KKVITI

Në Mars “shkojnë” 454 shqiptarë

/ 4 minuta lexim

Prishtinë – Në ditën e lindjes së Ilir Bajrit, më 4 shkurt të vitit 1969, përgatitjet për të dërguar njeriun e parë në Hënë ishin në vlugun më të madh të punës.

Neil Armstrong shkoi në këtë planet, kur jazz muzikanti ishte vetëm katër muajsh. Katërdhjetë e tre vjet më vonë, Bajri është njëri prej më shumë se 1 milionë njerëzve në botë, emrat e të cilëve janë shkruar në një çip, dhe janë dërguar në një planet krejt tjetër, ku po pretendohet se ka kushte jetese.

Bajri, drejtor i festivalit “Prishtina Jazz Festival”, madje ka edhe një certifikatë për këtë, nga NASA. Por ai nuk është i vetmi shqiptar, emri i të cilit ka mbërritur në planetin Mars. Edhe 452 emra të tjerë të dërguar nga Shqipëria (meqenëse Kosova nuk njihet si shtet) kanë mbërritur në planetin Mars të hënën në orën 07:33. Rover-roboti i quajtur “Curiosity”, (Kureshtja) aterroi në sipërfaqen e planetit Mars, që është larg nga Toka në distancë prej 250 milionë kilometrash.

Me peshën e vet mbi 900 kilogramë, që përmban reaktorin nuklear për të prodhuar për vite me radhë rrymë elektrike për kamerat e shumta dhe për laboratorin e sofistikuar automatik të ‘Kureshtjes’, me sekuencë aterrimi të kontrolluar në mënyrë autonome përmes kompjuterit të instaluar në të e që u orkestrua automatikisht dhe pa ndihmën e njeriut me përpikëri marramendëse, për Bajrin, “Curiosity” është fitore e madhe dhe e rëndësishme e dijes dhe e bashkëpunimit njerëzor.

“Po ashtu nismë e një kaptine të re të eksplorimit jashtëtokësor në emër të humanitetit e përparimit”, ka thënë Bajri.

Bajri ka thënë se ideja për të dërguar emrin e tij dhe të vajzës si pjesë e një programi të NASA-s ka qenë e kamotshme.

Uji Dea

“Kur lexova në ueb faqen e NASA-s, në vitin 2010, lajmin për fillimin e konstruktimit të roverit të ri për hulumtime në planetin Mars, fillova ta parafytyroja momentin që ndodhi sot (e hënë v.j.), që të shikoj një foto të shkrepur nga një botë tjetër, nga një planet tjetër”, thotë Bajri. Madje ai shpreson edhe në ndonjë video që do të sillte peizazhin nga planeti që Bajri e quan simotër e tokës. Por Bajri do të emocionohej edhe më shumë kur do t’i ofrohej mundësia që së paku emri i tij të shkonte në Mars.

“Mornicat më kapluan kur e gjeta faqen që ofronte mundësinë që simbolikisht të merrja edhe unë udhë për në Planetin e Kuq, duke e regjistruar emrin tim në çipin që ‘Kureshtja’ do ta mbajë me vete përgjatë hulumtimeve të saj”, kujton Bajri. Ai këtë mundësi do t’ua tregonte edhe shokëve të tij virtual në “Facebook”, duke postuar linkun ku mund të shkruhej emri.

“Tashmë emri i Ilir Bajrit dhe ai i Artea Bajrit janë në Mars, në mesin e më shumë se 1 milion të regjistruarish, prej të cilëve 454 janë emra shqiptarë”, ka thënë ai.

Si një person i cili profilin e vet në rrjetin social “Facebook” e ka të mbushur me video e shkrime që kanë të bëjnë me hulumtimet shkencore, Bajri thotë se pret shumë nga “Kureshtja”. Sipas tij, ky rover-robot ka garanci funksionimi njëvjeçar, që është më i rëndësishëm se robotët e tjerë “Spirit” dhe “Oportunity”, të dizajnuar të punojnë jo më tepër se 90 ditë, por që kanë funksionuar për 8 vjet të plotë. Kësisoj, sipas Bajrit, “Kureshtja”, premton shumë.

“Mezi po pres me e pa ndryshimin që në vitet në vijim ky robot shkencëtar ka me ia sjellë jetës sonë, këtu, në planetin amë”, ka thënë Bajri. Ai pret ndryshime në teknologji e shkencë, por po ashtu në botëkuptime e kulturë shoqërore e globale.

Krejt ky projekt për Bajrin tashmë vetëm ka filluar të sjellë përplot fakte që tregojnë se Marsi kishte sipërfaqe të mëdha uji në të kaluarën parahistorike. Sipas tij, nëse “Curiosity” do të zbulojë që Planeti i Kuq dikur ka pasur kushte për zhvillimin e jetës, kjo do të ketë implikime serioze në botëkuptimin e njerëzve mbi universin dhe jetën. “Le të fillojë hulumtimi! Rroftë Kureshtja!”, thotë Bajri.(koha)