Mobi Casa

Në Viti situata e sigurisë vlerësohet e qetë e stabile

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Viti – Është mbajtur sot mbledhja e dytë e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku situata e sigurisë në komunën e Vitisë u vlerësua e qetë dhe pa eksese. Kryesuesi i këtij takimi zv.kryetari i komunës Hasan Aliu, ka bërë të ditur angazhimet e Institucioneve komunale në kontribut për situatë të qetë e stabile dhe bashkëpunim tejet të mirë me organet e rendit, respektivisht policinë.

Ai ka falënderuar gjithë akterët që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e manifestimit tradicional “Flakadani i Karadakut 2017” i cili është zhvilluar në suaza normale dhe pa ndonjë problem. Duke folur për situatën e sigurisë, komandanti i stacionit policor në Viti kapiten Agim Lipovica, ka thënë se policia është e përkushtuar në mbajtën e rendit dhe qetësisë publike, si dhe në parandalimin e rasteve që prekin sigurinë e qytetarëve. “Ne kemi marrë masa në shtimin e patrullimit nga ana e policisë në afërsi të shkollave, me që rast kemi pasur edhe 5 kontrolle të autobusëve, ku kemi konfiskuar një sasi të mjeteve të mprehta. Gjithashtu së bashku me njësitet e specializuara antidrogë, kemi arritur të kapim disa gram kanabis në Viti, e po ashtu pardje edhe në Pozheran, por që këtu nuk ka të bëjë me nxënës të shkollës. Tek kisha ortodokse në Viti, kemi pas patrullime dhe nuk kemi pasur ndonjë problem, ndërkaq janë shtuar dënimet në trafik, sidomos në parkingje të palejueshme”.

Imri Emërllahu koordinator i EVSB-së, ka paraqitur disa nga shqetësimet e qytetarëve të komunës së Vitisë si dëmtimet e shenjave të trafikut në disa fshatra, derdhjen e ujërave të zeza në një pjesë të qytetit të Vitisë, mos menaxhimin e rregullt të mbeturinave, funksionimin në mënyrë ilegale të disa lokaleve të natës etj.

Kurse përfaqësuesi i kishës ortodokse në Viti Zvonko Kostiq, ka konstatuar se përkundër disa shqetësimeve, situata e sigurisë është e volitshme. Ai ka përmendur si shqetësim ngasjen e veturave me shpejtësi më të madhe nga ajo që është e lejuar , në rrugën rreth kishës, por ka njoftuar edhe për një tentim vjedhje në kishë ditë më parë, për çka tha se është duke u marrë policia për zbardhjen e rastit.

UBT

Lidhur me dëmtimin e muralit në qendër të qytetit të Vitisë ditë më parë, Adnan Zenuni anëtar i KLSB-së ka thënë se veprat artistike siç është morali artistik i realizuar para dy vitesh, nuk po kanë siguri.

Sipas tij, ky avaz i dëmtimit të muraleve artistike ka ndodhë edhe më parë, andaj duhet marrë më seriozisht organet kompetente që kjo dukuri të parandalohet dhe të merren masa, ngase po dëmtohet imazhi i qytetit.

Hasan Aliu theksoi se para pak ditësh është nënshkruar një marrëveshje që ka të bëjë me rregullimin e ndriçimit ekzistues publik si në Viti, po ashtu edhe në fshatra. Kjo edhe ishte si rekomandim i mbledhjes së kaluar i KKSB-së, me që rast ishte kërkuar që të intervenohet ne riparimin e ndriçimit.

Aliu gjithashtu ka përmendur angazhimin e institucioneve komunale që në vazhdimësi ka realizuar projekte, që kanë të bëjnë me mirëqenien qytetare të të gjitha komuniteteve që jetojnë në komunën e Vitisë./rajonipress/