RCCOLA

Nexhmi Balaj, një jetë në shërbim të ruajtjes së trashëgimisë historike dhe etnokulturore të Llapit

/ 15 minuta lexim
Mobi Casa

Nexhmi Adem Balaj u lind më 11 mars 1950 në Rimanishtë të Prishtinës. Prindërit e tij si adhurues të ndryshimeve pozitive qysh herët shpërngulën nga ky fshat malor në qytezën e bukur të Podujevës.

Përveç kushteve më të volitshme për jetë ata këtë lëvizje e bëjnë edhe nga dëshira për t’ju bashkëngjitur trungut të tyre familjar në Konushevc dhe Llugë të Llapit.

Edhe kjo familje sikurse shumë familje të tjera si pasojë e një ekonomie të mbyllur e të shkatërruar nga ana e pushtetmbajtëseve jugosllavë detyrohet të orientohet në kultivimin e perimeve, frutave dhe bimëve të tjera me vlera ushqyese.

Me prodhimin e perimeve dhe kulturave të tjera të shumëllojshme plotësoheshin nevojat e familjes.

Kurse pjesa tjetër e produkteve nxirrej në treg në të gjitha periudhat e vitit.

Falë kësaj pune sigurohej buka e çdoditshme dhe plotësoheshin kërkesat tjera modeste të familjes.

Mirëpo,kjo nuk ishte e tëra për Nexhmiun e njomë. Ai pretendonte një jetë ndryshe nga ajo plot vuajtje e mjerim e të parëve të tij.

Krahas punës së mundimshme si kopshtar i rinj ai ndjek mësimet me mjaft seriozitet në shkollën tetëvjeçare të qytezës së Podujevës, të cilat i kryen me sukses të shkëlqyeshëm. Më ritëm të shtuar në zënie dijesh Nexhmiu regjistrohet në Shkollën e Mesme të Bujqësisë në Prishtinë, me shpresën që në një të ardhme të afërt do të jetë një ekspert i mirë i kësaj fushe.

Edhe pse z.Balaj në të gjitha disiplinat zotonte njohuri të kënaqshme, dashuria për gjuhën,kombin dhe historinë e popullit shqiptar e shtyjnë që të studiojë Gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, ku në vitet e shtatëdhjeta ai merr titullin profesional profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Diplomimi Nexhmiut i hap mundësi punësimi edhe në ndonjë nga shkollat brenda qytezës së Podujevës.

Por,pikësynim ai e kishte inkuadrimin në punë në fshatin Sveçël, ngase aty kishte shumë shokë e miq që ishin përkushtuar seriozisht në avancimin e çështjes shqiptare.

Këtë ëndërr Nexhmiu e sendërton në shtator të vitit 1972 ku nis punën si Arsimtar i Gjuhës Shqipe në shkollën tetëvjeçare të këtij fshati.

Z. Balaj menjëherë rreshtohet përkrah Ajetajve,pjesëtaret e së cilës familjeje me qëndresën e tyre ndaj pushtuesve ishin dëshmuar në çdo periudhë kohe, duke manifestuar akte trimërie nga më të ndryshmet.

Ismail Hasan Ajeti i njohur në Llap si BUSHI, i pati mundësuar më 23 dhjetor 1945 në Kranj të Prespës arratisjen në Greqi ish-udhëheqësit të Ballit Kombëtar Muharrem Bajraktari, së bashku më katërqind luftëtarët e tij.

Pastaj më 7shkurt 1950 po ky Ismail Ajeti,çdoherë trim dhe i vendosur në Mitrovicë ua pati hapur dyert e burgut të gjithë të burgosurve politikë.

Për këtë heroizëm Ismail Ajeti-BUSHI të dyja herët ka qenë i dënuar me vdekje. Ai shpëton nga ekzekutimi falë amnistive të imponuara nga trysnia ndërkombëtare mbi ish-Jugosllavinë.

