Fundamenti

Neki Emra: Vlerën e muzikës shqiptare nuk e kanë as evropianët

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Në këtë vit ka lansuar tri këngë, të cilat janë veçuar për tekstin, muzikën dhe videoklipet. Ky është Neki Emra, që tashmë ka një audiencë të gjerë, pasi që kultivon muzikën e mirëfilltë shqiptare. Ai në një intervistë për “KultPlus”, ka treguar se si i ka vënë mision vetes që gjithmonë ti qëndrojë besnik muzikës së mirëfilltë shqiptare. Ndërkaq, disa nga planet e vitit 2014, janë: lansimi i këngëve të reja, nxjerrja e një albumi, dhe të një koncerti live.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju këtë vit e shënuat me lansimin e disa projekteve muzikore që janë mirëpritur shumë mirë nga audienca, ju vetë sa jeni i kënaqur në mbyllje të këtij viti?

Neki Emra: Gjatë këtij viti kam realizuar tri këngë me tri videoklipe të cilat, me të vërtetë, arritën suksesin e tyre. Në fillim të vitit realizova këngën “Me heshtje mos më dëno”, – këngë e kompozuar nga Florent Boshnjaku me vargje të Albatros Rexhaj, pastaj për sezonin veror e lansova këngën- “Engjëll dukesh ti”- kompozim i Florent Boshnjakut dhe me vargje të Neki Emra, dhe se fundmi, realizova këngën “Një dhimbje mbete ti”, – kompozimi dhe vargjet Neki Emra, orkestrimi Florent Boshnjaku. Unë personalisht jam shumë i kënaqur me këtë vit, ngase me një stil plotësisht të veçante në tregun tonë arrita të pranohem ashtu, duke ofruar gjithmonë vlera muzikore, dhe kështu populli më pranoi që më bën edhe më të lumtur.

KultPlus: Transmetoni një muzikë të lehtë, baladë, me tekst të ndjeshëm dhe me videoklipe që përcjellin mesazh, duhet të jetë një vëmendje e madhe për të realizuar një projekt deri në këtë përpikshmëri, jeni ju vetë ai që kërkoni shumë deri në këtë përpikshmëri apo bashkëpunëtorët e tu?
Neki Emra: Një pyetje shumë e qëlluar. Unë kur të filloj realizimin e një kënge, në fakt para se të filloj, e di çfarë kam në kokë dhe çfarë dua. Pasi të dal kënga me orkestrim ashtu siç e dua, atëherë kërkesat orientohen drejt videoklipit, me qëllim që të kompletohet kënga sa më mirë. Në videoklipin e fundit unë e kisha shkruar edhe skenarin vet, dhe ashtu sikur e kisha kërkuar ashtu edhe më doli. Mirëpo po të mos e kisha ekipin profesional nuk do të arrija ti realizoj ato që kërkoja si në studio ashtu edhe në videoklipe. Kështu që dua ti falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi për profesionalizmin që e kanë.

KultPlus: Duket që vazhdoni të jeni adhurues i muzikës popullore, vlerave të saj, që shumë të rinj, nuk mund ti rezistojnë kohës dhe po kapërcejnë në zhanre të njohura botërisht. Sa jeni i qëndrueshëm që të mbeteni në këtë zhanër që edhe e kultivoni?

Neki Emra: Unë mendoj që muzika jonë shqipe është shumë e bukur. Ne kemi një pasuri të mbledhur ndër vite e shekuj. Është obligim i yni ta ruajmë, ta kultivojmë , ta ripërpunojmë dhe ta sjellim në mënyrën më të bukur që mundemi. Unë do te jem edhe më tutje një nga ata do të ruajnë muzikën shqipe, do ta sjelli gjithmonë në mënyrën time, dhe njëkohësisht do të prodhoj këngë të reja në stilin tim që ta kompletoj misionin tim të këngëtarit dhe kompozitorit, që tashmë më veç e kam marr.
KultPlus: Pastaj, këngët e lansuara nga ju, por edhe ato që i këndoni nëpër evente të ndryshme, janë të një stili, mendoni që viti tjetër do të ju sjellë më ndryshe?
Neki Emra: Unë jam i hapur me risi, por gjithmonë në aspektin pozitiv, duke ofruar vlera. Asnjëherë nuk do të këndoj të ashtuquajturën muzikë tallava, atë muzikë e kam stopuar me një vijë të trashë të kuqe, shumë të trashë. Gjersa, në të gjitha stilet mund të këndoj, të cilat janë dhe konsiderohen vlera. Ti cek vetëm disa: muzikë popullore, këngë të vjetra qytetare, balada, pop, rock …, të cilat më shkojnë dhe me përshtaten.

