Në Kamenicë diskutohet roli i diasporës në zhvillimin socio-ekonomik
Kamenicë – Organizata Joqeveritare Dardanapress ka organizuar debatin e dytë me temën “Ndikimi i investimeve të diasporës në zhvillimin socio-ekonomik”, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”.
Debati kishte për qëllim krijimin e një hapësire të hapur dhe gjithëpërfshirëse për diskutim ndërmjet bizneseve lokale, përfaqësuesve të diasporës dhe institucioneve komunale, me fokus në rolin dhe potencialin e investimeve të diasporës në zhvillimin socio-ekonomik të Kamenicës.
Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e diasporës si një potencial i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik lokal, veçanërisht përmes krijimit të vendeve të reja të punës, mbështetjes së bizneseve dhe përfshirjes së kapitalit, përvojës dhe njohurive të bashkatdhetarëve në zhvillimin e ekonomisë lokale.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për nevojën e krijimit të kushteve më të favorshme për investitorët nga diaspora, përmirësimin e komunikimit ndërmjet institucioneve komunale, bizneseve lokale dhe diasporës, si dhe promovimin e mundësive konkrete për investime në Komunën e Kamenicës.
Nga debati dolën edhe disa rekomandime, ndër të cilat krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm të komunikimit ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe përfaqësuesve të diasporës, promovimi më i madh i potencialeve ekonomike dhe mundësive për investime, si dhe hartimi dhe promovimi i një liste me sektorët ku ekzistojnë mundësi konkrete për investime.
Po ashtu, u rekomandua nxitja e investimeve të diasporës në sektorë me potencial për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe funksionalizimi i Qendrës për Përkrahjen dhe Mbështetjen e Bizneseve.
Në debat morën pjesë përfaqësues të drejtorive komunale, bizneseve lokale, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave lokale.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal./rajonipress/


