RCCOLA

Në Cyrih të Zvicrës, poetë, gazetarë dhe aktorë kujtojnë krijuesen dhe skenaristen e njohur Miradije Kurtishi Maliqi

/ 6 minuta lexim

Dje pasdite në një nga sallat e restorantit “Lilienthal” të qytezës Opfikon të Cyrihut, familja Maliqi, me prejardhje nga Busovata e Dardanës së Republikës së Kosovës, me rastin e ikjes në amshim të më të dashurës së saj, Miradije Kurtishi Maliqi, ka pritur dhe përcjellur, miq e krijues, të fushave të ndryshme, që në intervale të ndryshme kohore kanë migruar në Zvicër dhe Gjermani.

Poetja, skenaristja dhe aktivistja e njohur Miradije Kurtishi Maliqi e lindur më 25 korrik të vitit 1961, në Gostivar të Maqedonisë së Veriut, me të përfunduar shkollën e mesme në Prishtinë, migron në Cyrih të Zvicrës.

Ajo edhe pse në një ambient krejt ndryshe,nga ai i vendit të saj, si një entuziaste e madhe dhe me elan për punë i kap me kohë fijet e jetës .

Dija që shoqe e shokë e quanin nga respekti me këtë shkurtesë, pas përvetësimit të gjuhës gjermane, regjistrohet në Shkollën e Lartë ,seksioni Sociologji- Psikologji në Cyrih të Zvicrës.

Ajo studimet në këtë degë të shkencave humane i përfundon me sukses dhe pas kryerjes së praktikës, specializohet në lëmin e terapisë preventive, për adoleshentë dhe të rritur.

Me gjithë angazhimet e shumta Miradija, prirjet e saj për poezinë dhe prozën nuk do t’i lë anash në asnjë mënyrë. Ajo para lexuesit vjen më 1995, me romanin e saj të parë “Kthimi i mërgimtares së tradhtuar “botuar nga shtëpia botuese “Mirazh” e Tiranës.

Zonjës, Maliqi botimi i këtij romani sikur ia shton oreksin për punë. Ajo pas daljes së tij nga shtypi do t’i botojë edhe 13-të, romane të tjera në prozë dhe poezi.

Me stilin e saj të veçantë të shkrimit Maliqi, ka fituar çmime dhe mirënjohje të shumta, në konkurse të ndryshme letrare të organizuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Diasporë.

Prandaj ,vdekja e saj në kulmin e krijimtarisë letrare e ka varfëruar mjaft letërsinë tonë.

Kujtime nga jeta dhe puna me zonjën, Maliqi,ka rrëfyer aktori Ramadan Morina, nga Malësia e Vogël e Rahovecit të Kosovës, cili që nga vitet e 90-ta, jeton në Gjermani.

Ai në cilësinë e udhëheqësit të këtij komemoracioni ka thënë: “familjarë, bashkëveprimtarë dhe bashkëkrijues të zonjës Maliqi, dal para jush me dhembjen plumb, për humbjen e parakohshme të kësaj zonje të madhe, që së rreshti së punuari për evoluimin dhe pasurimin e letërsisë dhe kulturës sonë.

Pastaj, momente të shumta me emocione dhe lot nga puna e përbashkët me krijuesen dhe veprimtaren e dalluar Miradije Maliqi, ka shpalosur edhe zonja, Shukrije Ramadani, zyrtare e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Zonja, Ramadani që me Miradijen ishte njohur që në fillimet e mërgimit të saj në Cyrih të Zvicrës, tha:

“Derisa sëmundja e rëndë e shtriu në shtrat Miradija,nuk e ndali asnjëherë punën. Përveç që na dhuronte thesare të shumta letrare dhe artistike, ishte kudo përkrah nesh, si në aktivitete të karakterit kombëtar ashtu edhe në ato të bamirësisë.”

