Fundamenti

Në shënjestër të Vuçiqit

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Presidenti i Serbisë i ka vënë në shënjestër gazetarët dhe mediat serbe në Kosovë. Atij nuk po i pëlqen si po raportojnë ata, po i dhemb që nuk mund t’i kontrollojë, po i dhemb e vërteta. Andaj po i linçon dhe etiketon, duke i shndërruar në shënjestër të lehtë për këdo që i beson verbërisht atij. Një retorikë e rrezikshme kjo, që mund të çojë në krim. Institucionet dhe shoqëria kosovare nuk duhet të heshtin.

Me muaj të tërë ia vizatuan shenjën në ballë dhe më në fund u vra. Lista Serbe, nga njëra anë dhe Beogradi, nga ana tjetër, thanë e ç’nuk thënë për Oliver Ivanoviqin, bënë e ç’nuk bënë që atë ta degradojnë e linçojnë në sy të serbëve. Gjithçka përfundoi me vrasjen e tij.

Të dyshuarit për vrasjen e tij, presidenti Aleksandar Vuçiq i mbron në Serbi. Për më shumë, tash po i shënjestron të gjithë ata që guxojnë të flasin hapur, ata që guxojnë ta denoncojnë krimin shtetëror të Serbisë. Siç po e cilëson një politikane nga Kosova.

Rada Trajkoviq, udhëheqëse e Lëvizjes Europiane të Serbëve, është vënë në shënjestër të Vuçiqit. Ajo ka dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale të Kosovës në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit. Dëshminë e saj Vuçiq e ka prezantuar në një konferencë me gazetarë, kurse Marko Gjuriq e ka publikuar në Twitter. Presidenti serb e ka akuzuar direkt Trajkobviqin se, shkaku i dëshmisë së saj, iu është zgjatur paraburgimi dy të dyshuave për vrasjen e Ivanoviqit. Një linçim publik, për këdo që guxon të veprojë çkadodoftë që nuk i përshtatet Vuçiqit.

Pa përgjigje mbeten ende dy pyetje: si i ra në dorë Vuçiqit dëshmia e Trajkoviqit? A është ajo origjinale? Nëse po, kush nga Prokuroria Speciale e nxori jashtë? Nëse jo, pse për falsifikimin e saj nuk reagoi askush?

Trajkoviq ndihet e rerzikuar. Me të drejtë. Vuçiq sot qeveris me dorë të hekurt në Serbi dhe kontrollon gjithë aparatin shtetëror. Fare lehtë Trajkoviq mund të përfundojë si Ivanoviq, me ndonjë arsyetim qesharak, si “viktimë e luftës politike”.

* * *

Por, Aleksandar Vuçiq nuk është ndalur me kaq. Së fundi ai ka targetuar mediat serbe në Kosovë. Ua ka vizatuar shenjën në ballë gazetarëve serbë. Duke i etiketuar si agjentë të huaj. Sipas tij, “të paguar nga jashtë” për të shkatërruar “unitetin e popullit serb”. Sipas tij, miliona dollarë janë investuar në këto media – që nga Leposaviqi në Graçanicë.

Duke i akuzuar si rrjet agjenturor, pa asnjë fakt, Vuçiq i ka legjitimuar si shënjestra të qarta mediat serbe që nuk raportojnë ashtu si dëshiron ai, sidomos ato në veri të vendit.

Gazetarët serbë ndihen të shqetësuar. Me të drejtë. Si të mos ndihen ashtu, kur presidenti i një shteti i akuzon se dëshirojnë ta shkatërrojnë popullin serb me punën e tyre. Ndërkohë që ata veç raportojnë. Por, shumica raportojnë ashtu siç Vuçiq nuk ka dëshirë. Raportojnë të vërtetën, që Vuçiqit i dhemb.

UBT

Ai në Serbi kontrolllon shumicën absolute të mediave. Të rralla janë mediat dhe të rrallë gazetarët që kanë guxim të raportojnë siç duhet, të raportojnë të vërtetën, të mos propagandojnë si mediat e tij.

Në Ksovë situata është më ndryshe. Mediat në gjuhën serbe, kryesisht të vogla dhe të paqëndrueshme financiarisht, ndihmohen nga institucione dhe organizata ndërkombëtare. Kjo i bën të kryejnë punën në mënyrë më profesionale. Në mënyrën që nuk i pëlqen presidentit të Serbisë. Sepse, pra, i dhemb e vërteta.

Ashtu siç i kishte dhimbsur shumë kur kishte deklaruar se në komunën e Skënderajt nuk jeton asnjë serb, se në Çagllavicë jetojnë vetëm pak sish. Në të dyja rastet ishte demantuar nga gazetarë serbë të Kosovës, që ia përplasën fytyrës të vërtetën.

* * *

Po të kishte mundësi, Vuçiq do t’i mbyllte shumicën e mediave në gjuhën serbe në Kosovë. Ashtu siç i mbyllte ato shqipe, gjatë kohës sa ishte ministër i Informatave në kohën e Slobodan Milosheviqit.

Po të kishte mundësi do t’ia mbyllte gojën edhe Rada Trajkoviqit. Ashtu si regjimi i Milosheviqit ua pat mbyllur gojën dhe marrë jetën gazetarit Slavko Çuruvija, politikanit Ivan Stamboliq e shumë të tjerëve. Ashtu siç iu mbyll goja dhe iu mor jeta edhe Oliver Ivanoviqit, në një atmosferë liçimi e urrejtjeje të krijuar kundër tij nga Lista Serbe dhe Beogradi.

Por, nuk e ka një mundësi të tillë. Mediat serbe në Kosovë funksionojnë në një mjedis shumë më të mirë sesa në Serbi. Andaj ai i etiketon. I linçon. Vizaton shenja në ballin e gazetarëve serbë. Përgatit rrezikshëm terrenin që, çfarëdo që ndodh një ditë, të mund të arsyetohet.

Mbi 40 mijë qytetarë kanë votuar për Listën Serbe. Siç e tha gazetari Budimir Niçiq, mjafton që veç njëri nga ta të besojë në deklaratat paushalle të Vuçiqit dhe të marrë ligjin në dorë.

Retorika e Vuçiqit është e rrezikshme dhe mund të çojë në krim. Institucionet dhe shoqëria kosovare nuk duhet të heshtin.