KultPlus: A mendoni se po bëhet mjaftë nga këngëtarët e rinj në përvetësimin e këngëve të vjetra shqiptare duke i përpunuar, apo, janë lënë në harresë?

Mobi Casa

Neki Emra: Unë personalisht mendoj që nuk po bëhet mjaft në këtë drejtim. Edhe pse ka një iniciativë nga disa këngëtarë që të përpunohen dhe ruhen këngët e vjetra. Por përsëri më duket e pamjaftueshme. Unë mendoj që këngët e vjetra duhet të përpunohen, në stile të llojllojshme, pasi që edhe po tingëllojnë shumë bukur. Shpresoj që do të shohim edhe më shumë këngëtarë që punojnë në këtë drejtim.
KultPlus: Sa vlerë artistike ka populli shqiptarë, gjithnjë në muzikën e vjetër shqiptare?
Neki Emra: Vlera e muzikës shqipe është e pakufishme. Në muzikën tonë kemi ritme 5/8, 7/8, 9/8, që në kulturën evropiane nuk ekzistojnë. Kemi muzikën polifonike të jugut e cila është unike në botë. Pra kemi shumë vlera vetëm, duhet ti ruajmë dhe kultivojmë sa më shumë në forma të ndryshme.

KultPlus: Ju personalisht a keni ndonjë projekt që do të mund ti risillni këto këngë për publikun, qoftë me ndonjë album apo me ndonjë projekt tjetër?

Neki Emra: Unë e kam një CD live me këngë të përpunuara, të realizuar dy vite më parë. Ajo CD e realizuar ka arritur një pëlqyeshmëri shumë të madhe, ku edhe tani për këtë Vit të Ri, kam shtypur edhe 1000 kopje të asaj CD-je, për ti dhënë dhuratë për të gjithë adhuruesit e këngës sime dhe këngës shqipe. Me qindra mijëra klikime këto këngë kanë edhe në youtube. Këtë vit po planifikoj të nxjerr versionin e dytë të kësaj CD-je dhe shpresoj që do ta lansoj gjatë vitit 2014.

KultPlus: Konkretisht, cili do të jetë projekti i radhës që do të sillni në vitin 2014?

Neki Emra: Pra vetëm njërin projekt e përmenda që dua ta lansoj gjatë vitit 2014, gjersa projektet tjera janë këto: planifikoj ti realizoj edhe dy këngë të reja, njëra në mars, gjersa tjetra ne shtator. Po ashtu në fund të vitit 2014, planifikoj ta realizoj një koncert madhështor, ku do ta lansoj edhe albumin tim të parë. Shpresoj që të gjitha këto projekte ti realizoj gjatë këtij viti me sukses. Gjithmonë me përkrahjen e të gjithëve. Besimin e kam në maksimum që do ta realizoj gjithë këtë agjendë të këtij viti.

KultPlus: Dhe për fund, sa jeni i kënaqur me krejt këtë laramani muzikore në vend?

Neki Emra: Muzika në vendin tonë mendoj që është në një zhvillim. Sa i përket kualitetit të incizimeve kemi përparim të dukshëm, pra studiot tona tani më ofrojnë kualitet të Sound’it, nëse mund të shprehem ashtu. Kemi stile të ndryshme në treg, kemi edhe muzikë të mirë, por kemi edhe muzikë jo të mirë. Pra është një treg pak i paorganizuar sa i përket llojllojshmërisë së muzikës, edhe pse, kemi shumë probleme në nivel të përgjithshëm të rritjes së kulturës së dëgjimit të muzikës. Por unë jam njeri optimist dhe mundohem ti shikoj gjithmonë anët pozitive të zhvillimit. E vetmja gjë që më pengon tani për tani është mungesa e festivaleve në Kosovë, siç ishte dikur “Akordet e Kosovës”, ose një festival i ngjashëm, i cili do të mbahet 100% live. Më duket që ka ardhur koha të realizohet. Dikush duhet të marr iniciativën dhe të realizohet një festival që do të ishte shembull në rajon, ngase, ne kemi ditur dikur shumë mirë të organizojmë, e pse të mos e bëjmë edhe sot./KultPlus.com