Në Republikën autonome të juristëve dhe ekonomistëve
Nga Faton Krasniqi – Secili bënë zgjidhjen e tij personale, profesionale, studimore. Të gjithë ëndërrojmë që një ditë të arrijmë diçka në jetë. Dikush dëshiron të bëhet: mjek, mësues, jurist, ekonomist, sportist, bankier, gazetar, historian, biolog, kimist, ekolog, ushtarak, fizikan, polic, aktor, këngëtar, poet, dramaturg, kompozitor, gjuhëtar, psikolog, matematikan, sociolog, pilot, agronom, etnolog, arkitekt, filozof etj etj.
Por, në një vend ku shumica studiojnë drejtësi dhe në atë vend nuk ka drejtësi, është çudi!
Në një vend ku shumica studiojnë ekonomi dhe në atë vend nuk ka ekonomi, është çudi!
Është qasje e gabuar, orientim i gabuar, studim i gabuar, nuk mjafton vetëm një diplomë juristi apo ekonomisti e mbështjell me “cellofon” apo e varur në mur. Nuk na duhet kjo gjë, ata (juristët dhe ekonomistët) duhet të na nxjerrin nga kjo katrahurë, gjërat duhet të futen në sistem; duhet të vihen në shërbim, në lëvizje dhe në funksion të duhur shoqëror.
Diplomat, titujt universitarë nuk na bëjnë të ditur, ato janë vetëm disa dokumente që vërtetojnë “zanatin” tonë, po s`lexove, po nuk iu qase profesionit me shumë seriozitet dhe përkushtim diplomat as nuk pjellin, as nuk mbjellin as dije as bereqet.
Ne jemi një vend ku improvizojmë, improvizojmë kinse po punojmë, kinse po studiojmë, kinse po mësojmë, por ne po mbesim me improvizime në vendnumëro.
Jemi në kohën e skriptomanisë, në kohën kur skriptat dhe skriptoret prodhojnë profesorë skriptash. Në kohën që po u nise për të nisur-mbaruar fakultet vetëm ruaju mos të shkelin ndonjë veturë apo bus, diplomën universitare do ta marrësh pa më të voglin problem.
Testet e famshme në fakultetin ekonomik dhe juridik me a, b, c, vetëm luani me lojërat fëmijërore me abe, fa, be, du, male, diçka do të qëlloni në te, ose lojën enike benike kërka be, ka shumë gjasa që stilolapsi përgjigjen e duhur do të rrumbullakojë. Dhe kështu fakultetin i nderuari student do ta përfundosh pa therë në këmbë, pa nxeh karrige, pa lexuar asgjë. Urime, gëzime festo me miq e jarani, diplomën e fituar me shumë mund fute në “goblen” si një e arritur jetësore, por diploma vetë nuk ecë, nuk flet, nuk punon, ajo nuk pret e qepë, ajo nuk shkruan projekte, as pilot projekte siç thonë ekonomistët, as nuk trajtojnë tema ad hock siç e kanë merak të thonë juristët.
Diploma është një copë letre që me një fije shkrepse e djeg e bën hi, por në kokë duhet të kesh diçka. Po të na dëgjojnë të huajt duke folur për ekonomi dhe drejtësi do të habiten me ne- ashtu siç edhe po habiten. Popull entuziast, euforik, megaloman, po aspak punëtor dhe shkencor. Ekonomistët dhe juristët tanë i mbajnë “ders” miletit nëpër çajtore e kafiteri, ata të tregojnë gjithçka se si funksion shteti demokratik, shteti i së drejtës, shteti ekonomik, si funksionon ekonomia që nga Dubai e deri në Mumbai, po për vete dhe për ne nuk bëjnë asgjë, thjesht koten dhe shesin ide, epokë juristësh dhe ekonomistësh, në një vend pa drejtësi dhe pa ekonomi.
