Fundamenti

Ndeshje normale, në një ambient të elektrizuar artificialisht

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Ndeshja Shqipëri-Zvicër, “e ktheu topin në tokë”, nuk ndodhi asgjë e keqe, skuadrat luajtën burrërisht dhe fitoi ajo që luajti më mirë.

Aq shumë ishte bombarduar opinioni zviceran dhe shqiptar me ndeshjen Zvicra – Shqipëria, sa që ajotashmë pritej jo si një lojë normale por si një ballafaqim me potencial shpërthyes.

Qarqe të caktuara nga ana zvicerane ashtu si dhe nga ajo shqiptare, e kishin ngarkuar së tepërmi me emocione negative atmosferën e ndeshjes së mbrëmshme. Loja “me gjysmë zemre” për Zvicrën ose me “tradhti” për Shqipërinë, e pesë shqiptarëve futbollistë të kombëtares zvicerane ishte mollë sherri në gjithë këtë zhurmë mediale.

Por vetë ndeshja në stadium, “e solli topin në tokë”. Në fund të saj nuk ndodhi asgjë e keqe, skuadrat luajtën që të dyjat burrërisht ndërsa fitoi ajo që tregoi lojë më të mirë, kombëtarja zvicerane.

Për fat të mirë, me gjithë ndonjë teprim të “festimit” të tifozëve shqiptarë, para, gjatë dhe pas ndeshjes, gjithçka përfundoi në suaza të normales.

Vetë loja ishte e fortë, karakterizohej nga një epërsi e skuadrës zvicerane por edhe nga një luftë e paepur e kombëtares shqiptare. Një luftë dhe vendosmëri që, natyrisht, nuk i mjaftoi kësaj të fundit, pasi që kualiteti ishte në anën zvicerane.

Behrami: “Në ndeshjen kundër skuadrës së vendit tënd, zemra e ka vështirë të luajë”

Lidhur me ndeshjen Zvicër – Shqipëri, për albinfon flasin: Valon Behrami e Admir Mehmedi si dhe gazetari i sportit, Andin Lokaj.

Behrami, i pyetur nëse e ka ndjerë ngarkesën e lojës kundër skuadrës së shtetit hqiptar në thotë se është e vërtetë që ai dhe shokët e tij të “pesëshes shqiptare” kanë qenë nën njëfarë presioni gjatë gjithë kohës, sidomos ditëve të fundit.

“Me thënë të drejtën ka 3-4 ditë që ne shqiptarët e kombëtares zvicerane kemi pasur emocione të forta, një lloj ngarkese, që është normale. Nuk ka qenë kollaj për ne që të luajmë kundër Shqipërisë. Kur e di se po luan kundër skuadrës që përfaqëson vendin tënd, zemra e ka pak vështirë të luajë. Por kështu e ka sporti dhe ndjehem mirë që kemi fituar”.

Mobi Casa

Valon Behrami thotë të mos ketë pasur provokime të drejtpërdrejta në lojë dhe gjithçka ka qenë brenda normales. “Jo, ata janë munduar që të luajnë 100 për qind, që dmth kanë bërë lojë të fortë, por çdo gjë ka shkuar mirë.

Se a do ta fitojë dalë Zvicra vendin e parë në grup, Behrami është optimist. “Jemi në rrugë të mirë për vendin e parë. Ka qenë shumë me rëndësi fitorja sot por kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë deri në fund”.

Admir Mehmedi: “Kur si shqiptar luan kundër Shqipërisë, është diçka speciale”

Për Admir Mehmedin, që është inkuadruar më vonë në ndeshje, duke zëvendësuar Valentin Stocker-in para ndeshjes në Lucern nuk ka pasur ndonjë presion ndaj lojtarëve shqiptarë. “Presion të veçantë nuk kemi pasur por kjo ka qenë një lojë speciale sepse kur si shqiptar do të luash kundër Shqipërisë, është gjithherë diçka speciale. Ne e kemi ditur se tifozët e Shqipërisë nuk do të na presin mirë. Megjithatë nuk ka pasur ku me ditë çfarë provokimi. Fundja, nuk është normale që kur luan për Zvicrën të të presin mirë tifozët e Shqipërisë. Kështu e ka futbolli”.

Për kualitetin e kombëtares shqiptare Mehmedi thotë se “ata kanë luftuar, janë munduar shumë për fitore, por në fund ka fituar me meritë cilësia më e lartë e skuadrës sonë”.

Andin Lokaj: “Zvicra, për një klasë ose dy më e mirë se sa Shqipëria”

Ndërsa për gazetarin e njohur të sportit, Andin Lokaj, çdo gjë është e qartë: “Zvicra është për një klasë ose dy më e mirë se sa Shqipëria. Mendoj se Shqipëria ka shumëçka për të përmirësuar. Sulm pothuajse nuk ka, mbrojtja është stabile ndërsa mesfusha po fillon të përmirësohet. Por vazhdon të mungojë forca e vërtetë ofensive”.

Rreth shanseve eventuale të Shqipërisë për tu kualifikuar për botëror Lokaj është pesimist. “Zvicra është favorite por duhet pasur kujdes nga Norvegjia dhe sidomos nga Islanda që mund të na bëjnë telashe. Sa i përket Shqipërisë, jam pesimist, mendoj se edhe kësaj radhe ajo do të mbetet jashtë botërorit”.

Ndërsa gabimi më i madh që po bëhet është presioni që po ushtrohet nga disa qarqe zvicerane dhe shqiptare ndaj “pesëshes” shqiptare të Zvicrës. “Njerëzit duhet ta kuptojnë se këta djem janë rritur këtu, këtu janë zhvilluar dhe në ta Zvicra ka investuar shumë. Prandaj, duhet ditur se kualitetin nuk ta lëshon askush dhe jo vetëm Zvicra. Nga ky kualitet që kanë dëshmuar Xhaka, Shaqiri, Mehmedi e Xhemajli nuk hiqet dorë lehtë. Kundruall atij presioni të tmershëm që kanë pasur, këta djem treguan pjekuri të hatashme dhe fituan ndeshjen me meritë.