Në BE 75 mijë shqiptarë të padëshiruar

75 mijë shqiptarë janë persona të padëshiruar për vendet e Bashkimit Europian, për shkak të veprimtarisë së tyre të paligjshme ose shkeljes së rregullave të lëvizjes. Shifra raportohet nga Drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Pëllumb Nako, në një tryezë për lëvizjen e lirë, organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
“Në momentin që ka filluar liberalizimi i vizave në mënyrë informale ka qenë rreth 75 mijë numri i personave të cilët kanë qenë të padëshirueshëm në hapësirën Shengen, pra, 75 mijë persona të cilët ishin kandidatë për emigracion ilegal, 75 mijë persona që nuk plotësonin më kushtet për të hyrë në zonën Shengen”, citon AS Nakon.
Nako shpjegon se shifra alarmante i ishte raportuar policisë nga homologët e vendeve të BE-së. Edhe sot, pas dy viteve nga liberalizimi i vizave, problem mbetet emigracioni ilegal, drejt vendeve të rajonit, veçanërisht Greqisë si dhe kalimi i kufirit me dokumenta të falsifikuara.
“Shtetasit shqiptarë përdorin dokumenta false në hapësirën Shengen. Kriza ekonomike që ka kapur vendet tona fqinje ka bërë që shumë nga këta shtetas t’i drejtohen tregut të zi për të gjetur dokumenta false dhe për të kaluar në drejtim të vendeve të tjera të hapësirës Shengen, qoftë dokumenta, karta identiteti të shteteve fqinj, qoftë edhe vula të vendeve fqinj, për të përfituar, për të jetuar apo për të punuar kryesisht në vendet e Europës veriore, duke tentuar ndoshta edhe më shumë Anglinë”,-thekson ai.
7 milionë shtetas shqiptarë kanë lëvizur në vendet e Bashkimit Europian pas liberalizimit të vizave, ndërsa çdo vit, në këto vende kanë depërtuar rreth 75 mijë shqiptarë që kanë shkelin afatet e qëndrimit. Punësimi, problemet sociale, gjakmarrja por edhe arsyet politike janë shkaqet kryesore për azilantët shqiptarë me destinacion Belgjikën, Francën dhe Greqinë.