Fundamenti

Nëntoka e parapollitika e kanë zaptuar shtetin

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Duke u nisur nga faktet dhe të dhënat, që nxjerrin të gjitha parametrat e vlerësimit të performancës së klasës politike qeverisëse në Kosovë, del se pushteti po funksionon në dy binarë, në atë formal dhe joformal. Është një perceptim edhe politik, por edhe analitik se në Kosovë pushteti joformal në Kosovë ka rolin kryesor, që udhëhiqet dhe bëhet nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, dhe madje ky pushtet është më i fortë sesa vetë pushteti formal.

PUSHTETI INFORMAL, MË I FORTË SE AI FORMAL

Smaka: Në vendin tonë, virtualisht ekzistojnë dhe koekzistojnë dhe kohabitojnë në dy pushtete, pushteti zyrtar dhe pushteti informal

“Pushteti legal funksionon vetëm në letër, ngase të gjitha instancat janë të formuara për t’u mbushur e për t’u stërmbushur me njerëz të parapolitikës. Pra, ky është kulmi i dështimit të kësaj kaste politike, ngase shteti udhëhiqet vetëm virtualisht nga politika legale, kurse formalisht dhe realisht nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Grupet dhe bandat e krimit ekonomik dhe politik, të cilat i zhvilloi politika, duke udhëhequr të gjithë mekanizmin e shtetit real, sjellin vetëm ditë ogurzeza për qytetarin”, theksoi për gazetën Ali Hertica.

Duke u nisur nga faktet dhe të dhënat, që nxjerrin të gjitha parametrat e vlerësimit të performancës së klasës politike qeverisëse në Kosovë, del se pushteti po funksionon në dy binarë, në atë formal dhe joformal. Është një perceptim edhe politik, por edhe analitik se në Kosovë pushteti joformal në Kosovë ka rolin kryesor, që udhëhiqet dhe bëhet nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, dhe madje ky pushtet është më i fortë sesa vetë pushteti formal. Si rrjedhojë edhe pushteti politik, ekonomik dhe represiv realisht dhe në fakt del se është në duar të disa mafio-politikanëve dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar, të cilët udhëheqin me çdo gjë në hije, bile udhëheqin me të gjithë mekanizmat e pushtetit, ndërkaq që pushteti real virtual është kryesisht një mbulesë formale, shkruan gazeta Kosova Sot.

Uji Dea

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, konsideron se në shtetin tonë nuk sundon e drejta, prandaj edhe nuk kemi shtet të së drejtës, por sundimi i mafisë dhe krimit të organizuar. “Politikanë të caktuar, që nuk dinë apo nuk duan të dinë se ç’është shteti i së drejtës, shpeshherë theksojnë se Kosova është shtet juridik! Zaten në këtë të fundit kanë të drejtë, ngase secili shtet është shtet juridik për aq sa ka kushtetutë, akte ligjore e nënligjore, sepse asnjë shtet nuk mund të ekzistojë pa ato akte juridike të përgjithshme, por, në anën tjetër shtrohet pyetja se çfarë aktesh juridike janë dhe sa zbatohen të njëjtat nga mekanizmat shtetërorë dhe politika pushtetore. Këtu qëndron dallimi mes shtetit juridik dhe shtetit të së drejtës. Në Kosovë përderisa jo pak dispozita ligjore në aplikim nuk përfillen, nga pushtetarët e caktuar, nuk mund të thuhet se Kosova është veç shtetit juridik edhe shtet i së drejtës. Përderisa krimi dhe korrupsioni nuk luftohet në masën e duhur, aty nuk ka shtet ligjor. Tregu është i monopolizuar kryesisht nga eksponentë qeveritarë të privilegjuar, nepotizmi e klientelizmi lulëzon pa pengesa, postet publike i ushtrojnë persona jo në saje të meritokracisë, por të përkatësisë dhe afërsisë partiake e pushtetare influente e kundër atyre dukurive nuk zbatohen sanksione juridike. Me të gjitha këto rezulton e dhëna se në vendin tonë, virtualisht ekzistojnë dhe koekzistojnë dhe kohabitojnë dy pushtete, pushteti zyrtar dhe pushteti informal i zyrtarëve influentë në politikat ditore”, theksoi profesor Riza Smaka për gazetën “Kosova Sot”.

