Eko Higjiena

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Gjilan është inauguruar skulptura monumentale “Heroina e Qytetit”

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Gjilan është inauguruar skulptura monumentale “Heroina e Qytetit”, e cila u kushtohet të gjitha grave e nënave të cilat kanë kontribuar me rolin e tyre në shoqëri për mirëqenien dhe zhvillimin e kulturës, sportit e arsimimit të gjeneratave, në ngjarjen ku mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e përfaqësues tjerë institucionalë.

Hyseni, pasi ka falënderuar ministren Haxhiu për vizitën dhe angazhimin e saj në fushën e të drejtave të grave, tha se ky monument i dedikohet gruas, nënës, vajzave për sfidat të cilat kanë kaluar, por është mesazh i fuqishëm që e ardhmja që na pret do të duhej të ishte ndryshe nga ajo që kemi kaluar deri tash.

“Skupltura “Heroina e Qytetit” ka një simbolikë të veçantë. Përveç luftës e ngjarjeve të përditshme, gratë janë heroina. Tek shqiptarët, gratë kanë vuajtje të shumta, por kanë kontribut të veçantë. Përtej vuajtjeve, kanë një trimëri të veçantë e një qëndrueshmëri të gjatë. Kanë kontribuar ndër breza, kanë mirëmbajtur shtëpinë e familjen”.

“Fatkeqësisht, vitet e fundit janë përcjellë me një rritje të madhe të dhunës në familje, në të shumtën e rasteve e drejtuar ndaj gruas. Padrejtësisht privohen edhe nga të drejtat elementare, nga shkollimi e nga shumë të drejta të tjera”, ka nënvizuar kreu i Gjilanit.

Ai tha se kjo skulpturë është nismë e para dhjetë vitesh e dy profesoreshave, Gjylshene Berisha e Sadete Tërnava – Osmani, nëpërmjet mekanizmave institucionalë.

“Është aprovuar si kërkesë më herët, ka kaluar fazën e projektimit dhe të konkursit dhe është jetësuar sot pas pesë vjetësh, pasi si Komunë e kemi gjetur mundësinë e bashkëfinancimit me Ministrinë e Kulturës. Ky monument i dedikohet gruas, nënës, vajzave për sfidat të cilat kanë kaluar, por është mesazh i fuqishëm që e ardhmja që na pret do të duhej të ishte ndryshe nga ajo që kemi kaluar deri tash. Urime 8 marsi të gjitha
grave e vajzave”, ka shtuar ai.

Uji Dea

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka falënderuar të gjitha gratë dhe vajzat të cilat tha se kanë dhënë kontribut me shekuj.

“Ju shpreh zotimet e mia se çdo ditë e imja në Qeveri por edhe kudo tjetër, do të jetë në shërbim të vajzave dhe grave në vendin tonë dhe nuk do të kursehem në asnjë moment. I lutem sot sidomos vajzave të reja që të luftojnë shumë për të drejtat e tyre, që të mos lejojnë që të shkelen e diskriminohen, qoftë në familje, në vendin e punës apo rrethet shoqërore. U jam mirënjohëse të gjithave për rolin që e keni luajtur në shoqërinë tonë”, është shprehur ministrja Haxhiu.

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, theksoi se gratë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë ndryshime të mëdha në të gjitha sferat e jetës.

“Megjithatë, vlerësimi dhe mbështetja për gratë në shoqëri ende kërkon përpjekje të mëdha, pasi diskriminimi dhe dhuna ndaj grave janë ende të pranishme. Kjo na bën të ndihemi përgjegjës për të ndihmuar në ngritjen dhe vetëdijesimin e mbrojtjes së të drejtave të grave kudo në botë”, është shprehur ajo.

Në fund, kryetari Hyseni ka ndarë mirënjohje për kontribut të veçantë për Drita Klaiqi, Maxhide Shaqiri, Ismete Kallaba, Hyrije Rexhepi dhe Xhangyle Iljazi (post mortum). /rajonipress/