ARKATANA

Nga kopshtet e huaja në tryezat e kosovarëve – veç domate u importuan vjet në vlerë 12 milionë euro

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Edhe pse Kosova ka kushte klimatike për prodhimin e kulturave të ndryshme bujqësore, sasinë më të madhe të tyre e importon.

Domatet, specat, patatet e mollët – ndër më të konsumuarat gjatë stinës së verës – shumica vijnë nga jashtë.

“Për të gjitha këto, kushtet në Kosovë – qofshin klimatike, qofshin tokësore – janë të favorshme”, thotë profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Imer Rusinovci, për Radion Evropa e Lirë.

Por, tregu është i orientuar nga importi, për shkak të migrimit të qytetarëve nga zonat rurale, si dhe mungesës së interesimit për t’i punuar tokat, sipas tij.

Vendet nga ku importon Kosova, përfshijnë ato të rajonit, të Bashkimit Evropian dhe Turqinë.

Të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2023.

Kur krahasohen të dhënat për domaten në pesë vjetët e fundit, del se importi i saj ka pasur vlerën më të lartë në vitin 2023 – afro 12 milionë euro.

Mobi Casa

Vlera e importit të specave në vitet 2023 dhe 2022 ishte e ngjashme – mbi pesë milionë euro, ndërsa vlera më e lartë e eksportit ishte vitin e kaluar.

Me patate, ndërkaq, eksporti e kaloi importin vetëm në vitin 2020, ndërsa vlera e importit mbeti e njëjtë në dy vjetët e kaluar – mbi 3 milionë euro.

Kur krahasohen të dhënat e dy vjetëve të fundit për mollë, del se importi i tyre ka shënuar rritje për më shumë se dy milionë euro në vitin 2023. Eksporti, ndërkaq, ka mbetur në disa mijëra euro.

Përveç këtyre, Kosova importon sasi të mëdha edhe të qepës, lakrës, spinaqit, ashtu si edhe të kumbullave, mjedrave, dardhave e të tjera.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa që eksporton.

Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh – duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore – ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove – më së shumti produkte të metalit dhe plastikës.