Fundamenti

Në Gjilan digjen 700 hektar pyje-dëmi miliona euro

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Deri me datën 24.08.2012, në komunën e Gjilanit vlerësohet të jenë djegur rreth 700 ha me pyje. Dëmi ekonomik vlerësohet mbi 3 milion €, kurse dëmi ekologjik mbi 7 milion € tha Nazmi Rapuca.

Nazmi Rapuca drejtor për bujqësi në Gjilan nuk ka qëndruar duarkryq por ka marrë hisen e tij që ta ndihmojë edhe shërbimin e zjarrfikësve.

Sipas tij nga dita e djeshme, nuk ka zjarre në komunën e Gjilanit. “Do të ishim me fat sikur edhe nja një muaj të mos i shkojë dikujt mendja për të ndezur zjarr në natyrë” tha ai.

Sipas Rapucës një nga zjarret më serioze ka qenë ai përgjatë vijës kufitare me Luginën e Preshevës; duke filluar nga pika kufitare në fshatin Dobrosin, Bilinicë, Sllubicë etj. me një gjatësi prej dhjetëra kilometra. Zjarri kishte filluar nga territori jashtë kufirit të Kosovës, por shumë shpejt u përhap dhe depërtoi edhe te ne. Për shkak se njëkohësisht u paraqiten disa vatra zjarri, në zona të ndryshme të komunës, terrenit të pa përshtatshëm dhe për shkak të kapaciteteve të kufizuara të zjarrfikësve, ishte e pa mundur të fitohej beteja me zjarret, vetëm me angazhimin e tyre sqaroi Rapuca.

“Duke e vlerësuar situatën mjaft serioze, dhe duke e parë se luftën me zjarret, nuk mund ta fitojnë vetëm zjarrfikësit, Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari në Gjilan, shfrytëzoi autoritetin e saj, organizoi grupe vullnetarësh në të gjitha zonat rurale, sidomos në zonat më shumë të prekura nga zjarret. Këto grupe, kryesisht të përbëra nga të rinj, u angazhuan vullnetarisht, për fikjen e zjarreve” shtoj Rapuca.

Strategjia ishte, që së paku një zjarrfikës tu prijë rreth 10 vullnetarëve me qëllim të dhënies së instruksioneve profesionale për shuarjen e zjarreve.

Eco Higjiena

Nazmi Rapuca tha se vetëm dje, 24.08.2012, janë angazhuar 5 inxhinierë nga stafi i drejtorisë për bujqësi, duke përfshirë këtu edhe drejtorin e saj, 5 roje të pyjeve, rreth 30 vullnetarë nga fshatrat: Bilinicë e Sllubicë dhe një numër i konsiderueshëm i zjarrfikësve.

Pas një pune të mundimshme, më në fund u arrit qëllimi. U shua zjarri që për trembëdhjetë ditë me radhë dogji me qindra ha pyje, së bashku me tërë florën dhe faunën ekzistuese. Ky zjarr kanosej të shkatërronte mijëra ha sipërfaqet pyjore dhe vendbanimet e asaj zone.

Rapuca ka dhënë edhe shifra e fakte për këto djegie të pyjeve .”Deri me datën 24.08.2012, në komunën e Gjilanit vlerësohet të jenë djegur rreth 700 ha me pyje.Dëmi ekonomik vlerësohet mbi 3 milion €, kurse dëmi ekologjik mbi 7 milion €. Kush mund ta llogarisë se sa ton oksigjen u harxhuan dhe sa ton dioksid karboni u liruan gjatë këtij procesi shkatërrues”?

Për momentin nuk kemi zjarre aktive. Meteorologët edhe për ditët e ardhshme, parashikojnë mot të thatë dhe temperatura të larta çka do të thotë se na presin sfida shumë serioze.

Natyrisht, për të stabilizuar gjendjen në kuptimin afatgjatë, nevojitet një punë sistematike e tërë shoqërisë për vetëdijesim gjithepopullor. Së pari të shmangen zjarret në natyrë sidomos në muajt e nxehtë dhe të thatë të vitit dhe në rast shpërthimi të zjarreve të mobilizohen të gjithë për shuarjen e tyre.

Rapuca mendon se gjithherë do të ketë individ të pa përgjegjshëm, të cilët duhet të denoncohen dhe të merren masa ligjore nga organet përkatëse.
“Deri tani tre individ po ndiqen penalisht me dyshimin se kanë ndezur zjarre qëllimisht” tha Rapuca./rajonipress/