Nënkryetarja Morina Bunjaku përshëndet themelimin e Këshillit të bizneseve, ofron bashkëpunimin e plotë të Komunës së Gjilanit

Gjilan – Është themeluar sot Këshilli i bizneseve të rajonit të Gjilanit, në ngjarjen ku mori pjesë nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, sikurse edhe përfaqësues të të gjitha llojeve të bizneseve të këtij rajoni.

Nënkryetarja Morina Bunjaku, në emër të kryetarit Alban Hyseni, e ka përshëndetur themelimin e këtij Këshilli, duke ofruar bashkëpunim të plotë të Komunës.

“Bashkëpunimi me bizneset e Anamoravës tashmë ka filluar dhe jemi të interesuar që ta bëjmë Zonën Ekonomike dhe t’u sigurojmë përfaqësim sa më të mirë afaristëve vendorë e ndërkombëtarë”, ka thënë Morina Bunjaku.

Ajo theksoi se duke marrë parasysh faktin që 35 për qind e gjilanasve jetojnë në mërgatë, do të interesohen si Komunë që t’u sigurojnë kushte për investuar në zonën ekonomike.

“Tashmë studimet e fizibilitetit kanë filluar, bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës është në nivelin e duhur dhe, siç e dini, Zona Ekonomike do të jetë e shtrirë në një hapësirë prej 100 hektarësh në pjesën e pendës së Livoçit, ku lidhet edhe me autostradën e cila besoj që do të përfundojë sa më shpejtë”, ka thënë nënkryetarja e Gjilanit.

Ndryshe, Këshilli i bizneseve i cili përfshinë Gjilanin, Vitinë, Kamenicën dhe Novobërdën, ka për qëllim që t’i bëj bashkë të gjitha llojet e bizneseve në mënyrë që së bashku të rrisin kapacitetet e njëri-tjetrit, të zhvillohet ekonomia e bizneseve dhe e rajonit, sikurse edhe të ndihmohet në zvogëlimin e nivelit të papunësisë./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS