Fidanishtja

Në Kosovë, u gjet vetëm një mashtrues pensioni!

/ 5 minuta lexim

Observimet për mashtruesit e pensioneve që u bënë në Kosovë dhe Tajlandë nuk dhanë rezultatet e pritura. Në Tajlandë u gjetën 2 dhe në Kosovë 1 rast.

Federata pati vendosur në vitin 2008 të hulumtonte si të dyshimta, rastet e mbi 600 personave në Kosovë dhe Tajlandë të cilët marrin pensione të Invaliditetit ( IV- Renten).

Gjithsej nga ky rishqyrtim janë zbuluar vetëm tri raste, 1 në Kosovë dhe dy në Tajlandë. Megjithatë zyrtarët e Federatës këtë e quajnë sukses.

Për të gjithë ata që marrin pensione të invaliditetetit dhe jetojnë jashtë Zvicrës nuk ishte aspak i këndshëm lajmi se ata ndodheshin nën dyshim, shkruan gazeta “Neuer Zürcher Zeitung”.

Në fund të vitit 2008 federata pati deklaruar se të 640 pensionet e invaliditetit që dërgohen në Kosovë dhe Tajlandë do të rishqyrtohen në mënyrë sistematike me dyshimin e bazuar të keqpërdorimeve të mundshme. Ishte para së gjithash fjala për “një riorientim të luftës kundër mashtruesve” thuhej në komunikatën e Zyrës Federale për Sigurime Sociale (BSV).

Me këtë riorientim parashihej që në revizionin e pestë të ligjit të krijohej mundësia që në mënyrë ligjore të bëhej vëzhgimi dhe mbikëqyrja e atyre për të cilët dyshohej se janë mashtrues. Ndërsa faktin se pse Kosova dhe Tajlanda ishin zgjedhur për tu mbikëqyrur, BSV e shpjegonte me atë se “këto dy vende dyshohen për potencial më të madh mashtrimi”.

Megjithatë, pas katër vitesh observimi, bilanci i mashtrimeve që prognozohej në vitin 2008 rezulton disi i mangët.

Në Tajlandë u bënë shtatë observime dhe në Kosovë gjashtë, thotë zëdhënësi i BSV Harald Sohns. Pra parashikimi për “mashtruesve të mëdhenj” u përmbush në vetëm gjithsej tri raste, kur u identifikuan mashtrues të pensioneve të invaliditetit.

Dhe a mund të quhet ky si dështim?! Aspak, deklarojnë përgjegjësit nga BSV. “Duke pasur parasysh që pensione invaliditeti ka pak, përpjestimisht ky numër i zbuluar nga observimet e bëra, edhe pse i vogël, mund të llogaritet si sukses” thekson Sohns.

Para së gjithash, thotë Sohns, qëllimi primar ishte mbledhja e përvojave në procedurën e rishqyrtimit të pensioneve Invalidore që ” eksportohen” jashtë shtetit, qëllim i cili u arrit, sipas tij.

UBT

“Me gjithë suksesin e arritur, dëshirojmë që të heqim dorë nga zgjerimi i observimeve i pensionistëve invalidorë edhe në shtetet tjera. Ishte planifikuar që të përfshiheshin edhe Filipinet, Republika Dominikane dhe Brazili. U hoq dorë sepse për të realizuar një observim në këto shtete duhet që paraprakisht të arrihet një marrëveshje me to”, thotë Sohns

Në të ardhmen, shton Sohns, në mënyrë që hulumtimet në vende të ndryshme të mos jenë të ndërlikuara, kemi ndër mend që në marrëveshjet e sigurimeve sociale që do t`i realizojmë me vendet e ndryshme, si pjesë përbërëse të futet edhe klauzola e “luftës kundër mashtruesve”.

Sipas përvojës së deritanishme negociatat për një marrëveshje të sigurimeve sociale zgjasin me vite të tëra. Pra, deri sa të arrihet një marrëveshje e tillë duhet, që në disa çështje të kërkohet bashkëpunim me shërbimet sociale private që veprojnë në vendet në të cilat bëhet observimi.

Në vitin 2011 shkuan 238.000 Pensione të invaliditetit jashtë Zvicrës, ose 14 për qind e numrit të përgjithshëm të pensioneve të kësaj kategorie që janë paguar në përgjithësi në Zvicër.

Ndërsa, ndërkohë që pensionet e tilla të paguara në Itali dhe Spanjë janë në zvogëlim e sipër, në disa shtete, në dhjetë vitet e fundit ky fenomen është shtuar dukshëm. Brazili, Portugalia Tajlanda dhe shtetet e Ish Jugosllavisë prijnë në listën e shteteve ku derdhen pensionet zvicerane. Kështu, nëse në Tajlandë në vitin 2001 dërgoheshin 152 pensione, në vitin 2011 ishin gjithsej 395 sish.

Në shtetet e ish Jugosllavisë u paguan 2071 pensione në vitin 2001, ndërsa në vitin 2011 ky numër arriti në 3101. Pjesa e Kosovës në këtë numër sillet diku rreth 120, përfundon NZZ.

Në vitin 2010 Qeveria e Zvicrës ka ndërprerë njëanshëm marrëveshjen për sigurime sociale me Kosovën. Kjo marrëveshje në fakt ishte e lidhur me ish Jugosllavinë në vitin 1964 dhe funksiononte edhe në raport me Kosovën, si njëri nga vendet që trashëgonin ish Jugosllavinë.

Ndër shkaqet për të cilat u bë ndërprerja në fjalë ishte edhe konstatimi i BSV për ekzistimin e një “potenciali të theksuar mashtrimi” në Kosovë. Kur ishte publikuar vendimi për ndërprerje, në opinion kishin qarkulluar edhe rrëfime për kërcënimet që pensionistë të caktuar invalidorë nga Kosova u kishin bërë detektivëve të angazhuar nga BSV për observimin e tyre.

Megjithatë, federata, ndërprerjen e marrëveshjes në fjalë e kishte arsyetuar me mungesën e një sistemi të besueshëm social në Kosovë.

Nga gjermanishtja: Vjollca Popova. (albinfo)