit, gjeneratave aktuale dhe atyre që do të na trashëgojnë. Është e drejtë dhe detyrë e jona shfrytëzimi i përbashkët i pasurive nëntokësore, tokësore, mbitokësore e detare të shqiptarëve për përmirësimin e jetesës dhe ngritjen e mirëqenies së të gjithë shqiptarëve, por edhe të gjeneratave të ardhshme.

Projekti i bashkimit kombëtar e politizon çështjen kombëtare dhe kombin si të tillë. Të jesh shqiptar edhe politikisht do të thotë të angazhohesh për bashkim kombëtar, ta politizosh kombin dhe ta kombëtarizosh politikën. Ndoshta një ditë nuk do të ketë kombe, mund të thotë dikush. Ndoshta, ama këtë gjë jo vetëm që s’mund ta dimë ne, por as s’do të mund të vendosë kush ndonjëherë për këtë. Kombet kanë lindur dhe vazhdojnë të zhvillohen në procese historike ku ato porsi gjuha vazhdimisht ndryshojnë, mirëpo asnjëri nga ne s’i ndryshon dot.

Kombi është i rëndësishëm meqë kontribuon shumë për idenë e komunitetit dhe shoqërisë, për ndjenjën e përkatësisë dhe të përgjegjësisë. Socialja nuk ka të bëjë vetëm me institucionet e sistemit dhe rishpërndarjen e tyre por edhe me marrëdhëniet ndërnjerëzore. Bashkimi kombëtar gjithsesi ka efekt shoqëror – ai do të kontribuonte në çlirimin social të shqiptarëve. Bashkimi kombëtar do të rriste burimet natyrore e lëndët e para, fuqinë punëtore, madhësinë e tregut, aftësitë mbrojtëse, kapacitetet zhvillimore, administrative, menaxhuese e intelektuale të shqiptarëve. Te shqiptarët bashkimin kombëtar e duan të varfërit dhe klasa e mesme sepse të pasurit përgjithësisht nuk i kemi prodhues por tregtarë. Të varfërit e duan bashkimin kombëtar; të pasurit janë tregtarë që e mirëmbajnë importin (në kuadër të deficitit të tmerrshëm tregtar që i ka mbërthyer shtetet tona). Dihet që neoliberalizmi e do shtetin kundër kombit dhe kombin kundër shoqërisë. Bashkimi kombëtar i shqiptarëve paraqet lëvizje me kahje të kundërt prej kësaj. Pikërisht ky kontekst bën që nacionalizmi shqiptar edhe në shekullin XXI të jetë më parë i llojit algjerian sesa i atij francez.

Pavarësia pa të drejtën për bashkim me Shqipërinë nuk është përnjëmend pavarësi. Pavarësia e Kosovës u shpall me kusht që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë. As Shqipëria e ndarë nga Kosova nuk po ka pavarësi për të qenë. Nga pavarësia (e Kosovës) pa bashkim (me Shqipërinë) duhet të kalojmë te bashkimi (kombëtar) si pavarësi (e vërtetë). Njëkohësisht, duket hapur që shteti te shqiptarët është në funksion të një klase të pakicës: burokratët ndërkombëtarë, qeveritarët vendës dhe miqtë e tyre biznesmenë. Prandaj, shteti në funksion të kombit që bashkohet do të ishte edhe demokratizim.

Pa dyshim që bashkimi kombëtar nga monolog privat tashmë është shndërruar në dialog publik për shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Qeveritarët shqiptarë dhe shumica e politikanëve shqiptarë ose refuzojnë ose ngurrojnë të bëhen pjesë e këtij dialogu.