UBT

Ndryshime në PTK

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Bordi i PTK’së ka emëruar drejtor financiar të kompanisë Nuredin Krasniqin dhe ka larguar nga pozita e sekretarit të përgjithshëm Elvis Pistën, për ta emëruar Arian Gashin. Në anën tjetër, punëtorët e PTK’së protestuan kundër privatizimit të kësaj kompanie.

Bordi i Postës dhe Telekomit të Kosovës i ka hyrë një procesi të ndërrimit të drejtuesve të kësaj kompanie. Në mbledhjen e fundit të këtij bordi janë emëruar dy zyrtarë në dy pozitat thuajse kryesore në kompani.

Si drejtor financiar u emërua Nuredin Krasniqi, ndërsa si sekretar i përgjithshëm i kompanisë u zgjodh Arian Gashi.

Që të dy punëtor të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

“Zyrtar kryesor i financave është zgjedhur Nuredin Krasniqi, ndërsa këshilltar i përgjithshëm/sekretar i korporatës, Arian Gashi”, tha zyrtari për informim në PTK, Arsim Bilalli. Ai tregoi se këto emërime janë bërë në bazë të kompetencave dhe autorizimeve të bordit dhe bazuar në Ligjin për Ndërmarrjet Publike si dhe bazuar në rekomandimet e komisionit intervistues. “Bordi i Drejtorëve të PTK’së në mbledhjen e rregullt të mbajtur të enjtën, përmes konkursit publik ka përzgjedhur dy zyrtarë në dy pozita të ndryshme”. Burime të Express, tregojnë se pritet të ketë edhe ndryshime të reja në pozitat drejtuese të kompanisë.

Kundër privatizimit të PTK’së

Me pankartat në duar “Kuvend, Ndal Privatizimin”, “Nuk duam të jemi qiraxhinjë në vendin tonë“ dhe “Nuk e japim PTK’në, se është e vetmja pasuri e mbetur e popullit kosovar”, protestuan punëtorët e PTK’së. Gjithashtu në protesta u çuan edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës. Punëtorët e që të dy kompanive protestuan për gjysmë ore për të kundërshtuar privatizimin e këtyre ndërmarrjeve.

Milazim Alshiqi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të PTK’së, tha se me anë të kësaj proteste ata po kërkojnë që të ndalet kjo formë e privatizimit në Kosovë.

Alshiqi kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që të shqyrtojë privatizimin e ndërmarrjeve publike dhe për momentin t’i thuhet stop privatizimit të PTK’së, pasi që nuk është plotësuar asnjë kusht për siguri të punëtorëve.

“Edhe njëherë i bëj apel Qeverisë, deputetëve të Republikës së Kosovës ta thirrin mendjen e shëndoshë dhe t’i thonë stop procesit të privatizimit pa e definuar ligjin e posaçëm për privatizimin e kompanive publike”, tha Alshiqi.

RCCOLA

Ai tha se askush në vend nuk po merret me punëtorët.

Protestuesit thanë se kjo është vetëm protestë paralajmëruese.

“Nuk dua ta kërcënoj askënd, por dua të jem i sinqertë që ne na u kanë shterë format me letra dhe me dialog – i kemi proceduar të gjitha nëse nuk na mirëkuptojnë, po u garantoj që kjo situatë ka me qenë krejtësisht ndryshe”, tha ai.

Edhe Fehmi Pajziti, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Elektrokosovës, tha se protesta gjysmëorësh ka për qëllim zgjimin e qeveritarëve për të parë se si po bëhet privatizimi në Kosovë, i cili sipas tij, është tërësisht i dështuar.

“Kjo është protestë gjysmëorëshe që të zgjohen qeveritarët tanë, kuvendarët tanë të zgjohen dhe të këqyrin çka është duke ndodhur me privatizimin e ndërmarrjeve dhe me privatizimin në përgjithësi në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, është një ligj i privatizimin për ndërmarrje publike, por s’është i aprovuar dhe është i mangët.

“Është edhe frika tek punëtorët se çka do të ndodh me ta nesër”, tha ai.

Sahit Sahiti, punëtor i PTK’së tha se privatizimi i kësaj kompanie në këto kushte dhe rrethana se si po bëhet, nuk është normale dhe se një gjë e tillë duhet të ndalet.

Sindikalistët po ashtu paralajmëruan se në rast se nuk përfillen kërkesat e tyre, ata do të vazhdojnë të protestojnë, por jo më vetëm në këtë formë, por në forma të ndryshme.