FITORJA

Në Gjilan mbahet Akademi Përkujtimore për Kadri Zekën

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në kuadër të “Flakës së Janarit 2024”, në sallën e Teatrit të Gjilanit, e përkrahur nga zyra e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni dhe nga Drejtoria për Kulturë, Rini e Sporte, që udhëhiqet nga Kushtrim Zeqiri, është mbajtur Akademi Përkujtimore, e cila i është kushtuar heroit Kadri Zeka, përmendorja e të cilit është zbuluar në Gjilan.

Alban Hyseni, kryetar i Komunës, në Akademinë Përkujtimore, në të cilën kanë marrë pjesë familjarë të dëshmorëve, udhëheqës qendrorë dhe komunalë, veprimtarë të çështjes kombëtare, veteranë e invalidë të luftës dhe pjesëmarrës të shumtë, ka theksuar se jemi bashkë për të kujtuar heroin e kombit Kadri Zeka.

Data e sotme e vitit 1982 shënon ndarjen fizike nga kjo botë, kurse 17 janari i vitit 2024 është rikthimi i tij fizik në Gjilan përmes shtatores së shkrirë në bronz. Falë Kadri Zekës, qyteti i Gjilanit ndjehet krenar që pati një personalitet të tillë.

Alban Hyseni, tha se të gjithë bashkëveprimtarët e Kadri Zekës e cilësojnë atë si një revolucionar të vërtetë dhe se fjala e nipit të tij, Zenun Pajaziti, i ka lënë përshtypje më shumë se të gjitha fjalimet e mbajtura, kur kishte thënë se familja gjatë tërë procesit nuk ka dëshiruar involvim direkt dhe se vendosja e shtatores është çështje e institucioneve të Kosovës dhe ashtu edhe doli, ngase Kadri Zeka ishte i popullit e jo vetëm i familjes dhe se në 40- vjetorin e rënies së Rexhep Malës e Nuhi Berishës dhurata më e mirë për ta është vendosja e shtatores së Kadri Zekës në Gjilan.

“Veprimtarët e ilegales ishin një, ishin një trup dhe kështu të bashkuar punonin e angazhoheshin, unik e me një qëllim të vetëm. Atë që kanë synuar ata, sot është jetësuar, ano pse mbetet shumë punë për t’u bërë për ne që jemi të gjallë”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka shtuar se në një ditë me shumë emocione për familjarët dhe shokët e Kadriut, duhet të kujtojmë se secili dëshmorë e hero është edhe familjarë, prind e fëmijë, bashkëshort, vëlla e shok i dikujt e ata janë ndarë nga familja përjetësisht, për t’u bërë të pavdekshëm për gjithë popullin shqiptar, andaj ne të gjallët duhem të shohim mirë historinë, të marrim mësime e të jetë e kaluara e heronjve inspirim dhe mësim për të gjithë ne e le t’i nderojmë ata përmes punës e angazhimit, me sinqeritet e me dinjitet drejt arritjes së synimeve për të cilat ka luftuar Kadri Zeka dhe bashkëluftëtarët e tij.

Artan Dërmaku, rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, duke folur për Kadri Zekën, tha se ky hero me sakrificën dhe kontributin e tij hapi rrugën për liri. Ai foli për periudhat historike nëpër të cilat kaloi Kadri Zeka dhe ka kërkuar që të ndiqet shembulli i tij dhe i heronjve të tjerë dhe se emri i Kadri Zekës më së tepërmi nderohet përmes arritjes së dijes në arsim dhe në inovacion, ngase ata dhanë jetën për një qëllim të madh – lirinë tonë.

“Sot UKZ me plot dinjitet mbanë emrin e Kadri Zekës, kurse përmendorja e ngritur sot në Gjilan na bënë krenarë dhe do të mbetet në kujtesën tonë kolektive”, ka thënë Dërmaku.