Më 28 janar 1969 në skenë shfaqet edhe djaloshi 21vjeçar Hetem Ramadan Ajeti, po ashtu i dalë nga brumi i Ajetajve,ushtarë të përhershëm të Kosovës.

Ai,ia ndal turrin policit serb Apostol LLaziq,i cili si një antishqiptar i përbetuar dhe gjakpirës çdo ditë keqtrajtonte në trenin Podujevë-Fushë-Kosovë, dhe anasjelltas shqiptarët e pafajshëm, sidomos të rinjtë.

Durimit i vije fundi dhe këtë farë polici zullumqar Hetem Ajeti e zhdëp dajak, duke e lënë me pasoja të përjetshme.

Për këtë pason dënimi i Hetem Ajetit, me burgim të rëndë. Këto ishin arsyet që Nexhmi Balaj,dëshironte që me çdo kusht të punësohej në shkollën e Sfeqlës, në mënyrë që bashkërisht me këta Atdhetarë të verifikuar të organizonin gjithë aktivitetin ilegal, e që më vonë do ta shndërrojnë në vepër pa rënë në sy të pushtuesve serbo-sllavë dhe bashkëpunëtorëve të tyre.

Asokohe në këtë shkollë punonte edhe Ismail Ajeti-Bushi, si shtëpiak. Ai me përvojën e tij të gjatë të burgjeve ishte udhërrëfyes për të gjithë.

Aty ishte edhe Zejnullah Zejnullahu-Zena, si sekretar shkolle,që në vitet e mëvonshme do të jetë njëri nga shtyllat kryesore të UÇK-së, në Zonën Operative të Llapit.

Kështu që edhe koha e dëshmoi se Nexhmiu me të drejtë e kishte konsideruar Sveçlën çerdhe të shqiptarizmës.

Nxënës e punëtorë të kësaj shkolle u flijuan për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës, pothuajse në të gjitha kryengritjet e organizuara në Llap e më gjerë.

Nga kjo shkollë që sot mban emrin e kryetrimit “ALI AJETI“ dolën heronjtë e historisë më të re të Kosovës si :Ali Adem Ajeti, Hakif Sabit Zejnullahu, Hasan Halit Ramadani, Mehmet Sherif Visoka, Murat Mehmet Ajeti, Granit Xhevat Ajeti, Salih Zeqir Selmani, Xhevat Salih Jupolli, Dr. Shaqir Ismail Shaqiri, Ilir Nebih Maloku, Bajram Ismail Topanica, Rrahim Behram Vërshevci, Xhevdet Lah Jaha,Vehbi Isak Ajvazi,etj.

Shtesë e këtij zinxhiri me kontributin e tij dhënë çështjes shqiptare është edhe Nexhmi Adem Balaj, i akuzuar nga pushtetmbajtësit jugosllav si krijues i bërthamave të para ilegale për shembjen e ish-Jugosllavisë.

Sipas kësaj aktakuze Z. Balaj u dënua më 6 tetor 1981 më njëmbëdhjetë vjet burgim të rëndë.

Prej të cilave tetë vjet i vuajti në burgun famëkeq të Lepogllavës. Pas lirimit nga burgu Z. Balaj kthehet në Kosovën e tij të dashur,dhe menjëherë nis veprimtarinë Atdhetare në shumë fusha së bashku me ish-shokë e nxënës të tij.

Më 1990 duke parë vrasjet, burgosjet, ndjekjet, keqtrajtimet dhe largimin masiv të rinisë shqiptare jashtë Kosovës, z.Balaj me një grup aktivistësh si; Behxhet Shala-Bajgora, Sylejman Blaku, Dr. Selman Hoxha, Arif Ejupi, inxh. Ramadan Dibrani, Fehmi Blakçori; Hilmi Ajeti dhe Naser Behrami, themelojnë KMDLNJ- dega në Podujevë.

Nëpërmjet këtij Këshilli këta veprimtarë mundohen që të sensibilizojnë qendrat vendimmarrëse në botë, duke shpalosur para tyre dhunën dhe gjenocidin që shkaktonte makineria e regjimit gjakatar të Milosheviqit.

