RCCOLA

Nevzati: LDK-ja vazhdon të mbetet e pa reformuar

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – LDK dhe njerëzit në të, janë po ata të njëjtit që kanë qenë edhe më parë, të pa reformuar dhe të pandryshuar në konceptet e tyre zhvillimore. Prandaj qytetarët me votën e tyre i kanë dënuar dy herë radhazi në zgjedhje dhe do t’i dënojnë në vazhdimësi në të gjitha nivelet ka thënë Bujar Nevzati drejtor i arsimit.

Lidhur me deklarimet akuzuese të LDK-së në Gjilan se po detyrohen arsimtarët dhe personeli shkollor, nga Drejtoria Komunale e Arsimit, për të bërë pagesën e tatimit në pronë, drejtori i kësaj drejtorie, Bujar Nevzati, ka deklaruar se si drejtori vetëm janë duke e zbatuar ligjin për tatimin në pronë dhe qëndrimin programorë të Komunës, e të cilat veprime janë konform ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Ne si pozitë nuk presim asnjëherë asgjë të mirë nga LDK-ja, për arsye se qytetarët e Gjilanit e njohin mirë punën që ata kanë bërë gjatë qeverisjes shtatë vjeçare me Komunën tonë dhe me Kosovën. LDK dhe njerëzit në të, janë po ata të njëjtit që kanë qenë edhe më parë, të pa reformuar dhe të pandryshuar në konceptet e tyre zhvillimore. Prandaj qytetarët me votën e tyre i kanë dënuar dy herë radhazi në zgjedhje dhe do t’i dënojnë në vazhdimësi në të gjitha nivelet” ka thënë Bujar Nevzati drejtor i arsimit.

RCCOLA

Nevzati ka thënë se ne si qeveri në nivelin lokal vetëm po e zbatojmë ligjin mbi tatimin në pronë, të nxjerrë nga niveli qendror, që është kushtetues, dhe është obligim për ta zbatuar nëpër Komuna, e i cili thotë se çdo qytetarë i Republikës së Kosovës, është i obliguar që ta paguaj tatimin në pronë. “Në të kundërtën shteti ka hapat e tij të realizimit të kësaj të drejte ligjore dhe kushtetuese, si bllokimin e llogarive bankare apo edhe konfiskimin e pasurisë. Ne këtë po e kërkojmë nga të punësuarit, të cilët marrin pagat nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe ky buxhet realizohet – mbushet, nga obligimet shtetërore që i kryejnë qytetarët e vendit. Kemi të punësuar Shërbyes Civil apo edhe arsimtarë të cilët që nga viti 2000 që nuk kanë bërë asnjë cent, pagesë në buxhetin e shtetit, ndaj për këtë kategori dhe për t’i trajtuar barabarësish të gjithë të punësuarit dhe tatim paguesit ne kemi ndërmarrë këta hapa ligjor” ka sqaruar Nevzati.

Nevzati ka shtuar se nuk është në etikën e një intelektuali në këtë rast punëtori (staf shtetëror) i cili merr pagën nga shteti dhe të kërkoj që shtetit mos t’ia paguaj obligimet që ai ia ka caktuar paraprakisht. “Nëse këtë nuk e kërkojmë fillimisht nga punëtorët që marrin pagë shtetërore, si ta bëjmë atëherë zotërinj të nderuar nga LDK një gjë të tillë ndaj qytetarëve tanë që nuk kanë asnjë të punësuar. Ne do të vazhdojmë ngadalë dhe kujdesshëm me secilën kategori të tatimpaguesve. Është obligim i yni që nismat t’i bëjmë nga vetvetja e pastaj të ecim tutje”, ka thënë ndër të tjera drejtori i Arsimit Bujar Nevzati.

Ndërsa lidhur me shqetësimet tjera të LDK-së se DKA po bënë punësime të njëanshme dhe militante, drejtori Nevzati, ka thënë se të gjitha punësimet në DKA, janë konform ligjit për pranimin e kuadrit në arsim dhe kritereve të miratuara në komitetin e arsimit dhe jam i gatshëm që për të gjitha punësimet nga viti 2010 kur e kamë marrë detyrën e drejtorit të Arsimit e deri sot, të ballafaqohem me argumente me të gjithë të interesuarit e Komunës dhe më gjerë. “Ne edhe ashtu pas pranimit të kuadrit kemi lënë gjithnjë hapësirë për ankesa dhe parashtresa, apo edhe mundësin që secili kandidat i cili nuk e ka arritur qëllimin e pranimit në punë, të vij tek ne në drejtori dhe të poentoj vetveten me atë që është pranuar para tij. Jemi Komuna më transparente në Kosovë, këtë nuk e themi ne, por e kanë thënë vazhdimisht institucionet relevante vendore dhe ato ndërkombëtare” ka thënë Nevzati./rajonipress/