Nga Albini, tek Albina!

Nga Mero Baze – Alibina nuk bëhet dot si Albini. Por mbi të gjitha, kjo shpëton dhe Albinin të mos duket si Albina. Si Albana, jo e jo!. Përpjekja për të imituar një lëvizje të ashpër opozitare, e cila ka muaj që ka zënë vend në Kuvendin e Kosovës, po degradon në një opozitë kaotike, pa identitet dhe ndoshta me ndikim negativ dhe për vet opozitën. Futja e vezëve në Kuvend, e promovuar për herë të parë nga Albin Kurti në Kosovë, natyrisht që ishte një gjë e fortë, e cila formalisht bazohej në kauza të forta, siç është integriteti territorial i Kosovës, vija kufitare, marrëveshja me komunat serbe etj.
Në Tiranë, “Vezëvendosja” u importua si model, pa pasur mbrapa vetes as arsyetim politik dhe as kauza të forta. Për më tepër, vetë ky vendim nuk ishte një vendim unanim i PD, por i një grupi grash që duan të faktorizohen si “të forta” në Kuvend, me shpresë se kështu garantojnë një mandat tjetër për deputete.
Degradimi i kësaj lëvizje politike nga Albini tek Albina, dhe në fund tek Albana, nga një lëvizje fine opozitare me theks të fortë radikal, tek një një protestë e shëmtuar grash që flasin me fjalor burrash të rëndomtë, dhe që nuk gjenë miratim as brenda grave të PD-së, është mbi të gjitha përgjegjësi e atyre që përdorin këto gra.
Të imitosh Albinin me Albinën, është sikur të imitosh Sali Berishën me Albulenën në Kosovë. Albini është i qartë në atë që bën dhe atë që do të bëjë përmes radikalizimit të aksionit opozitar. Ai e di pse po gjuan me vezë, pse po hedh gaz lotësjellës dhe e merr përsipër atë që bën. Albina di vetëm që po qëlloi me vezë dhe po e kapi Ramën, mund të jetë prapë deputete, po nuk e kapi mund të jetë në listë. Kjo është një mënyrë vulgare për ta varrosur kauzën e opozitës dhe për ta bërë atë qesharake, duke fshehur lidershipin pas fustanit të grave që bëjnë si burra.
Fjalori i saj për orgjira, dashnore dhe gra të përdorura nga kryeministri, është një fjalor i rëndomtë mashkullor, biles i meshkujve të këqinj, që përflasin dhe femrat me të cilat shkojnë. Albini ka akuzuar Thaçin simbolikisht që bën flirte me Serbinë dhe është dashnor i Vuçiç, kurse gratë e PD numërojnë dashnoret e Edi Ramës.
Albini ka qëlluar dhe është qëlluar me vezë, për të ndezur konfliktin politik, për të bllokuar Marrëveshjen me Serbinë, kurse Albina ka qëlluar për të bllokuar reformën në drejtësi, për të nxjerrë Kuvendin nga normaliteti dhe për t’i shpëtuar shefat e saj nga përballja me fjalën e dhënë për reformën.
Që opozita e Albinit të bën të të lëshojë goja lëng kur je në opozitë, është e qartë, pasi është opozitë agresive, inteligjente dhe e pakompromis, por që ta bësh atë, duhet të jesh njeri i lirë, nuk duhet të kesh peshën e mëkateve që kanë shefat e Albinës. Së paku nuk duhet të kesh vrarër në bulevard për pushtet, nuk duhet të kesh varrosur 26 vetë për ca miliona të djalit, nuk duhet të kesh djalin apo vajzën sekser pas çdo koncesioni të qeverisjes tetë vjecare. Dhe si për t’i vënë kapak hipokrizisë, kur gratë e gjora të PD i thërrasin nga Mirdita, Peqini e Vlora t’i nxjerrin para Kryeministrisë për të sharë me libër shtëpie burrin që është kryeministër, djali dhe nusja e radhës e djalit të Atij që urdhëron gratë, harxhon milionat që u kanë vjedhur shqiptarëve në pasarelat e modës në Milano, duke i bërë karshillëk varfërisë ku i kanë zhytur shqiptarët.
Është kjo arsyeja reale, që Alibina nuk bëhet dot si Albini. Por mbi të gjitha, kjo shpëton dhe Albinin të mos duket si Albina. Si Albana, jo e jo!
/Tema