Këtu patjetër duhet cekur edhe kontributi i jashtëzakonshëm e me rrezik serioz për jetën edhe i fotografëve Lulzim Blakçori dhe vëllezërve Sabit e Naim Kqiku, të cilët në çdo kohë tregonin gatishmëri për të bërë zhvillimin dhe shumëzimin e fotografive të të vrarëve dhe të keqtrajtuarve.

Krahas punës në Këshill, Nexhmiu veproi edhe në LDK-së-dega në Podujevë, duke qenë anëtar Kryesie në disa mandate.

Mirëpo, forcën krijuese z.Balaj krejtësisht e përqendroi në ruajtjen e librit shqip.

Ai më 1993 themeloi Qendrën për Kulturë të Podujevës, në kuadër të së cilës angazhoi një grup të rinjsh me ide përparimtare siç ishin; Afrim Ilaz Maliqi, gazetar i kulturës në të përditshmen“Rilindja” gjegjësisht “Bujku”(tani dëshmor i kombit) Bajram Kadriu, Agim Kikaj, Ahmet Gashi, Fadil Llugaliu, etj.

Puna plot përkushtim e këtij grupi në mbrojtje të vlerave kombëtare bëhej pa kurrfarë kompensimi material.

Po këtë vit Nexhmiu në cilësinë e koordinatorit të kësaj Qendre bëri riorganizimin e bibliotekës në qytetin e Podujevës,dhe në fshatrat e saj.

Duke njohur në thelb urrejtjen dhe barbarinë serbe ndaj librit shqip Balaj një pjesë të rëndësishme të literaturës e cila konsiderohej si vlerë e pakompensueshme e sistemoi së bashku me z.Bajram Kadriu, në disa vende të sigurta, në mënyrë që këta ekzemplarë kryesisht të botuar në shqip para Luftës së Dytë Botërore, të mbrohen nga dora shkatërrimtare e vandalistëve serbë.

Çështje tjetër që e preokuponte Z.Balaj ishte dhe numri i madh i të rinjve krijues nga Llapi,të cilët në mungesë iniciativash rrezikonin prirjet e tyre në letërsi dhe art.

Në mënyrë që të ruhet afiniteti krijues i këtij brezi më 1993 fillon mbajtja e takimeve kulturore dhe letrare“Kadri Kadriu”

Këto takime kanë nxjerrë në pah krijues të njohur llapjanë të zhanreve të ndryshme të artit dhe letërsisë.

Kritiku dhe romancieri Fatmir Halimi nga Dumnica e Podujevës, vitin e kaluar, në një konkurrencë tejet të fortë me romanin e tij “DY VDEKJE TË NJË JETE”fitoi çmimin“Anton Pashku” të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Halimi me plot të drejtë mund të quhet edhe si poet i brezit të tronditjeve nga luftërat dhe trysnitë ekonomike që i shkaktonte regjimi represiv dhe vrasës i Serbisë.

Eco Higjiena

Vetë autori i romanit që mori shpërblimin për veprën më të mirë nga fusha e letërsisë pohon se ky roman është sajuar nga ngjarje të Luftës në Kosovë.

Ndërkohë me nismën e z.Balaj për krijuesit e vegjël llapjanë organizohet edhe çmimi letrar “Vehbi Kikaj”, i cili u nda nga jeta më 1986, duke lënë boshllëk të madh në letërsinë tonë për fëmijë.

Gjithashtu ide e z.Balaj ishte edhe “Java e Artit Pamor në Llap”. Në këtë ekspozitë artistët figurativ të Llapit, pikasën vepra që pasqyronin realitetin historik nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë.

Kurse për dashamirët e artit skenik më 1994 themelohet teatri alternativë i qytetit të Podujevës, i pagëzuar me emrin e aktorit të mirënjohur llapjan “AVDUSH HASANI“.

