RCCOLA

Në shtator dihet numri i saktë i veteranëve

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Numri i saktë i veteranëve dhe i njerëzve të tjerë të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dihet në shtator, ka paralajmëruar udhëheqësi i Zyrës për Çështje të Veteranëve të Luftës në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), Faik Fazliu.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se ky komision deri në shtator të këtij viti do ta kryejë detyrën e tij dhe do ta nxjerrë numrin e saktë dhe përfundimtar të këtyre kategorive.

“Tash pritet që rregulloja e punës së këtij komisioni të miratohet. Shpresojmë se deri në shtator të këtij viti listat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës së UÇK-së të jenë të mbyllura. Pra, deri në atë kohë presim që këto lista të pastrohen dhe të kemi numër të saktë të këtyre kategorive”, ka thënë Fazliu.

UBT

Sa i përket fillimit të punës në terren nga ana e këtij komisioni, Fazliu ka bërë me dije se ky komision tashmë është plotësuar dhe së shpejti do ta fillojë punën në terren. Sipas tij, për fillimin e punës së këtij komisioni nevojitet vetëm edhe miratimi i rregullores së punës nga Qeveria e Kosovës, në të cilën do të përcaktohen kriteret dhe metodologjia mbi bazën e të cilëve do t’u njihet statusi kategorive të dala nga lufta.

Fazliu ka bërë me dije se edhe puna rreth kësaj rregullore është në përfundim e sipër.

“Kjo rregullore pritet të miratohet së shpejti në një nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, sepse në bazë të ligjit qeveria është e autorizuar ta miratojë rregulloren e punës së këtij komisioni”, është shprehur ai. /Telegrafi/