Nëse Thaçi shkon më 17 janar në takim me Daçiqin, legjitimohet Platforma

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Sot, Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në lidhje me dokumentin më të fundit, të quajtur Platforma për Kosovën, të paraqitur publikisht nga institucionet e Serbisë si dhe për memorandumin e mirëkuptimit në lidhje me zbatimin e IBM, pjesa për doganat.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se kjo Platformë nuk është tjetër veçse artikulim i politikës së pandryshueshme hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

“Ashtu siç i kemi shpjeguar ne gjithnjë këto synime armiqësore të Serbisë, qëllimi është që të krijohet një shtet i Serbisë brenda territorit të Kosovës. Serbia po kërkon që kjo pjesë e territorit të Kosovës të qeveriset nga Beogradi, si dhe të ketë autonomi në qeverisje, polici, drejtësi etj, të gjitha këto ingerenca tipike të sovranitetit dhe shtetësisë. Nuk ka dyshim se një plan i tillë mund të quhet si fundi i shtetit funksional të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca.

Tutje ai tha se nuk është aspak e këndshme se si BE-ja nuk u prononcua për këtë Platformë antishqiptare dhe kundër Republikës së Kosovës.

“Kjo është e çuditshme kur e dimë se sa me zell BE-ja deklarohet kundër demonstratave të qytetarëve që i kundërshtojnë negociatat e padrejta me Serbinë. Përderisa BE-ja të mos merr qëndrim të hapur kundër këtij dokumenti të Serbisë, ne gjithnjë do të kemi të drejtë të mbetemi të shqetësuar dhe me dyshimin se një dokument i tillë mund të shërbejë si njëri prej pozicioneve në një dialog për veriun e Kosovës në të cilin do ta paraqiste pozicionin e vet edhe Kosova si palë. Nëse kjo ndodh Kosova automatikisht do të ishte e humbur, sepse korniza e tillë e dialogut do të nënkuptonte që kompromisi do të na çonte automatikisht përtej Planit të Ahtisaarit, edhe ashtu të dëmshëm për konsolidimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës”.

Konjufca tha se me përputhje me deklaratat e kryeministrit duhet të jenë edhe veprimet e ardhshme. “Qeveria e ka shumë kollaj të na tregojë dhe të na bind se kjo Platformë është kundër Kosovës. Le të mos shkojnë më 17 janar në bisedime me këtë Serbi milosheviçiane dhe raciste. Nëse janë evropianë, le të mos e bisedojnë bashkë me Serbinë këtë plan antievropian”.

Mobi Casa

“Nëse Qeveria shkon më 17 janar në takim me Daçiçin, ku do të hapej edhe tema e veriut të Kosovës dhe Platforma e Serbisë, ky do të ishte pranim automatik i pazarit për veriun. Kjo do të ishte një shenjë shumë e keqe e pranimit që pushteti sovran republikan brenda territorit tonë të ndahej me Beogradin”.

Në anën tjetër, nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti tha se kryeministri na tregon ne Serbinë, pra se kush është Daçiqi e Nikoliqi, ndërsa në anën tjetër, atje në bisedime, pranon që një pjesë e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe një pjesë e territorit të Republikës së Kosovës të jetë e liruar nga takimet.

“Autonomia brina nuk ka. Me këtë se çka ka ndodhur me doganat, duhet ta bëjmë një dallim shumë të madh se çka kemi pasur më herët dhe çka kemi tash, duke pasur parasysh pretendimet e disave që thonë se “në rregull se ata ashtu kështu kurrë nuk kanë paguar tatime”. Duhet ta kuptojmë që tjetër është të thuash se dikush në Kosovë u shmanget tatimeve, kemi probleme momentalisht se nuk po mundemi t’i mbledhim, e tjetër është të dalë qeveria dhe të thotë “po i lirojmë një pjesë të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga tatimet”.

Sipas tij, pse ne këtu sot duhet të paguajmë tatime nëse një pjesë e qytetarëve lirohen nga tatimet, edhe atë për arsyen e vetme, sepse ata nuk e respektojnë shtetin e Kosovës.

“A e kemi ne të qartë se çfarë asimetrie po krijohet tani në Kosovë, kur faktikisht shpërblehet mosrespektimi i shtetit të Kosovës, ndërsa ndëshkohet respektimi dhe dashuria ndaj shtetit të Kosovës. Ne që duam ta shohim shtetin e Kosovës si funksional, duhet të paguajmë tatime, ndërsa ata që e shajnë, nuk e pranojnë e nuk e respektojnë, lirohen nga tatimet. Nuk ka lidhje a është për 10 ditë, nuk ka lidhje a është deri me 10 janar. Vetë fakti se dikush nga Qeveria e Kosovës pa të drejtë kushtetuese del dhe thotë se “ata kanë të drejtë të mos paguajnë tatime”, shkel të drejtat tona si qytetarë. Nuk ka gjykatë apo njeri në botë që është për barazi dhe që e pranon një gjë të tillë”, tha Ahmeti. (ORAinfo)