Në Prizren shpaloset pllaka përkujtimore e grupit të Hasan Alisë e Agush Hazirit

Gjilan – Pllaka përkujtimore e heronjve të Anamoravës është shpalosur në Prizren në prezencën e familjeve Aliu, Haziri, Alidema e Koka. Grupi i atdhetarëve kishte kaluar lumin Bistrica, ku kishin rënë në kurthin e armikut më 10 tetor 1951.
Komuna e Prizrenit në nderim të figurës heroike të Hasan Alisë, Agush Hazirit, Qibrije Alidema Haziri, Mustafë Koka dhe Rabije Zeneli Kokaj, ka zbuluar pllakën përkujtimore me emrat e këtyre martirëve, të cilët pikërisht më 10 tetor 1951 në Bistricë derisa po e kalonin lumin bien në kurthin e armikut dhe vriten.
Pllaka përkujtimore ndonëse është shpalosur pas 70 viteve ka një rëndësi të veçantë për familjet e të vrarëve.
Gani Alidema ka thënë se ky është një respekt dhe një kujdes institucional që tregon se heronjtë duhet të nderohen dhe përkujtohen gjithmonë dhe në çdo kohë.
Edhe, Hasan Alia ka thënë se ndihen krenar që pas kaq vitesh po vendoset pllaka që simbolizon shumë për kohën dhe rrjedhat historike.
Enver Haziri ndërkaq është shprehur se ky gjest dhe kjo përkujdesje na bënë krenar që ta trasojmë rrugën dhe amanetin e heronjve tanë, të cilët me kontributin e tyre dëshmuan dhe treguan se janë të pavdekshëm./rajonipress/