Në krahët e “kurvës”
Nga Imer Mushkolaj-Kosovarët e duan Europën që i mban të izoluar. Shpresat e humbura në vendin e tyre i bëjnë të besojnë në zemërgjerësinë e “kurvës plakë”, pavarësisht se ajo po i sheh ende si kopila.
E quajnë “kurvë plakë”, por duan të bëjnë vend në gjirin e saj. 72 për qind e kosovarëve janë shprehur pro hyrjes në Bashkimin Europian. Ndërkaq, po nga sondazhi që organizoi Zyra e BE’së në Prishtinë del se më se 70 për qind e kosovarëve e shohin integrimin në Union si zgjidhje për problemet në ekonomi, korrupsion e mirëqenie sociale. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, në kohën kur qytetarët e Kosovës ballafaqohen me probleme të shumta dhe ideja se ato mund të zgjidhen si me një shkop magjik në BE, duket jo vështirë e realizueshme për ta.
Rezultatet e sondazhit u prezantuan me pompozitet nga zyrtarët europianë dhe ata të Qeverisë së Kosovës, thua se me të janë zgjidhur problemet dhe asgjë më nuk pengon në rrugën drejt anëtarësimit.
Por, realiteti është tjetër.
Tash për tash, Kosova ka vetëm “perspektivë europiane” dhe BE nuk e njeh si shtet të pavarur. Po që se flasim me gjuhën popullore, “kurva plakë” e sheh Kosovën si një shtet kopil dhe nuk e pranon si të sajin.
Pavarësisht kësaj, kosovarët tregohen më optimistë se që duhet – 34 për qind besojnë se vendi do t’i bashkohet Unionit deri në vitin 2014, kurse 54 për qind thonë se kjo do të ndodh brenda pesë viteve të ardhshme.
Statistikat tregojnë se sa më larg nga BE’ja që ka qenë një vend, aq më shumë e kanë dashur atë qytetarët e atij vendi.
Por, rruga e Kosovës drejt Unionit është e gjatë.
Me ekonomi përtokë, me institucione të brishta, papunësi e varfëri enorme, korrupsion e krim të organizuar me bollëk, Kosova është e fundit në rajon që “një ditë” mund t’i bashkohet BE’së.
Pushtetarët çdo ditë e kanë gojën plot integrime e perspektivë europiane, por e dinë shumë mirë se ato janë vetëm deklarata. Sepse, integrimi nuk është diçka fiktive, por praktike.
E njerëzit e lodhur besojnë në BE, besojnë sepse ashtu duan, pavarësisht që e dinë se vendi i tyre s’është kërkah.
Ringjallja e ekonomisë, zbutja e papunësisë e varfërisë, si dhe forcimi i institucioneve nuk janë detyra që na i kryen Europa. Korrupsionin po e bëjmë ne dhe ne duhet ta luftojmë. Hajnitë po i bëjmë ne. Edhe dallaveret tjera vetë po i bëjmë.
Ambientin po e ndotim dhe shkatërrojmë vetë, ashtu siç po falsifikojmë edhe tituj e diploma. Me veprimet tona po ia shkatërrojmë vetes të ardhmen. As Europa s’ka si na ndihmon në këtë aspekt.
* * *
Sondazhi nxori në pah, po ashtu, edhe se kosovarët iu besojnë shumë vendimmarrësve të BE’së, ndërkaq pak, shumë pak iu besojnë politikanëve. Në fakt, janë këta vendimmarrës dhe politikanët kosovarë ata që nuk kanë dhënë dhe vazhdojnë të mos japin aspak shembuj sjelljesh dhe vlerash europiane.
Duke lënë anash paaftësinë e politikanëve për të çuar vendin përpara, ka plot të tjera “detaje” që i bëjnë ata të humbin besimin në sytë e qytetarëve.
Vetëm shihni sa shpenzime luksi bëhen nëpër institucione, madje edhe në ato me buxhet minimal. Shihni sa pasuri kanë bërë brenda natës këta politikanë, shihni sa arrogantë tregohen dhe si e vjedhin shtetin, ku të munden e si të munden. Shihni se si i kanë sistemuar nëpër poste akraballëk e fis, si i përvetësojnë të mirat publike dhe si e rrjepin vendin çdo ditë e më tepër. Shihni si na rrejnë çdo ditë. Europa dhe europianët janë tjetërfare.
BE me ndihmën, për të keq, edhe të politikanëve lokalë e ka lënë Kosovën të izoluar, i ka lënë qytetarët e saj si në burg. Po këta qytetarë që tash, sipas sondazhit, i besojnë BE’së.
I besojnë, se s’kanë si t’iu besojnë përfaqësuesve të tyre.
Si t’iu besojnë njerëzve që ua keqpërdorin votën, vullnetin e tyre politik?
Si t’iu besojnë njerëzve që ua vështirësojnë, e nuk ua bëjnë jetën më të lehtë?
Si t’iu besojnë institucioneve, të cilat më së paku janë në shërbim të tyre?
Besimi i verbër në BE dhe në burokratët europianë dhe humbja e besimit në ata që do të duhej t’i udhëheqin me përgjegjësi tregon se në çfarë krize ndodhet kjo shoqëri. Ky vend. Këta qytetarë të cilët, më shumë se gjithçka tjetër, i mban gjallë eurooptimizmi.
* * *
Politika është kurvë. Europa “kurvë plakë” po bën politikë, e politikanët po luajnë me ne si po duan. Në gjithë këtë mesele, të lagur, për të mos thënë ndryshe, nuk del kush tjetër veç qytetarëve.