Uji Dea

Saime Isufi, bashkudhëtare dhe bashkëveprimtare e Kadri Zekës, tha se kishte jetuar bashkë me të në Zvicër dhe ajo ishte një kohë e rëndë për ilegalen shqiptare, e cila po përcillej e po burgosej dhe Kadriu e përcillte me vëmendje të veçantë e po punonte shumë në rrugën e bashkëveprimtarëve të tij, derisa në kohën kur ishte gati numri i gjashtë i Revistës “Liria”, Kadri Zeka ra në krye të detyrës e gazeta u botua pas rënies së tij.

Mehmet Hajrizi, bashkëveprimtar i Kadri Zekës, pasi ka përgëzuar e uruar për shtatoren e Kadri Zekës dhe foli për jetën dhe veprën e heroit, shkollimin, studimet e veprimtarinë klandestine dhe se ai ishte më meritori që në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare formoi shtypin klandestinë dhe botoi trakte e broshura të shumta. Ai shumë shpejt, falë angazhimit të tij, hyri në Këshillin Drejtues të Organizatës dhe veproi në Kosovë e në mërgim.

“Kadri Zeka ishte model i veprimtarit të palodhur, me vendosmëri e vullnet të hekurt, i cili punoi derisa agjentët e sigurimit i ranë në gjurmë, por ai veproi edhe në Zvicër”, tha Hajrizi, duke shtuar se LKSH kërkonte avancimin e statusit të Kosovës në Republikë, andaj edhe populli shqiptar nuk u pajtua me pozitën e vet e LKSH u rrit drejt majave të luftës ngadhënjimtare e ku Kadri Zeka pati rol historik për bashkimin e organizatave dhe hapjen e horizonteve të reja, tha Hajrizi që shtoi se Zeka mbajti kontakte edhe me diplomatët e Shqipërisë dhe ai kishte të gjitha virtytet e një patrioti, kurse pas tri vitesh në mërgim ai u vra bashkë me bashkëveprimtarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla, duke i dhënë tërë jetën atdheut, por që kurrë nuk kërkoi asgjë prej tij, ngase ishte i bindur në fitore.

Shemsi Syla, zëvendësministër i Mbrojtjes, në emër të qeverisë së Kosovës, Kadri Zekën e cilësoi një prej ideologëve më të çmuar dhe përpilues i tezave për Republikën e Kosovës, andaj më pas ai rrezatoi edhe për lirinë dhe në komunën e Gjilanit me emrin e tij u pagëzua brigada çlirimtare, e cila më pas u fut në Gjilan.

Izmi Zeka, në emër të familjarëve tha se për familjen e tij kjo është një ditë e veçantë, ngase u përmbush ëndrra e shokëve dhe e bashkëveprimtarëve të Kadri Zekës, sepse ai u kthye aty ku e kishte nisur aktivitetin, aty ku sot jemi të lirë. Ai tha se nderin më të madh Kadri Zekës ia bëjmë duke e ndërtuar Kosovën ashtu siç e deshën heronjtë. Zeka ka falënderuar kryetarin e Komunës, Alban Hyseni dhe drejtorin për Kulturë, Rini e Sporte, që projektin e nisur e bënë realitet.

Në Akademi ka folur edhe Nexhmedin Sejdiu, kryetar i Lidhjes së Historianëve “Ali Hadri”, dega në Gjilan, i cili ka folur për figurën e Kadri Zekës, si organizator dhe udhëheqës i ilegales. Për veprimtarinë e tij në Kosovë e në mërgim, duke qenë model për shokët e idealit, kurse fati i heroit Kadri Zeka ishte i lidhur me fatin e Kosovës.

Në pjesën artistike të Akademisë për Kadri Zekën ka performuar orkestra i dirigjuar nga Hajrullaj Syla e ku u interpretuan edhe pikat “Për ty atdhe”, kënduar nga tenori Liridon Sadriu, variacione me flaute nga Rina Hamdiu, “Unë biri i yt Kosovë” nga Liridon Sadriu dhe vepra për orkestër “Loja” nga Valton Beqiri.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.