Nevzati: Aventurat e Haxhi Lutës

Gjilan – Pamundësia e kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri për formimin e ekipit të ri qeverisës, nuk ka të bëjë aspak me konsultimet e tij apo me kinse gatishmërinë e tij për të bashkëqeverisur me subjektet tjera politike, OJQ-të e grupe të interesit, por është një lojë e tij për të blerë kohë, sepse e vërteta është krejt ndryshe dhe shume problematike thotë Bujar Nevzati këshilltar komunal nga radhët e PDK-së.
“E vërteta e Lutës është se ka telashe shumë serioze me disa nga drejtorët e tij të deritashëm, të cilëve iu janë ngritur aktakuza nga Prokuroria Themelore e Gjilani për keqpërdorime, e të cilët e kanë nuhatur kryetarin e tyre Lutfi Haziri se këto aktakuza i ka bashkë koordinuar me akterët e drejtësisë, si formë më e lehtë e lirimit të pozitave udhëheqëse në disa nga drejtoritë komunale. Pra, Lutfi Haziri në një formë tani është i shantazhuar nga drejtorët e tij të deritanishëm, me të cilët ka bërë biznes të jashtëligjshëm gjatë katër viteve të kaluara, duke përfituar për interesa të ngushta personale dhe klanore. Krejt të kota janë lojërat e tij të tanishme, kinse ai është në bashkëbisedime me subjektet e tjera politike për të bashkëqeverisur” shprehet Bujar Nevzati.
Sipas Bujar Nevzatit, Partia Demokratike e Kosovës është përcaktuar shumë qartë, se do të jetë opozitë konstruktive në interes të qytetarëve, sikurse që votuam ndryshimet statutore, por nuk do të jetë asnjëherë dhe në asnjë formë pjesë e lojërave të ulëta që i bënë kryetari i Gjilanit./rajonipress/