Fundamenti

Nëse më jep kohë, do të arrijë gjithçka

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Gani Sadiku – Interpretimi mistik i një fenomeni, braktiset sapo ai mund të shpjegohet shkencërisht. Në mënyrë analoge, përpjekja për të zgjidhur një problem çfarëdo qoftë ai, duke iu drejtuar qiellit, braktiset sapo problemi mund të zgjidhet në tokë. Zhvillimet shoqërore, nuk janë pjekuri koherente, por nevojë ekzistenciale, dhe kuptim real i jetës dhe sfidave të saj.

Ai i cili kërkon zgjidhjen e enigmave nga qielli, ndërsa shoqëritë e kohëve moderne i kanë zgjidhur kaherë ato, destinohet të farkëtohet me rrëmimet e kohëve për t’i luftuar të arriturat e dërguara enkas për shoqëritë njerëzore.

Se ne, u përkasim shoqërive që kokën e mbajnë në qiell dhe i përbuzim të mirat në tokë duke shkelur mbi to, na tregon rruga nëpër të cilën ecim, e që në vend se ta shtrojmë duke e bërë të përshtatshme për vete, e shndërrojmë në një labirinth të pa kalueshëm ose në enigmë të pa zgjidhshme, deri në ngecje mistike me lëvizje atrophike të pakuptimta si në shoqëritë mesjetare.

Çka është edhe më e keqja, kur ne nuk kërkojmë vetëm nga qielli, por edhe nga perëndimi, të na lënë të qetë në parazitizmin tonë, dhe kërkojmë mirëqenien që ata e kanë arritur me punë, ndërsa ne e mbulojmë me gënjeshtra.

Shoqëria jonë, jeton në ëndrra permanente, dhe vetëlavde, që zakonisht mbulohen me varfëri, dhe papunësi gjenetike, duke krijuar probleme sociale.

Ne lidhemi pas miteve të rreme dhe pas akuzave të shpifura, duke legjendarizuar realitetin, për t’i larguar kohët, që mundësojnë lidhjen organike të individëve me historinë e trilluar…. Duke lavdëruar vetë-vetën, dalim kombi më i “zoti”, që gjatë historisë, humbi 60% të territorit dhe 70%-in, e popullsisë, që krijoi armiq nga pazotësia dhe paaftësia e veprimeve në hapësirë dhe në kohë.

Zhvillimi ynë evoluoi të jetë zhvillim me metamorfozë, duke mos u përngja ne paraardhësve, dhe as pasardhësit neve,.. por e mitizuam veten me këngë e libra të “vërteta” të vulosura me “vërtetësinë” e kohëve të shtypjes dhe diktateve në sistemet shtypëse, në të shumtën e herave të krijuara nga vet soji i ynë. Me një fjalë, ne jemi “me fjalë si Demushi e me punë si kërkushi” thotë populli, që si tregues kujdestare e këtyre dobësive, e kemi Shqipërinë e cila qe 104 vite pavarësi, është shtypur sistematikisht nga vetëvetja, dhe e shkallmuar nga idiotësitë politike, ende nuk është në gjendje t’i organizojë 1000 ushtarë në një komandë lakmuese dhe pa antagonizma të brendshëm, në mënyrë të dinjitetshme (siç bëjnë kombet që krijojnë vlera njerëzore) e t’i drejtojë në ndonjë mision në dobi të vendit e kombit.

Kjo papërgjegjësi, u instalua në shoqërinë shqiptare nga maoistët enveristë, në Shqipëri dhe nga LPK-istët, në Kosovë, që në çdo kohë imponohen si të domosdoshëm, si bajraktarë, si luftëtarë, si të burgosur, si çlirimtarë e shpëtimtarë të kombit, si servilë, si shpiuj, si bashkëpunëtorë te okupatorëve, si pakurrizorë, si të ndershëm, e si gjithçka për ta imponuar paditurinë tek vegjëlia dhe injorancën tek shtresat e larta, e më pas t’i ndrydhin ndjenjat kombëtare nën parullat nacionaliste e patriotike folkloriste.

Eco Higjiena

Se ne jemi më të “zotët” e themi ne, për vete; ndërsa për “zotësinë” tonë, flasin faktet historike dhe komporacionet me kombet që jetuan në hapësirën tonë. T’i marrim serbët si një popull që dëshmojnë zotësinë dhe unitetin e tyre, në formën e organizimeve shoqërore, e cila ua mundësoi ruajtjen e lumenjëve të mëdhenjë si; Danubi, Sava e Tisa, rreth të cilëve gjatë historisë zhvillohen beteja më të ashpra për përvetësime territoriale.

Loja e lidhjeve të tyre “historike”, herë me lindjen e herë me perëndimin, na e kujton atë thënjen “qingji i butë i thithë dy nana kurse i egri mbetet pa asnjërën”. Armiqësitë që ne tradicionalisht i krijuam me të fortin, ka quar ujë në mulli të serbëve, dhe si pasojë kemi humbur territore për më shumë se 700 vite të fundit, në vazhdimësi.

Politikat që ne i kemi udhëhequr, kanë qenë disproporcionale me realitetet shoqërore, dhe asimetrike në kuptimin e mbajtjes gjeografike.

Gjithmonë kemi qenë në antagonizëm me gjeneratat e reja, duke krijuar shtresa sociale armiqësore në raport me vetveten.

Këto shtresa sociale jashtëzakonisht dinamike, kanë pasur nevojë në fund, për një formë të re politike, të cilat do të ishin në gjendje të mbrojnë dhe të mbështesin interesat e tyre, në radhë të parë duke centralizuar në dobi të përgjithshme forcën dhe ekonominë.
Shembulli më i freskët është formalizimi i parimit të sovranitetit kosovar, duke pasur parasysh aktin themelues të shtetit modern, i cili do të mbërrijë vetëm në fund të “luftërave të klasëve politike”, një nga pështjellimet e kobshme e më të dhunshme të ekuilibrave politikë ndër shqiptare.

Tranzicionet shoqërore janë të dhimbshme në shoqëritë e ngritura, ndërsa në shoqëritë e vogla dhe të prapambetura, tranzicionet janë më të vështira se lindjet, dhe bëhen të pamundshme pa ndihmën e popujve të mëdhenj. Një tranzicion i gjatë bëhet i turbullt, dhe do të jetë i nevojshëm para se tatëpjeta ta shtyjë kombin në historinë e pakthim. Për të mos ndodhur më e keqja, çdo politikan apo udhëheqës, do duhej të jetë i shtrënguar të pranojë edhe autoritetin e ligjit dhe pastaj “vullnetin e kombit” që e “përfaqëson”.

Rezultati i këtij tranzicioni, për të përdorur fjalët e Joseph Ratzinger-it, është mospranimi i “themelit të shenjtë të historisë dhe të ekzistencës shtetërore” dhe braktisja e “dorëzanisë hyjnore si normim hyjnor i elementit politik”. Brengosëse në rrjedhat shoqërore, nuk është shkalla e korrupsionit as e kriminalitetit, por shkalla e vetëdijes, që sjell neglizhencën e faktorit kohë, e cila duhet të jetë konvergjente me vektorët e zhvillimit shoqërorë. Nëse nuk e vlerësojmë faktorin kohë, si një nga faktorët më me rëndësi në jetën e çdo krijese, atëherë për ne, si individ, si shoqëri apo edhe si komb, kurrë nuk do të jetë vonë./rajonipress/