Në një kohë kur nga jeta dhe vdekja ndante vetëm një fije floku z.Balaj pas disa përgatitjesh në segmente të nevojshme së bashku me mbështetësit e Qendrës për Kulturë të Podujevës e iniciojnë botim e monografisë “TRASHEGIMIA ETNOKULTURORE DHE HISTORIKE E LLAPIT” i cili libër në formë studimesh shkencore doli në dritë më 1995.

Përveç vëllezërve Feriz, Shefqet dhe Muhamet Ymeri, pronarë të ndërmarrjes “Galantaria”në Podujevë, botimin e kësaj vepre e kanë ndihmuar me mjete edhe disa mërgimtarë tanë në Zvicër, të organizuar nga veprimtari Shefqet Hajdar Cakiqi.

Kjo vepër për shumëçka e veçantë i theu kufijtë provincial duke përfshirë në të njerëzit më eminent të shkencës, kulturës dhe të artit nga mbarë Kosova.

Ndërkaq, më 1996 Qendra e Kulturës e Podujevës në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, botoi librin me vlerë të jashtëzakonshme të Dr. Bajram Krasniqi ”INTELIGJENCIA LETERSIA DHE REALITETI.”

Kritiku, studiuesi, eseisti dhe historiani i letërsisë sonë Dr.Bajram Krasniqi, pati vdekur më 9 nëntor 1990, në moshë tepër të re, në kohën kur synonte kulmin e dijes dhe të pjekurisë intelektuale.

Andaj, vepra e cituar e lënë në dorëshkrim është botuar pas vdekjes së tij Z.Balaj gjithnjë inventivë e i palodhshëm asnjëherë nuk i lë vend dëshpërimit. Ai më 1997 tubon krijuesit e vegjël në festivalin “BUKUREZAT“ me çfarë e thyen përfundimisht heshtjen e tyre.

Kjo ngjarje kulturore dikur e mbajtur nën okupim tani është kthyer në festival tradicional.

Edhe pse Kosova ishte aneksuar nga forca policore dhe ushtarake të Serbisë, Qendra e Kulturës e Podujevës, e udhëhequr nga z.Nexhmi Balaj, botoi librin me ese, trajtesa dhe vështrime “Gramatika e Fshehtë e Motiveve” të autorit Kujtim Rrahmani.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve krijuese pas çlirimit të vendit z.Balaj themeloi çmimin letrar “Afrim Maliqi”.

Në nderim të jetës dhe veprës së këtij gazetari, poeti dhe intelektuali të njohur më 2007, Qendra e Kulturës në komunën e Podujevës, e botoi të përmbledhur në recensione, ese dhe publicistikë veprën e plotë të Maliqit.

Kjo punë me vlerë u arrit falë bashkëpunimit shembullor të zotit Munish Hyseni me zonjën Sevdie Rexhepi Maliqi, bashkëshorte e dëshmorit, e cila shumicën e shkrimeve të Afrimit, kishte arritur t’i ruajë të paprekura nga dora e shovinistëve serbë.

Afrim Maliqi, vritet më 2 dhjetor të vitit 1998 në Prishtinë, në një pritë të organizuar nga policia sekrete e Serbisë, së bashku me Hyzri Hamdi Tallën dhe Ilir Hilmi Durmishin.

Ai dhe Bajram Kadriu konsiderohen ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të z.Nexhmi Balaj.

Si një ngjarje e veçantë kulturore nga fusha e sportit ku me merita është edhe Nexhmi Balaj, cilësohet edhe turniri tradicional në boks ”DITËT E ZAHIRIT”.

Këtij manifestimi sportiv që i dedikohet veprës së lavdishme të heroit dhe themeluesit të UÇK-së, Zahir Qerim Pajaziti, pa kurrfarë hezitimi dritën e gjelbër ia pati dhënë z,Balaj.

Balaj i dashuruar në punën me të rinjtë më 2010, nga pozita e Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport është mbështetësi kryesor i krijimit të Asamblesë Rinore të Komunës së Podujevës.

