RCCOLA

Në kërkim të thesarit nga qielli

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Deri të hënën, për shumë njerëz ajo që ra nga qielli të premten në Deputatskoye, Sibiri, u shndërrua në ar dhe nxiti një fushatë për të zbuluar copat e meteorit, shumica prej tyre të varrosura në thellësi të borës së shkurtit. Përderisa tregtia me material të meteorëve në pjesën më të madhe është e paligjshme, ekziston një treg global që po lulëzon, me fragmente që mund të blihen online në Internet, zakonisht me çmime modeste.

Që nga momenti kur meteori shpërtheu mbi qiellin e qytetit të varfër në Sibir, Deputatskoye, Larisa V. Briyukova nuk e dinte se çfarë të bënte me guri me madhësi të grushtit, të cilin e gjeti në kulmin e kasolles së saj nga druri.

Të hënën, një person i panjohur trokiti në derën e saj, duke i ofruar 60 dollarë. Pas disa negociatave, çmimi u ngrit në 230 dollarë. Vetëm disa orë më vonë, para derës së saj u paraqit një person tjetër, e shikoi vrimën në kulm dhe i ofroi asaj 1300 dollarë.

“Tani jam penduar që e kam shitur”, thotë Briyukova 43 vjeçare. “Por në anën tjetër, kush e di? Ka mundur të vijë policia dhe ka mundur të ma marrë gurin”.

Të premtën, tmerri ra nga qielli, duke thyer xhamat dhe duke frikësuar njerëzit në Siberi. Por deri të hënën, për shumë njerëz ajo që ra nga qielli u shndërrua në ar dhe nxiti një fushatë për të zbuluar copat e meteorit, shuimca prej tyre të varrosura në thellësi të borës së shkurtit.

Përderisa tregtia me material të meteorëve në pjesën më të madhe është e paligjshme, ekziston një treg global që po lulëzon, me fragmente që mund të blihen online në Internet, zakonisht me çmime modeste.

“Çdo gjë që nevojitet është të kërkosh me kujdes. Për të gjetur gurin, duhet të gjesh një vrimë në borë, e më pas fillon të gërmosh”, thotë Sasha, i cili doli për të kërkuar gurë, pasi që kreu shkollën të hënën.

Faqja për lajme financiare, M3-Media, njoftoi se sipas ligjeve të Rusisë, një person mund të sigurojë posedim ligjor të pjesëve të meteorit, por vetëm nëse ja raporton gjetjen autoriteteve dhe dorëzon fragmentet për teste në laborator. Laboratori do të pretendojë 20 për qind të vlerës së supozuar të objektit për certifikim, njoftoi kjo faqe, duke cituar Akademinë Ruse të Shkencave.

Megjithatë, në praktikë, kërkimi i mbetjeve të meteorit është një rrëmujë, në të cilën mungojnë përpjekjet e koordinuara apo mbikëqyrja shkencore e mbledhjes së mostrave të një prej ngjarjeve më të jashtëzakonshme pas shumë viteve për komunitetin e shkenctarëve, të cilët studiojnë gjëra të tilla.

“Ne nuk posedojmë mekanizma për të parandaluar këtë”, thotë Viktor Grokhovsky, profesor i metalurgjisë në Universitetin Federativ të Uralit të Jugut, njëri nga shkenctarët që bëri identifikim pozitiv të meteorit të hënën.

UBT

Në të vërtetë, agjencitë për zbatimin e ligjit gjatë fundjavës pamundësuan shkenctarët që të vizitojnë vendin ku dyshohet se ka rënë meteori, në Liqenin Chebarkul, thotë Grokhovsky.

“Ne kemi dërguar anije kozmike në asteroide, për të siguruar këtë material, duke shpenzuar shuma të mëdha parash, ndërsa këtu, ky material fluturoi në drejtimin tonë. Do të ishte mirë nëse qeveria koordinohet me ne, me shkenctarët. Kur dëshirojmë të shkojmë në ndonjë vend, autoritetet nuk na lejojnë. Kur dëshirojmë që ata të shkojnë ndokund, nuk mund ti gjejmë askund”, shton Grokhovsky.

Me spekulimet për çmimet që po qarkullojnë nëpër fshat, disa femra refuzojnë të flasin për atë se çfarë kanë gjetur fëmijët e tyre. Të tjerët shprehën frikën se policia mund të konfiskojë gurët dhe ti shet vetë ata.

“Askush nuk di asgjë, askush nuk flet asgjë”, thotë një banore. Një tjetër thotë në mënyrë jo-bindëse:”Ne i kemi gjuajtur gurët tonë”.

“Gurët kanë rënë në të gjitha anët e fshatit”, thotë Alfia Zharkova, nëse e dy fëmijëve, e cila ka një qese të mbushur përplot me gurë të zi. “Fëmijët po i gjejnë. Secila familje që ka fëmijë ka me dhjetëra gurë të tillë”, shton ajo.

Ajo gjeti një gur të tillë të premten. “Dola për të ushqyer lopën dhe vërejta një vrimë në akull. Dhe në vrimë kishte një gurë. Prandaj u përkula dhe e nxora”, rrëfen Zharkova.

Fqinja e saj, Aleksandra Gerasimova, thotë se meteori i shkaktoi një vrimë në pallton e saj. E kishte të veshur të premten, kur doli jashtë për të shikuar topin e zjarrtë në qiell.

“Ishim së bashku me bashkëshortin dhe disa copa ranë mbi ne. Ky gur ra dhe u ngul në pallton time. E ndjeva goditjen. Ngrita kokën dhe nuk kishte asgjë mbi mua, as zog, asgjë tjetër. Paramendoni se sa moment frikësues ishte ky”, thotë ajo.

Të hënën, dy persona trokitën në derën e saj dhe bënë ofertë për të blerë gurin. “Nuk e hapa derën. Pse ta shes? Kam një nip dhe do t’ia jap atij”, thotë Gerasimova. (New York Times)