Fundamenti

Në Gjilan më mirë hyni me helikopter se për toke, pak problem

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Nga Kushtrim Kadriu – Duke parë hyrje – daljet e Gjilanit të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë më një vend të sapo dalë nga lufta. Gropa gjithandej, rërë, puseta të hapura, gjysmë asfalt, pluhur saharian, baltë e çka jo tjetër. Mungojnë vetëm luftimet. Nuk e di a je tu hy në Falluxha a në Gjilan.

Prishtinë- Gjilan, autostrada kërkah, punimet janë ndërprerë moti, pushteti i VV-së, si ai lokal si ai qendror nuk e dinë a përfundohet pas dy viteve, a pas tri, a kurrë. Në vazhdoftë (pa) puna kështu, do m’u prishë pa ia nisë.

Rruga e ekzistuese Prishtinë- Gjilan, tashmë është shndërruar në rrugë të tmerrit, me gjithë ato gropa, me gjithë atë mosmirëmbajtje. Ajo është bërë sinonim i aksidenteve. Nuk kalon java pa u rrotullu ndonjë veturë, a pa ndodhë ndonjë aksident i rëndë. Gjithashtu, hyrja nga Prishtina është e papërfunduar, pluhuri në qiell, pamja përsëri Falluxha.

Hyrja Bujanoc – Gjilan, tmerr i tmerrit. Prej “Bunarit” të Përlepnicës gjysma e rrugës nuk ka farë asfalt fare, me gropa sa të duash, krejt mjegull prej pluhurit, organizimi i komunikacionit mish- mash.

Fundamenti

Nuk dihet kush kah duhet me vozitë, jo rrallë, veç kur ta shohësh ndonjë makinë duke ardhur drejt e në ty. Pjesa e asfaltuar, me trotuare të parregulluara, me kyçje e qkykje në rrugë të parregulluara. Bizneset vazhdojnë të penalizohen padrejtësisht, tash e sa vite edhe pse pakënaqësinë e tyre e kanë shfaqur disa herë përmes protestave të të gjitha formave, deri te bllokimi i rrugës, por kot.

Rruga Ferizaj- Gjilan, me gjendjen e saj shumë të keqe është kthyer në shkatërruese të automjeteve, shto këtu edhe rrezikun për pjesëmarrësit në komunikacion.
Pra, siç po shihet, asgjë s’po duket, prej mjegullës së pluhurit e prej mospunës së pushtetit qendror dhe atij lokal. Nuk po na mbetet tjetër pos me ia lypë KFOR- it helikopterët, ose me aktivizu ish aeroportin e bujqësisë e me ble aeroplanë të vegjël.

Urime liberalizimi, më së shumti pushtetit të “Brigadave të Kuqe”, mos po dalin pak me pa Evropën e mos po ia nisin më në fund punës. Albin- Alban, zgjohuni se boll fjetët.

Kushtrim Kadriu
Asamblist në Gjilan