UBT

Në Gjenevë shënohët Dita e Dëshmorëve të Kombit me prezantimin e librit “Eskadronët e vdekjes” të autorit Bardhyl Mahmuti

/ 6 minuta lexim

Me 7 maj 2024 në qytetin e Gjenevës, shënohët Dita e Dëshmorëve të Kombit shqiptar, në prani të shumë veprimtarëve dhe mërgimtarëve tanë, ku edhe u prezantua vepra artistike e dokumentare “Eskadronët e Vdekjes” të autorit dhe veprimtarit Bardhyl Mahmuti.

Dhuna, masakrat dhe gjenocidi serb i ushtruar për dekada me radhë ndaj shqiptarëve, e sidomos në fundshekullin e kaluar me luftën e fundit në Kosovë, e cila edhe është spikatur e shkruar në mënyrë mjeshtërore e artistike në romanin “Eskadronët e Vdekjes” nga autori Bardhyl Mahmuti është promovuar në qytetin e Gjenevës në Zvicër. Në organizim të shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” dhe “Shoqata e Studentëve Shqiptar” në Gjenevë, mbahet takimi ku në mënyrë të detajuar, bëhet prezantimi i kësaj vepre me rëndësi të veçantë historike dhe artistike.

Promovimin e këtij libri me praninë e tyre kishin ardhur për ta nderuar shumë veprimtarë dhe aktivistë të jetës sonë kulturore e politike. Konsulli i Republikës së Kosovës në Gjenevë, zotëri Rexhep Bajraktari, Ambasadori Ramadan Avdiu, të burgosur politik dhe veprimtar si Ramadan Pllana e të tjerë, të cilët në hapjen e këtij tubimi u përshëndetën dhe u falënderuan për pjesëmarrje nga Kryetari i shoqatës Komuniteti Shqiptar në Gjenevë zotëri Nasuf Nuhiu.

Kryetari i shoqatës “Komuniteti Shqiptar në Gjenevë” pasi përkujtoj gjithë dëshmorët e kombit, ai duke shpalosur një historik të veprimeve të shoqatës, me theks të veçantë potencoi bashkëpunimin me Shoqatën e Studentëve të cilët të cilët siç tha ai ky bashkëveprim ka një domethënie të veçantë të aktiviteteve.

Sot në ditën kur kujtojmë dhe nderojmë dëshmorët e kombit, të cilët janë pika më e lavdishme e historisë sonë kombëtare, kur emrat e tyre me pietet janë të përcjellë në këngët shqipe, të përmendur në rrugët e atdheut, në prozën dhe poezinë shqipe, monumente historike, si të tillë ata janë trashëgimia jonë kombëtare që do përcillet nëpër breza – tha Kryetari Nasuf Nuhiu dhe shprehu gëzimin se ky promovim i romanit të autorit Mahmuti bëhet pikërisht në këtë përvjetor.

Në vazhdim të promovimit zotëri Ali Mehmeti, themelues i KSGJ-së duke bërë një vështrim analizues mbi romanin “Eskadronët e Vdekjes” ai u ndal nëpër periudhat kohore, personazhet e romanit dhe mesazhin e qartë për brezat të cilët nuk e kanë përjetuar luftën dhe këtë zezonë të ushtruar serbe mbi shqiptarët deri në përmasat e gjenocidit dhe tentimit të zhbërjes kombëtare. Ky roman dokumentues, i shkruar me një gjuhë të bukur artistike, me personazhe reale nxjerrin në pah jo vetëm shovinizmin serbë por, dëshmojnë qartë se deri ku mund të shkonte tërbimi serbë duke vrarë e masakruar njerëz madje edhe fëmijë të pafajshëm.