Zonja, Ramadani në fund të fjalës së saj tha:”Derisa të jem gjallë do ta kujtojë Miradijen,si mike dhe krijuese, që ikja e saj e hershme në përjetësi,na vetmoi dhe na la zbrazëti të madhe, që vështirë kompensohet”

Mobi Casa

Ndërkaq,poeti i mirënjohur gjilanas Bujar Salihu, po ashtu një bashkëveprimtar dhe mik i zonjës Maliqi, të pranishmëve të kësaj Akademie mortore, ua prezantoi në pika të shkurtra krijimtarinë letrare të poetes, romancierës dhe skenaristes Maliqi.

Salihu tha : “Zonja, Maliqi lexuesit shqiptar dhe atij të huaji me punimet e saj letrare dhe artistike të një niveli të lartë përgjatë tri dekadave i ka ofruar freski dhe vlera.”

“Vdekja e saj e papritur komunitetin tonë krijues në Zvicër e më gjerë e ka hendikepuar shumë”

Shqipe Bytyçi, po ashtu krijuese dhe shoqe e pandarë e Dijes, ende ndihet e tronditur nga kjo vdekje e rëndë dhe me humbje, jo vetëm për familjen po për gjithë shoqërinë.

Ajo me lot në sy thotë” mallin dhe dhembjen për familjen dhe vendlindjen na e zbuste Dija, duke na dhënë forcë e kurajë që çlirimi i shumëpritur i tokave tona të pushtuara nga serbët e maqedonasit do të vijë patjetër”

Bytyçi, e merr Miradijen edhe si model të një gruaje shembull. Ajo edhe pse e zhytur në pikëllim që kishte humbur vajzën e saj Rajmonda Maliqi, më 16 korrik të vitit 2013, gjente forcë për të ndihmuar në integrimin e femrës shqiptare në shoqërinë zvicerane.

Kurse, Hyrije Jusufi, një krijuese tjetër nga Presheva, që valët e jetës e kanë përplasur në Zvicër, dhembjen e madhe për humbjen e koleges dhe mikeshës së saj Miradije Kurtishi Maliqi, e shpreh nëpërmjet poezisë “Pasqyrë”

Kjo poezi si një lamtumirë e fundit me Dijen e bëri me lot, bashkëshortin e Miradijes, Rexhën dhe dy djemtë e saj Fisnikun dhe Rilindin, si dhe renë Ardita Kapedani Maliqi.

Zonja, Jusufi pamundur të përmbahet nga lotët tha:” vdekja tinëzare dhe e papritur na i prishi planet, ngaqë me Dijen, pushimet e verës së sivjetme, patëm planifikuar që t’i kalojmë në Shqipëri e Gostivar.

Pas leximit të kësaj poezie të dhimbshme dhe tejet prekëse për të pranishmit është shfaqur dokumentari kushtuar Atdhetarit dhe poetit tonë të njohur Josif Jovan Bageri.,me regji të Kujtim Gjonajt dhe skenar të zonjës tani të ndjerë Miradije Kurtishi Maliqi.

Familjes, Maliqi dhe Kurtishi që nga kumtimi i lajmit mbi vdekjen e Miradijes u kanë ardhur dhe vazhdojnë t’u vijnë telegrame të shumta ngushëllimi, nga shoqata e klube kulturore të trojeve tona, si dhe nga individë të shumtë, miq të Miradijes.

Në këtë tubim përkujtimor përveç atyre që evokuan kujtime nga jeta dhe aktiviteti me Miradijen, morën pjesë edhe krijues nga pjesë të ndryshme të Zvicrës si: Gani,Bytyçi, Besnik Camaj, Xhevdet Kallaba, Blerim Shabani, Fatime Kalimashi Hoti, Milazim Maliqi etj.

Në mbyllje të këtij tubimi përkujtimor të gjithë ata që ndanë dhembjen me familjen Maliqi, i ka falënderuar nga zemra djali i madh i Dijes, Fisnik Maliqi.

Ai tha “dera e familjes Maliqi, do të jetë çdoherë e hapur për shoqet dhe miqtë e shumë të nënës, me jetën dhe veprën e së cilës do të krenohemi përherë”./arif ejupi/rajonipress/