Fundamenti

Në portin e Durrësit, të vendosen doganierët kosovarë!

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Kohët e fundit gjithnjë e më pak po diskutohen procedurat e kalimit të Portit të Shëngjinit në menaxhim nga autoritetet kosovare, ashtu si është premtuar vite më parë nga zyrtarë të Qeverisë së Shqipërisë.

Zëvendës-kryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, jep një opsion tjetër – që në Portin e Durrësit, të vendosen doganierët kosovarë.
Kërkesa e palës kosovare për dalje në det përmes Portit të Shëngjinit ishte mirëpritur vite më parë nga qeveria e Shqipërisë. Por, disa vite më pas, ideja nuk është vënë as në letër me ndonjë nënshkrim, që do të zyrtarizonte këtë projekt ideor.

Zëvendës-kryeministrja Mimoza Kusari-Lila, parapëlqen të thotë se janë disa çështje teknike që e kanë penguar funksionalizimin. Sipas saj, ekziston një opsion tjetër tani – që në Portin e Durrësit të vendosen doganierët kosovarë.

“Natyrisht se kemi menduar edhe për forma tjera. Ajo është një mundësi, një tjetër mundësi ka qenë arritja e një marrëveshjeje që të kemi doganierë kosovarë për mallra që destinohen për në Kosovë në Portin e Durrësit, por të gjitha janë në kuadër të grupeve punuese në mes të ministrive të financave të Kosovës dhe të Shqipërisë”, tha ajo për Radio Blue Sky.

Lah Nitaj, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, pranon se kanë dalë në pah pretendimet pronësore nga qytetarët e Shqipërisë për Portin e Shëngjinit, por që sipas tij arsyeja kryesore është kostoja e lartë.

Hidromorava

“Kjo mbase edhe për faktin sepse kostoja e zgjerimit edhe e modernizimit sipas standardeve ndërkombëtare me një përllogaritje që tani ekziston kalon mbi dy miliardë euro. Dhe si duket kjo do jetë barrë e madhe”, theksoi ai.

Ndërkaq, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se Porti i Shëngjinit do të ishte i mirëseardhur, por deri tani kjo ka mbetur vetëm një dëshirë e mirë politike.

“Deri më tash ende kjo ka mbet vetëm deklarata patriotike, deklarata të dëshirës së mirë, por ende nuk është marrë vendim që këto portë të jepen dhe nuk ka vendim të shkruar”, deklaroi ai.

Porti i Shëngjinit është më i vogli në krahasim me tre portet e tjera- Durrësin, Sarandën dhe Vlorën. Sasia maksimale e mallrave, që përpunohen arrin deri në 350 mijë ton, përderisa në Portin e Durrësit përpunohen 7 milionë ton në vit. /Telegrafi/