Nezir Latifi, shembull i prodhuesit të mirë në fshat
Gjilan – Në hyrje të fshatit Lladovë, aty në të djathtë të rrugës që të shpie drejt për në Grykë të Karadakut, gjendet restaurani me emrin “Mbreti”. Aty, afër, gjendet ara 2 hektarshe me shalqinj e pjepëra e Nezir Latifit po nga ky fshat. Kur afrohesh aty afër sheh se kjo arë e këtij qytetari të duket si një fushë sporti, por në fakt, aty ka perime të ndryshme të mbjella, nga të cilat, qytetarët punëtorë i gëzohen punës e jetës. Është kjo ara e Nezir Latifit, një i ri lladovas, i cili nuk hezitoi fare të punojë tokën e vet me shumë lloje perimesh. Dhe, ia vlen të thuhet se, kush punon, fiton. Kjo është një proverbë popullore e përdorur me vend. Pse jo? Ai që punon, ka edhe të mirat materiale. Jo vetëm kaq.
Nezir Latifi është nga fshati Lladovë, 34-vjeçar. Është e dyta verë që ai mbjellë shalqinj, pjepëra e perime të tjera. Gjer tash, ky i ri lladovas ka kultivuar tri lloje shalqinjësh. Dëgjuam për këtë punëtor të ri e të vyer, më të cilin biseduam pak kohë tek ara e tij në Lladovë, aty ku është restauranti “Mbreti”. Zhvilluam pak fjalë, e ai na shtoi se, vetëm me punë, njeriu arrin të mira materiale. “Po, na tha Nezir Latifi, – e kuptuam mirë se, pa punë, s’ka ecje përpara. Me kohë e kam rregulluar një tezg apo vend për t’i ekspozuar perimet e mia të mbjella të verës.
Aty kam shalqinj fort të kërkuar. E kam zgjedhur farën më të mirë të këtij prodhimi. E zgjodha këtë “zeje”, se sa të punoj diku për 250 euro në muaj. Para pak kohësh, isha punëtor në Fabrikën e Radiatorëve në Gjilan. Punoja, por paga nuk ishte aq e mjaftueshme. Kur e llogaritja udhëtimin, cigaret, ndonjë pije më shokë, ato para që i mirrja, nuk më dilni gjer në fund të muajit. Dhe, më shkoi mendja ta ndërroj profesionin. E ndërrova. Me vëllaun tim, Bekimin e filluam punën duke mbjellur shalqinj, pjepëra, rasad specash, domatesh e të tjera. Qe dy vite ia kemi filluar kësaj pune dhe jemi të kënaqur.
Ne mbjellim mbi 50 mijë fidane për shitje, speca, domate, shalqinj etj. Këto “sende” na kanë ndryshuar “gjendjen” tonë. Shihni, këtu kemi j 2 hektarë tokë me shalqinj. Kjo pjesë e tokës është afër rrugës Zhegër-Gjilan. Është tokë e klasit të parë. Nuk kalon njeri pa u afruar tek “veranda” jonë me shalqinj e perime të tjera. Dua të them se, një dy pika të shitjes i kem në qendër, në Gjilan, dhe një në fshat. Ishte vera e mirë, e cila na ka sjellë të mira. Kur e pyetëm se a ka llogari, ai pahezituar na shton se, ka leverdi dhe është tejet i kënaqur.
“Pse jo? Unë kam bërë mjaft punë sa tash puna ime po adhurohet dhe po paguhet. Ka marrë kohë e mirë. Jemi friguar shiut e breshërit që pati rënë para do ditë në këtë pjesë të Anamoravës. Fati na buzëqeshi që breshëri nuk na dëmtoi, por dëme pati fshatrat Nasalë, Llashticë, Gjilan e mese të tjera. Tek ne, prodhimi i perimeve është fort i kënaqshëm. Ka shalqinj që peshon gjer në 15 kg dhe ka shije të mirë. Por, edhe pjepërat janë me shije.
Gjer më tani jemi të kënaqur me fitim. Më mirë po punojmë në arën tonë se diku tjetër. Nuk do t’i ndahem kësaj pune. Nuk është e rëndë, por, në këtë punë duhet pasur kujdes. Shalqinjët i shesim edhe në qendër të Gjilanit, edhe atë në dy kiosqe. Besoni, ata që kanë ardhur ta shijojnë shijen e këtij prodhimi, ata nuk ndalen dhe vijnë e marrin prodhimet tona disa herë se janë “taze” apo të freskta. Kjo është jeta jonë. Ku ka punë, ka edhe fitim,” na shtoi Nezir Latifi, prodhues nga Lladova e Gjilanit./tefik selimi/rajonipress/


