Në burg për një BMW X5
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, bashkë me dy biznesmenët, Agim Ademi dhe Muharrem Rama, janë ngarkuar nga prokurori i EULEX-it, Pascal Persoons, me vepra të dënueshme nga një deri në nëntë vjet burgim.
Ndaj të treve tashmë është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, me arsyetimin se po të jenë në liri ata mund ti kërcënojnë dëshmitarët që lidhën me rastin.
Siq shkruan gazeta, Koha Ditore, Hamiti sipas prokurorit, dyshohet se ka tentuar t`i tejkalonte limitet e autorizimeve zyrtare dhe të përfitonte paligjshëm një BMW X5 ose 30 mijë euro. Krejt kjo thuhet të jetë bërë me synim të aranzhimit të ndryshimit të statusit të një prone të paluajtshme nga “zonë e gjelbër” në “zonë ndërtimore”, në dobi të Dritëro Kadollit, pronarit të kompanisë “Capital Ring”, që vepron në Prishtinë.
Ademi dhe Rama dyshohen se si kryes apo bashkëkryes kanë tentuar që vetes apo personit tjetër t’i sjellin pasuri të kundërligjshme, duke e përdorur forcën apo kërcënimin e rëndë. Veprimet e tilla sipas prokurorit të EULEX-it, janë të dënueshme me burgim nga tre deri në tre vjet e nëntë muaj, konform nenit 20, 23 dhe 267 të Kodit Penal të Kosovës.