Nëse pini duhan, mbase vuani nga sëmundja e melanozës, ndërsa për këtë as që jeni të vetëdijshëm

/ 3 minuta lexim

Pirja e duhanit ka shumë më tepër implikime shëndetësore se sa shumica e njerëzve e kuptojnë.

Melanoza e duhanpirësve është vetëm një ndër rreziqet potenciale nga pirja e duhanit. Simptoma kryesore e melanozës është shfaqja e njollave të errëta në lëkurë dhe në mukozë. Ky është një proces beninj, mirëpo njerëzit ndonjëherë e ngatërrojnë me kancerin oral. Të dy këto sëmundje i karakterizojnë njolla të errëta në gojë.

Melanozën e karakterizon shfaqja e njollave të errëta në gojë, kryesisht në mishin e dhëmbëve. Kjo është sëmundje beninje dhe reversibile.

Sipas shkencëtarëve, këtë sëmundje e shkakton pirja e duhanit apo më rrallë përtypa e duhanit. Nuk ekzistojnë faktorë gjenetikë të cilët ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundjeje, transmeton Telegrafi.

Melanoza shfaqet sepse komponentë të ndryshme të duhanit stimulojnë melanocitet e mukozës. Melanocitet janë qeliza përgjegjëse për prodhimin e melaninës, e cila përcakton ngjyrën e lëkurës sonë.

Sipas mendimit të ekspertëve, rreth 30% e të gjithë duhanpirësve vuajnë nga melanoza. Faktorët që ndikojnë më shumë në zhvillimin e kësaj sëmundjeje janë kohëzgjatja e pirjes së duhanit, si dhe sasia e duhanit të konsumuar.

Mobi Casa

Përveç kësaj, melanoza shoqërohet shpesh me erë të keqe të gojës dhe zverdhje të dhëmbëve. Në parim, ky është një problem thjesht estetik. Megjithatë, problemi është se zhvillimi i sëmundjeve më të rënda, siç është kanceri, mund të anashkalohet për shkak të melanozës.

Melanoza e duhanpirësit: diagnoza

Mënyra e vetme për të dalluar melanozën e duhanpirësit nga një sëmundje tjetër është një biopsi. Idealisht, pacienti duhet të ndërpresë duhanin përpara se të kryhet biopsia.

Në rastin e melanozës, pasi të hiqni qafe këtë zakon të keq, njollat do të zhduken me kalimin e kohës. Siç e përmendëm, ky është një problem i kthyeshëm, megjithëse mund të duhen vite për t’u shëruar.

Melanoza është një sëmundje beninje, megjithatë, nëse pini duhan, është shumë e rëndësishme të konsultoheni me mjekun nëse dyshoni për të. Është e nevojshme të zbulohet se çfarë i shkakton njollat: melanoza, një proces malinj ose një sëmundje tjetër.

Përveç kësaj, duhani në çdo formë duhet të shmanget. Të gjitha substancat që përmbahen në të kanë një efekt negativ në trupin tonë. Kjo është arsyeja pse duhet të mendoni për forma të ndryshme terapie, ilaçe dhe mënyra të tjera për të hequr qafe këtë zakon. /Telegrafi/