Ndërrimi i pushtetit duhet të bëhet përmes formës legale

Smaka thotë se shembulli më konkret është ekzistimi i Ligjit antimonopol, por që i njëjti nuk aplikohet referuar bizneseve të oligarkëve të caktuar e pushtetarëve. “Pra, në një situatë të tillë e të tjera të shumta të ngjashme, dalin dy pushtete në binarët paralelë e të ndryshëm, njëri formalisht e në parim në rregullat legale, i paefektshëm, e tjetri nën hije, por efektiv dhe për aq i parregullt, përkatësisht ilegal. Në këtë mënyrë, përderisa pushtetet publike nuk funksionojnë sa dhe si kërkohet, heshtin, qëndrojnë pasivë e rastet juridike të juridiksioneve të tyre kryhen jashtë suazave institucionale, rezultojnë dy pushtete paralele, nominali apo formali dhe ilegali apo informali, në anën tjetër”, u shpreh Smaka.

Me një gjykim të tillë pajtohen edhe deputetët opozitarë, Ismail Kurteshi nga “Vetëvendosje” dhe Ali Berisha nga AAK-ja. Ata besojnë se ndryshimi mund të ndodhë vetëm me ikjen e kësaj qeverisjeje aktuale dhe krijimin e një pushteti të ri të dalë nga zgjedhjet e reja. “Informaliteti, korrupsioni dhe krimi i organizuar po bëhet gjithnjë më i fuqishëm, sepse jo vetëm se nuk po luftohet, por edhe po përkrahet. Kjo po ndodh për arsye se informaliteti po kontrollohet, pra edhe po mbrohet nga pushtetarët aktualë. Kjo formë e pushtetit do të veprojë e papenguar, derisa të ndodhë një ndryshim cilësor në formën e udhëheqjes, e një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm kur në pushtet vijnë subjekte politike të udhëhequra nga njerëz të ndershëm, të vendosur dhe me vizion. Me pushtetarë që e kuptojnë se asgjë nuk është më e rëndë- sishme se bërja e një shteti ligjor dhe funksional si për individin, si për shoqërinë në tërësi. Një gjë e tillë do të ndodhë, atëherë kur qytetarët e Kosovës e kuptojnë se gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu, por se të gjithë duhet të kontribuojnë për arritjen e këtij synimi fisnik dhe shumë të dobishëm për vendin dhe gjeneratat, që do të vijnë pas nesh. Ndryshimet vijnë vetëm pas të ikë kjo kastë e korruptuar dhe të zëvendësohen me një formacion të gatshëm të punojnë për shtetin”, theksoi deputeti Ismail Kurteshi për “Kosova Sot”.

Kurse deputeti Ali Berisha u shpreh: ” Është e qartë që funksionimi ligjor e institucional i institucioneve të shtetit të Kosovës është bukur i hendikepuar, në shumë aspekte pushtetet më tepër udhëhiqen nga ajo shtresë që është joformale, joinstitucionale dhe ndoshta edhe shumë vendime merren në prapaskenat e caktuara, ndërsa ndonjëherë formalizohen në institucione, e ndonjëherë edhe nuk normalizohen as në institucione. Tani pushtet real del se më tepër është ai pushtet që është joformal”, theksoi Berisha për “Kosova Sot”. Sipas Berishës, ndërrimi i këtyre pozitave të ushtrimit të pushtetit nga ai joformal në pushtetin legjitim dhe të vetëm legal nuk mund të bëhet, derisa e kemi këtë klasë politike në pushtet, derisa vendi nuk shkon në zgjedhje të reja për të fituar një qeveri të re, që të gjitha proceset do t’i nisë nga një bazë nismëtare e pastër dhe e painkriminuar. “Mendoj që këtij pushteti aktual, të gjitha ato veprime që janë legale janë thuajse edhe të pazbatueshme, prandaj ky pushtet duhet të ndërrohet, e ndërrimi duhet të bëhet përmes formës legale, që janë zgjedhjet e lira. Që të dalë një pushtet tjetër i përgjegjshëm dhe ai pushtet ta ketë në fokus të prioritetit ushtrimin e funksionimit vetëm në binarët legalë, dhe jo deri më tani në dy paralele, ku vendimet më shumë janë marrë në formë ilegale dhe joformale sesa në ato legale”, theksoi ai./kosova sot/