Në emër të budallallëkut
Nga Imer Mushkolaj – Nuk duhet lejuar që të kryhen krime e keqpërdorime me arsyetimin se autorët kanë probleme mendore. As nuk duhet lejuar që të tjerë, me arsyetimin “lëre se është budallë”, të vendosen në pozita që ndikojnë në jetën tonë. Të çmendurit e budallenjtë e kanë vendin tjetërkund.
Ua lëshojmë rrugën dhe nuk merremi me ta, por më pas i shohim teksa zënë pozita të rëndësishme institucionale. Themi “hajt se janë budallë” e “lëshoja rrugën budallës”, ndërkohë që ata marrin vendime për jetën tonë. E të tillë ka plot gjithandej – që nga politika e edukimi, deri te kultura e sporti.
Mjafton të shohësh se kujt iu ka dhënë rasti të ligjërojë në shkolla e universitete, për të krijuar idenë se çfarë gjeneratash të rinjsh po përgatiten. Mjafton të shohësh sa kush paguhet nga taksat tona nëpër institucione publike, për të krijuar idenë se kah po shkon ky vend.
Ata mund të keqpërdorin paranë publike, të mirat publike, mund të përfitojnë në emrin tonë dhe ne mjaftohemi të konstatojmë se nuk janë normalë, janë budallë.
Ata na shesin mend nga pozitat që mbajnë, e të cilat i kanë zënë jo pse i kanë merituar, por se dikush i ka vendosur aty, e ne mjaftohemi duke i ironizuar e duke bërë humor me ta. Por, në fakt, janë ata që bëjnë hajgare me ne.
Kam rastisur jo rrallë në njerëz që mbajnë goxha tituj akademikë e shkencorë, por që nuk dinë të shkruajnë shqip. Nuk është çështje e mungesës së njohurive veç të drejtshkrimit, por është çështje e mungesës së logjikës. Të atillët, të veshur shik, mësojnë nxënësit tonë, studentët tonë, botojnë libra e shfaqen publikisht. E ne, si të mos ketë ndodhur asgjë, konsumojmë budallallëkun e tyre të ambalazhuar në formë pseudoshkence.
* * *
T’ia japësh mundësinë për të qeverisur kujdoqoftë dhe ta paguash majmë për këtë, është krim. Është poshtërsi të paguash budallallëkun e dikujt tjetër. Siç është poshtërsi të provosh për t’i arsyetuar veprimet kriminale të njerëzve, duke thënë se nuk janë mirë psikikisht, kanë probleme mendore.
Ndodh jo rrallë që njerëzit të cilët dënohen për vepra penale ose që janë të dyshuar për veprime të ndryshme kriminale, përpiqen të arsyetohen nga të tjerët se kanë vepruar ashtu për shkak se qenkan të çmendur.
Si paskan luajtur mendsh këta njerëz pikërisht në kohën kur kapen duke kryer vepër penale, duke bërë krim? Si po luakan mendsh të tillët pikërisht në kohën kur ndëshkohen nga drejtësia? Pse nuk janë shfaqur të tillë në kohën kur kanë keqpërdorur të mirat publike, kur kanë përfituar miliona nga këto të mira, kur kanë bërë plane për krime, kur i kanë kryer krimet?
Pretendimeve të tilla nuk duhet besuar askush, aq më pak njerëzit përgjegjës për ndëshkimin e këtyre veprave. Sepse, në këtë mënyrë krijohet një precedent shumë i rrezikshëm: secili mund të bëjë çfarë të dojë dhe të arsyetohet se nuk ka vepruar me mendje të shëndoshë, se është i çmendur, se është budallë.
* * *
Mediokërve, atyre që shfaqen budallenj, por nuk janë të tillë, nuk duhet lëshuar rrugën. Ata duhet ndalur para se të jetë vonë. Shoqëria kosovare ka përgjegjësi se çfarë modelesh të njerëzve promovon, cilët janë ata që nesër vendosin për fatin tonë. Të kapardisur pas titujve të rremë akademikë, shumë nga ta shkaktojnë dëme të mëdha për të ardhmen. Të fshehur në veprimet e veta pas arsyetimeve banale dhe në emër të budallallëkut, ata përfitojnë në kurrizin tonë. Dhe, kur vjen puna të kapen nga drejtësia, nuk ngurrojnë hiç të paraqiten si të çmendur, në përpjekje për të na mbushur mendjen se gjithë çfarë kanë bërë, e kanë bërë pa vetëdije të plotë, e kanë bërë pa qëllim.
Një i çmendur, një budallë nuk di të përvetësojë nga pasuria publike. Një i çmendur, një budallë nuk di të hartojë plane për vrasjen e njerëzve, me të cilët nuk pajtohet. As nuk di të bëjë plane për përfitime milionëshe nga pasuria e shtetit.
Të çmendurit dhe budallënjtë nuk mund të kenë miqësi me politikanë, me njerëz të fortë të pushtetit. Po që se janë të tillë, ata nuk mund të pëdoren nga njerëzit e pushtetit për interesa të tyre. Po që se janë të çmendur dhe budallenj, ekzistojnë institucione të posaçme për t’i trajtuar.
Por ata nuk janë, veç shfaqen të tillë. Në përpjekje për të shpëtuar nga ndëshkimi që e meritojnë. Në përpjekje për të na thënë se gjithë çfarë kanë bërë, e kanë bërë “të lojtur nga fiqiri”.
Nëse iu besojmë të tillëve, atëherë të çmendur e budallenj jemi ne. Ne që vuajmë të bëmat e tyre, ne që jemi viktima të qeverisjes së tyre, viktima të “edukimit” nga ta – viktima të vetes sonë.
Sa më shpejt që nuk i besojmë thënies së famshme “budallës lëshoja rrugën”, është më mirë për të gjithë ne. Të çmendurit e budallenjtë duhet ndalur me kohë.


