Fundamenti

Nga 1 korriku mediat pa TVSH

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Ashtu siç ishte paralajmëruar, që nga 1 korriku nuk do të aplikohet TVSh-ja për mediat. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e Administratës Tatimore e Kosovës (ATK). Kohë më parë, zyrtarë nga Ministria e Financave patën premtuar se që nga 1 korriku i këtij viti do të hiqet TVSh-ja për mediat.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave (MF), Menderes Ibra, i ka thënë Telegrafit kohë më parë se ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh), tashmë ka hyrë në fuqi, i cili parasheh edhe lirimin e mediave, shërbimeve spitalore dhe kujdesit mjekësor si dhe lirimin e universiteteve private nga TVSH-ja. “Ligji i ri për TVSH-në ka hyrë në fuqi ndërsa do të zbatohet nga data 1 korrik 2012”, ka thënë Ibra për Telegrafin.

Hyrjen në fuqi të këtij vendimi e ka konfirmuar për Kosovapress përmes telefonit edhe Sami Salihu, Menaxher i Departamentit për Shërbim dhe Edukim të Tatimpaguesve, i cili tha se që nga 1 korriku mediat nuk aplikojnë TVSh. “Mediat nuk aplikojnë TVSh nga 1 korriku 2012”, tha Salihu.

Mirëpo, ai ka shtuar se me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për TVSh-në, mediat janë të liruara nga TVSh-ja, por nuk e gëzojnë të drejtën e zbritjes së TVSH-së.

KKGJILAN

Kjo, sipas tij, nënkupton atë se mediat në rast blerjeje nuk gëzojnë zbritjen e TVSh-së, kurse faturimin e bëjnë pa TVSh. “Ndër këto ndryshime të cilat i ka ky ligj, ka të bëjë edhe me futjen e një paragrafi të ri në nenin 27, lirimet pa të drejtën e zbritshme, ku është shtuar paragrafi 1.19 në nenin 27, i cili ka të bëjë me mediat elektronike dhe të shkruara, të cilat media janë të liruara nga TVSh-ja, mirëpo, nuk kanë të drejtë njohjen e TVSh-së së zbritshme”, theksoi Salihu.

Ai ka shtuar se ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për TVSh-në është bërë edhe për çështje të cilat nuk ishin të mbuluara në përputhje me direktivat e BE-së për TVSh-në.

Për më tepër, ligji për TVSh-në është në fuqi prej datës 15 qershor, por efekti juridik lidhet me bazën tatimore. Kjo bazë tatimore krijohet në baza të plota tatimore ose në periudha tremujore ashtu siç është tatimi në të ardhura apo në baza mujore që është TVSH-ja. /Telegrafi/