Kurse një vit më vonë saktësisht më 25 janar 2011 z.Balaj bënë çmos që të krijohen kushte të duhura dhe prani e kënaqshme e njerëzve në promovimin e librave”Puset e Vdekjes në Kosovë” dhe “Çka ka ndodhur në Kosovë në vitet 1998-1999” të mikut tonë norvegjez Josef Martisen.

Ky autor fisnik me profesionalizëm dhe vërtetësi në këto dy libra përshkruan krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, pa shtuar dhe hequr as edhe një ashkël.

Një ngjarje të ngjashme Qendra Kulturore e Podujevës në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës e pati organizuar edhe mbi Luftën e Popullit Shqiptar në Kosovë, gjatë viteve 1944-1945, kundër pushtimit serbo-komunist.

Në këtë Luftë të përgjakshme patën humbur jetën mbi 50 mijë shqiptarë autoktonë të trevave tona.

Në mënyrë që të zbuten sadopak përjetimet dhe ankthet e luftës së fundit Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, e udhëhequr për dy dekada nga z.Nexhmi Balaj, çdo vit bën edhe zgjedhjen e sportistit më të mirë të vitit në komunën e Podujevës.

Përveç këtij solemniteti në këtë qytet që shtrihet në veri-lindje të Kosovës, mbahet edhe maratona e përvjetshme e atletikës, me fille në vitet e 90-ta.

Në këto gara të karakterit nacional marrinë pjesë përfaqësues të dyja gjinive, meshkuj dhe femra.

Garat zhvillohen në të gjitha disiplinat e atletikës, dhe zgjojnë kureshtjen e adhuruesve të këtij sporti jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj.

Atletika e cilësuar si mbretëresha e sporteve në vendin tonë ka arritur nivel të kënaqshëm, falë edhe sukseseve të njëpasnjëshme të atletëve dhe atleteve të Llapit, që në shumë disiplina kanë arritur rezultate të shkëlqyera.

Më 2009 këtë jubile sporti e pati bërë edhe më madhështor prania e grupit muzikor “Qunga Ornare”nga Suedia, në krye të së cilit ishte këngëtarja me famë botërore Johnny Sellmar.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme po ashtu iniciativë e z.Balaj është edhe Kampi veror “Murgulla” i cili tubon të rinj e të reja nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Fëmijët me prirje në poezi, prozë apo edhe dramë kanë pasur mundësinë që punimet e tyre t’i prezantojnë në “Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë”. Me këtë rast puna e tyre është vlerësuar nga njerëz eminentë të kësaj fushe.

Nexhmi Balaj nga e djathta në këmbë

Në periudhën kur Nexhmi Balaj, ishte në krye të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport të komunës së Podujevës, pati një bashkëpunim të ngushtë edhe me krijuesin në mërgim Shefqet Dibrani, i cili për nevojat e lexueseve llapjanë ia pati dhuruar bibliotekës qendrore të këtij qyteti disa ekzemplarë librash, në gjuhën shqipe dhe gjermane.

Në kuadër të kësaj Qendre Kulturore janë botuar edhe shumë libra dhe monografi të fushave të ndryshme të shkencës, kulturës, artit dhe sportit, që autorë kanë kryesisht krijuesit nga Llapi.

Nexhmiu si njeri i mishëruar me artin,kulturën dhe sportin edhe pas pensionimit të merituar jep kontributin e tij,duke ndihmuar vullnetarisht Shoqata Kulturore dhe Klube Sportive të Podujevës.

Prandaj, me të drejtë mund të thuhet se Balaj, së bashku me një grup të rinjsh llapjanë ishte ai që e mbajti ndezur pishën e dijes dhe të kulturës sonë kombëtare, në kohërat më të vështira të historisë sonë.

Kjo punë kaq e dinjitetshme dhe më shumë sakrifica e Z.Balaj,dhe e bashkëpunëtorëve të tij meriton nderim dhe respekt të përhershëm nga brezat e tashëm dhe ata të ardhshëm./arif ejupi/rajonipress/