KKVITI

Në bisedimet e Vjenës delegacioni i Kosovës nuk duhet të pranojë asnjë koncesion ndaj Serbisë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Shefik Sadiku – Në bisedimet më Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, delegacioni i Kosovës nuk duhet të pranojë asnjë koncesion ndaj Serbisë, pa marrë parasysh presionin dhe trysninë që do ta ketë nga faktori ndërkombëtar. Kjo për faktin se edhe ashtu deri më tash, dhe sidomos në bisedimet e Vjenës, delegacioni ynë ka bërë kompromise të mëdha, që e kanë vënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit tonë. Teoria e Vuçiqit se Kosova po fiton gjithçka, kurse Serbia po humb shumë, duhet me forcën e argumenteve të demaskohet përpara faktorit ndërkombëtar se Serbia qëllim final ka jo arritjen e normalizimit të raporteve shqiptaro-serbe, por, si gjithherë gjatë historisë, zhvatjen e sa më shumë tokave shqiptare në dëm të shqiptarëve.

Nëse, më në fund, pas një presioni ndërkombëtar Serbia detyrohet ta pranojë realitetin e ri historik në Ballkan në raport me shqiptarët dhe ta pranojë faktin se Kosova tashmë është shtet i pavarur, por pa pjesën Veriore të saj, shtrohet pyetja se Serbia nuk po mbron parime, por po synon përvetësimin e pjesëve të caktuara të Kosovës, në këtë rast Veriun e saj. Pra Serbia po mundka pa Kosovën, por jo edhe pa Veriun e saj, siç e pranoi botërisht pinjolli i Millosheviqit, Ivica Daçiq.

Kjo duhet t’u shërbejë ndërmjetësuesve më në fund ta demaskojnë një herë e përgjithmonë, ambicien serbomadhe të përvetësimit të tokave shqiptare historikisht. Serbia duhet të qartësohet nga ndërkombëtarët se, faktori ndërkombëtar nuk mund dhe nuk duhet t’i plotësojë apetitet hegjemoniste të Serbisë ndaj tokave shqiptare, siç, fatkeqësisht, ka ndodhur në të kaluarën e që jeta dëshmoi se ka qenë gabimi më i madh që forcat vendosëse i kanë bërë vazhdimisht favore Serbisë dhe të njëjtat favore kanë shkaktuar përherë destabilitet në këtë pjesë të Evropës nga Serbia e favorizuar. Asnjë argument, pos atyre të forcës, Serbia nuk ka pasur dhe nuk ka për ta kontrolluar sovranitetin e Kosovës.

Fundamenti

Përkundrazi faktet flasin se Serbia sovranitetin mbi Kosovën dhe viset tjera shqiptare në Serbi, e ka përdorur për deshqiptarizimin e këtyre trojeve dhe kolonizimin e tyre me elementin serb. Nëse Evropa dhe SHBA-ja edhe kësaj here bëjnë presion te shqiptarët, siç ka bërë Evropa në të kaluarën, për koncesione e kompromise të tjera, duhet ta dinë ata që vendosin se destabiliteti po i mbetet Ballkanit edhe për shumë kohë.

Dëshmitar për këtë është historia. Stabiliteti i Ballkanit dhe, përgjithësisht, i Evropës, është disiplinimi i Serbisë. Pranimi i kthimit të çështjes së statusit të Kosovës pas aktit të shpalljes së pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008, është presedan i rrezikshëm jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë të ardhmen e paqes në Ballkan e Evropë. Sa herë që Serbia është trimëruar dhe mikluar nga fuqitë e mëdha, e keqja e popujve tjerë dhe e paqes e ka pasur derën hapur. Shqiptarët e dinë, por duhet bërë me dije bindshëm faktorëve të vendosjes se edhe po t’i bashkohej Lugina e Preshevës (Presheva, Bujanovci, Medvegja) Kosovës, siç po pretendon Thaçi, çështja shqiptare nuk zgjidhet dhe aq ma pak se kjo.

Faktori ndërkombëtar, duke i pasur parasysh rrjedhat historike dhe aktuale në Ballkan, më në fund, për hir të paqes së qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës, duhet t’i “shpërblejë” shqiptarët për kooperativitetin e tyre dhe për gatishmërinë e tyre për paq në këtë hapësirë. Paqja e Ballkanit dhe e Evropës nuk duhet të jetë vazhdimisht tagër që duhet ta paguajnë shqiptarët. “Paça” e Kongresit të Berlinit, e Shën Stefanit, e Konferencës së Londrës, për shqiptarët nuk ka qenë paq, por padrejtësi që me pasojat e së cilës, ja tani. po duhet të merret Evropa. Paqja e padrejtë për shqiptarët në Ballkan, nuk mund të jetë paq e qëndrueshme në Evropë, jo pse për shqiptarët është e padrejtë, por për apetitet serbe është teren i mirëseardhur./rajonipress/