Në Republikën Autonome të juristëve dhe ekonomistëve, vet shteti, ministria e Arsimit duhet të ketë projekte, ide, vizione që rininë ta orientojë në studime tjera shkencore-frytdhënëse, p.sh. bursat studentore në çdo komunë të Republikës së Kosovës më së shumti i kanë marrë pa meritë 80% studentët që studiojnë për drejtësi dhe ekonomi, duhet të studiohen dhe t`u ndahen bursa studentëve të fushave tjera si: studentëve që studiojnë bujqësi, arkitekturë, biologji, etnologji, gjuhësi, mjekësi, antropologji, ekologji, matematikë, arkeologji, art, sociologji, psikologji etj etj.
Fakulteti i ekonomisë dhe juridik kanë falimentuar shkencërisht, aty nuk ka shkencë, aty nuk ka cilësi, aty ka numër. Në Republikën e Kosovës ka mbi 40 universitete publike, private dhe kolegje të ndryshme, shumica prej tyre i kanë të akredituara degët studimore për ekonomi dhe drejtësi, në çdo vit akademik në Kosovë diplomojnë mbi 2000 juristë dhe mbi 2000 ekonomistë, po e ku e kemi drejtësinë dhe ekonominë. Nuk mjafton të mbarosh Fakultetin Ekonomik dhe të punosh arkëtar banke, apo kontabilist i një pompe benzine, nuk mjafton të mbarosh juridikun dhe të punosh ndihmës noteri. Këto dy profesione dita-ditës po kalojnë në rutinë studimore, ashtu të përafërta me emisionin e KTV-së ,,Hajt Pak”.
Republika Autonome e juristëve dhe ekonomistëve mund ta furnizojë mbarë Gadishullin Ballkanik me juristë dhe ekonomistë por sa do të jenë produktiv.
Gabimin tjetër që e bëjnë juristët dhe ekonomistët është pretendimi i tyre për t`u bërë profesorë në shkolla të mesme, ata duhet të orientohen në kohë, me kohë në hapësirë- në fushën e avokatisë dhe ekonomisë, edhe sikur të bëhen profesorë në shkolla të mesme nuk mund të marrin orë të plota mësimdhënie, për arsye se ka pak lëndë që ligjërohen në shkolla të mesme nga fusha e drejtësisë dhe ekonomisë.
Republika e Kosovës ka mungesë kuadrosh të mirëfillta nga fusha e drejtësisë dhe ekonomisë edhe pse ka numër rekord të diplomuarish nga këto dy fusha, p.sh në TV-të tona apo mbrojtës i palëve të ndryshme nëpër gjykata janë të njëjtit avokat mbrojtës qe 15 vite me radhë, janë dy-tre emra avokatësh të mirëfilltë, atëherë neve na duhet avokatë që mbrojnë drejtësinë dhe e ndajnë drejtësinë në mënyrë profesionale dhe jo kuturu, vetëm sa për sy e faqe, vetëm kuantitet nuk na duhen ., edhe pse kemi numër të madh juristësh dhe ekonomistësh këto dy fusha mbesin të paeksploruara në Kosovë.
Shihni Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës me sa vështirësi trajton dhe sqaron çështje me rëndësi shtetërore, me sa vonesa, me sa joprofesionalitet u duhet shumë kohë për një komentuar dhe vendim, një ndër arsyet është mosprofesionaliteti, specializimi jashtë vendit i stafit dhe i juristëve të saj etj etj, Gjykatat komunale pastaj janë histori në vete janë grumbulluar me qindra-mijëra lëndë me faje të juristëve të dobët.
Procesin e privatizimit në Kosovë e dëmtuan këta ekonomistë skriptoresh të testeve fakultative me “rrumbullaqe” a, b, c. Ose bëhu jurist dhe ekonomist siç e do rendi dhe zakoni ose lëre fare, kemi nevojë për juristë dhe ekonomistë të mirëfilltë, jeta jonë shoqërore-organizative varet shumë nga angazhimi i juaj profesional. Respekt për juristët dhe ekonomistët e mirëfilltë.


