RCCOLA

Në bisedime të përfshihet edhe Lugina

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të mërkurën kanë pritur në një takim një delegacion të Shoqatës “Vatra” nga Lugina e Preshevës, me ç’rast është diskutuar për problemet dhe brengat me të cilat ballafaqohen qytetarët e Luginës.

Sikurse edhe në takimet me partitë e tjera politike, edhe në takimin me AAK-në, përfaqësues të Shoqatës nga Lugina e Preshevës, kërkuan që në bisedimet e ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe Lugina e Preshevës.

Pas takimit, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se me delegacionin e Shoqatës “Vatra” kanë diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët shqiptarë të Luginës dhe padrejtësitë të cilat u bëhen atyre nga autoritetet e Serbisë. Sipas Isufit, në takim është biseduar edhe për mundësinë e një trajtimi më të mirë të qytetarëve të Luginës, të cilët janë të shpërngulur në Komunën e Gjilanit.

“Sot kishim në takim delegacionin e shoqatës Vatra nga Kosova Lindore të cilët shprehen shqetësimet e tyre lidhur me pozitën e bashkëkombësve tanë në këtë pjesë të territorit. Po ashtu shfaqën brengën e tyre për një dyndje të shqiptarëve të kësaj pjese duke u vendosur në territorin Kosovës, duke ikur jashtë vendit. Kjo është një brengë që duhet të jetë edhe obligim i Qeverisë së Kosovës për interesim të pozitës së shqiptarëve atje. Në këtë pjesë, gjithashtu kemi të bëjmë edhe me represionin që po e bënë regjimi i Beogradit, i cili edhe me tutje mbi shqiptarët përdor dhunën, burgosjen, vrasjet dhe elemente të cilët e bëjnë të pasigurt jetën e shqiptarëve atje”, ka thënë Isufi.

Uji Dea

Në takim, gjithashtu është biseduar edhe për rigjykimin e grupit të Gjilanit nga autoritetet e Serbisë, i cili proces, sipas nënkryetarit të AAK-së, është i montuar politikisht dhe i padrejtë.

Nga ana tjetër, edhe kryetari i Shoqatës “Vatra” nga Lugina e Preshevës, Sejfulla Kadriu, takimin me AAK-në e vlerësoi si vëllazëror, në të cilin u diskutuan hallet dhe problemet e qytetarëve të Kosovës Lindore. Sipas tij, edhe me drejtuesin e AAK-së është diskutuar për mundësinë e përfshirjes së përfaqësuesve të Luginës në bisedimet e ardhshme Kosovë-Serbi.

“Në bisedimet eventuale do të ishte mirë, ata të cilët marrin pjesë të kenë parasysh nëse ndodhë që bisedohet, atëherë mundësisht të kihet parasysh edhe Kosova Lindore. Ndërkohë është biseduar, siç theksoi edhe nënkryetari për problemet e tjera që shfaqen në atë pjesë, si dhe për integrimin e popullatës të Luginës që jetojnë në Komunën e Gjilanit, sepse siç dihet në Komunën e Gjilanit jetojnë një numër i madh i qytetarëve të asaj pjese të cilët kanë probleme për integrimin në institucioneve shoqërore të komunës së Gjilanit”, tha Kadriu.

Ndryshe, përfaqësues të delegacioneve nga Lugina e Preshevës edhe gjatë takimeve me partitë e tjera politike, kanë shprehur shqetësimin e tyre, për diskriminim dhe padrejtësisë që u bëhen qytetarëve të Luginës nga autoritetet e Serbisë, andaj ata kanë kërkuar që në bisedimet e ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë të kihet parasysh edhe çështja e Luginës./kosovapress/