Në bazë të vlerave që kapë kjo vepër letrare, mendoj se si e tillë ajo duhet të jetë në çdo vatër shqiptare, çdo institucion dhe të i prezantohet botës si e tillë, madje ajo duhej të futet edhe në planë programet e domosdoshme mësimore, për brezat që vijnë të njihen për masakrat, gjenocidin dhe pushtimin serbë. Zotëri Ali Mehmeti, përmendi edhe dredhitë e pushtuesit i cili bëri përpjekje që veprimet të cilat i kishte zhvilluar vet mbi popullin shqiptar u mundua të ua atribuonte Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, siç ishte rasti me propaganduesin e gënjeshtrave senatorin Dick Marty.

RCCOLA

Autori i kësaj vepre artistike Bardhyl Mahmuti, duke bërë një punë krijimtarie të mirëfilltë, ka arritur të sjellë dëshmi dhe fakte mbi këtë ngjarje. Ai duke grumbulluar gjithë materialin e atyre që kanë përjetuar këtë skëterrë të pushtuesit, dhe duke sjellë dëshmi të gjalla duke i portretizuar edhe artistikisht, ka arritur të sjellë një kryevepër jo vetëm letrare por, shumë jetike dhe të domosdoshme për historiografinë shqiptare – tha në analizën dhe vështrimin e veprës zotëri Ali Mehmeti.

Pas vështrimit mbi librin për nderë të ditës së dëshmorëve të kombit dhe të këtij tubimi grupi “Hareja” prezantuan këngën për Skënderbeun të shoqëruar nga kitaristi Bashkim Krasniqi. Dhe pas pikave artistike prezantohet dokumentari filmik “Masakra e Poklekut” ku me datë 17 prill të vitit 1999 ushtria barbare serbe kishte masakruar dhe vrarë e më pas edhe djegur kufomat e 53 shqiptarëve civil, duke filluar nga foshnja gjashtë muajsh e deri tek plaku 75 vjeçar.

Autori i këtij libri zotëri Bardhyl Mahmuti, duke falënderuar organizatorët për mundësinë e këtij promovimi dhe shpalosjen e kësaj vepre tha: Kjo është vetëm njëra nga dëshmitë e tragjedisë së popullit të Kosovës. Qëllimi ynë duhet të jetë të dokumentojmë se këto krime dhe kriminelët e këtyre veprave herët e vonë duhet të ndëshkohen.

Propaganda serbe duke mëtuar të përgënjeshtroi të vërtetat mbi krimet që forcat serbe kanë kryer gjatë luftës në Kosovë, edhe sot nuk denjon për të dhënë pasqyrime të rrejshme mbi luftën e Kosovës. Në fund duhet theksuar se historia e njerëzimit ka njohur edhe më parë krime dhe tentime për shfarosje të popujve.

Nënat, motrat, dhe fëmijët e mbetur jetim, nuk kërkojnë hakmarrje por ata duan drejtësi. Drejtësi nuk mund të quhet kur mëtohet të barazohet krimineli dhe viktima. Drejtësi nuk quhet kur, protagonistët e plojës enden të lirë dhe madje selisin plane për krime të reja…Drejtësi nuk është kur ende, shumë njerëz të vrarë ndodhen në listat e njerëzve të pagjetur… Përfundoj shkrimtari dhe autori i kësaj vepre zotëri Bardhyl Mahmuti. Në fund autori të pranishmëve u dhuroi secilit librin e tij romanin “Eskadronët e vdekjes”

Në fund të këtij organizimi talentja e re e muzikës, Ejona Bytyqi shoqëruar me piano nga Elion Krasniqi zgjodhi disa pika muzikore dhe më pas solistja Afërdita Krasniqi me këngën “Vaji i Nënës” përmbylli këtë ngjarje ku në fund për gjithë të pranishmit ishte shtruar një apertif me dolli e diskutime që do ta përmbyllnin shënimin e 5 majit ditës së dëshmorëve të kombit dhe prezantimin e librit “Eskadronët e Vdekjes” së autorit Bardhyl Mahmuti./albswiss.com/
Foto Mentor Zajmi