RCCOLA

Nënat gjakovare të zhgënjyera me institucionet dhe ndërkombëtarët

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Shoqata “Thirrjet e nënave” në Gjakovë e cila mbledh rreth vetes nënat e të pagjeturve të kësaj komune, kanë mbajtur konferencën e fundvitit duke shprehur zhgënjimin që çështja e tyre nuk po merr zgjidhje.

Kryetarja e kësaj shoqate, Nesrete Kumnova, tha se zhgënjimi i tyre është ndaj institucioneve të Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë të cilët sipas saj nuk arritën që të dërgojnë përpara zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre.

Kumnova deklaroi se janë bërë dy dekada ankth e pritje me shpresa të thyera dhe premtime të parealizuara për kthimin e trupave të familjarëve të tyre në atdhe.

Pavarësisht rrethanave, Kumnova tha se si shoqatë gjatë këtij viti kanë organizuar aktivitete të ndryshme dhe vazhdimisht kanë kërkuar që të jenë pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në të gjitha proceset shtetërore qoftë në bisedime, qoftë në argumentimin e fakteve.

Për vitin që po e lëmë pas, ajo tha së kanë organizuar homazhe të të rënëve në data të caktuara, kanë pritur delegacione të ndryshme të cilat i kanë vizituar dhe kanë ndarë hallet e brengat e tyre.

Mobi Casa

Si aktivitet kryesor të këtij viti e të kësaj shoqate, Kumnova e përmendi tryezën me temën: “Dy dekada ankth e pritje – zbardhja e fatit të pagjeturve, peng i bisedimeve Kosovë-Serbi”, në të cilën morën pjesë përfaqësues nga institucionet qeveritare dhe joqeveritare dhe familjarë të personave të pagjetur.

Gjatë fushatës zgjedhore, ajo tha se kanë bërë apel duke dërguar mesazhin e nënave dhe familjarëve të të zhdukurve se zgjidhja e çështjes së personave të pagjetur duhet të jetë prioritet ndër prioritetet e Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës.

Ajo ka përmendur edhe vizitën e zv.ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Mathieu Palmer së bashku me zv.ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Nick Giocobbe e në një tjetër rast edhe të ambasadorit Philip Kosnett të cilët janë zotuar të punojnë ngushtë me këtë shoqatë në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve, të kompensohen dëmet e luftës dhe kriminelët të dalin para drejtësisë.

Në fund, Kumnova tha se pritjet dhe rënkimet e tyre do të pushojnë vetëm atëherë kur çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve do të mbyllet me rezultate pozitive dhe do të kthehen nga Serbia të gjithë trupat e bijave dhe bijve të tyre.