Ndërron jetë Dr. Daut Dauti – historiani, gazetari dhe studiuesi i shquar shqiptar
Gjilan – Ka ndërruar jetë sot, në orët e hershme të mëngjesit, në Londër, historiani, gazetari, studiuesi dhe publicisti i njohur shqiptar, Dr. Daut Dauti, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet.Një jetë e përkushtuar dijes, Kosovës, gazetarisë dhe studimit të çështjes shqiptare.
Pavarësisht trajtimit të vazhdueshëm dhe kujdesit mjekësor në një prej institucioneve të njohura shëndetësore në Londër, sëmundja ishte e pamëshirshme. Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi bashkëshortin, babanë dhe gjyshin e dashur; miqtë humbën një njeri besnik e fisnik, ndërsa kultura shqiptare, gazetaria dhe historiografia humbën një studiues të përkushtuar dhe një zë të rëndësishëm intelektual.
Dr. Daut Dauti u lind në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit, vendlindje me të cilën mbeti i lidhur shpirtërisht gjatë gjithë jetës. Edhe pse një pjesë të konsiderueshme të jetës dhe veprimtarisë së tij profesionale e kaloi në Prishtinë dhe Londër, Kokaj mbeti për të vendi i kujtimeve, familjes, rrënjëve dhe dashurisë së veçantë për vendlindjen.
Domethënës mbetet fakti se pikërisht këtë vit ai botoi edhe një libër me tregime dhe kujtime që lidhen me vendlindjen e tij, sikur të dëshironte t’i linte Kokajt një dëshmi të fundit të dashurisë dhe lidhjes së pandashme me vendin ku kishte lindur.
Shkollën fillore Daut Dauti e kreu në Prishtinë, ndërsa gjimnazin në Gjilan. Ai studioi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.
Daut Dauti i përkiste brezit të intelektualëve shqiptarë për të cilët gazetaria nuk ishte vetëm profesion, por edhe një formë e përgjegjësisë publike dhe angazhimit shoqëror. Shkrimet e para i botoi në gazetën studentore “Bota e Re”, për të vazhduar më pas veprimtarinë në revistën “Zëri”.
Nga viti 1994 deri më 1999, ai shërbeu si korrespondent i “Zërit” nga Londra, në një periudhë veçanërisht të rëndësishme për zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovë. Përmes raportimeve dhe analizave të tij, ai përcolli zhvillimet në Kosovë dhe në diasporën shqiptare, duke kontribuar në informimin e opinionit publik gjatë një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.
Në vitet 1999–2001, Dauti punoi si redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR) në Londër dhe ishte ndër njerëzit që kontribuuan në themelimin e zyrës së këtij instituti në Prishtinë.
Nga viti 2000 deri në fillim të vitit 2002, ai shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, ndërsa në të njëjtën periudhë ishte edhe anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Veprimtaria e tij profesionale dhe intelektuale e çoi edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2002 qëndroi në Kettering Foundation në Dayton, ku zhvilloi hulumtime në fushën e medias dhe demokracisë. Më pas vazhdoi bashkëpunimin me këtë institucion si International Fellow, duke botuar studime dhe analiza në fushën e gazetarisë, politikës dhe shkencave juridike.
Në vitin 2005, Daut Dauti shërbeu si këshilltar për media dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, të drejtuar në atë kohë nga kryeministri Bajram Kosumi.
Në Londër ishte i angazhuar edhe pranë International Organization for Migration (IOM) dhe bashkëpunoi me organizata dhe institucione ndërkombëtare, në cilësinë e këshilltarit për informim dhe çështjet e Ballkanit.
Por, krahas gazetarisë, komunikimit publik dhe angazhimeve institucionale, një nga kontributet më të rëndësishme të Dr. Dautit mbetet padyshim puna e tij në historiografi dhe studimet mbi çështjen shqiptare.
Në University of Leeds, në Shkollën e Historisë, Dr. Daut Dauti zhvilloi hulumtime shumëvjeçare mbi politikën britanike dhe çështjen shqiptare. Ai mbrojti disertacionin e doktoratës me temën:
“The British Foreign Policy and the Albanian Question 1876–1914” – “Politika e jashtme britanike dhe çështja shqiptare 1876–1914”.
Puna e tij kërkimore mbi dokumentacionin diplomatik britanik solli në historiografinë shqiptare burime, të dhëna dhe këndvështrime të rëndësishme mbi periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, diplomacinë e Fuqive të Mëdha dhe zhvillimin e çështjes shqiptare në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
Nëpërmjet kërkimit të dokumenteve arkivore dhe analizës së burimeve historike, Daut Dauti kontribuoi në pasurimin e debatit akademik rreth rolit të diplomacisë britanike dhe qëndrimeve të fuqive evropiane ndaj çështjes shqiptare. Studimet e tij dëshmojnë një përpjekje të vazhdueshme për ta trajtuar historinë mbi bazën e dokumentit, argumentit dhe hulumtimit shkencor.
Dr. Daut Dauti ishte autor i një vargu librash dhe studimesh, ndër të cilat:
“Reflektime Shqiptaro-Britanike”;
“Lufta për Trepçën”;
“Unioni Evropian – Nga Ideja në Realitet”;
“Building an Independent Media in Kosova – Ngritja e mediave të pavarura në Kosovë”;
“Assemblies and Ancient Deliberation According to the Code of Lekë Dukagjini”;
si dhe veprës së rëndësishme “Çështja shqiptare në diplomacinë britanike, 1877–1880”.
Përveç veprave të botuara, ai la pas një numër të madh artikujsh, analizash dhe punimesh shkencore të publikuara në Kosovë, Britani të Madhe dhe vende të tjera.
Në paraqitjet e tij publike, Daut Dauti ishte një analist i mprehtë, kritik sa herë që e kërkonte e vërteta dhe i palëkundur në bindjen se interesat e Kosovës dhe çështja shqiptare duhej të mbroheshin përmes dijes, argumentit, dokumentit dhe debatit të përgjegjshëm intelektual.
Për ata që patën fatin ta njihnin nga afër, Daut Dauti ishte shumë më tepër se historian, gazetar, studiues apo publicist. Ai ishte mik, bashkëpunëtor, bashkëbisedues i jashtëzakonshëm dhe njeri që dijen e ndante me të tjerët pa kursim. Në marrëdhëniet njerëzore shquhej për besnikëri, korrektësi dhe fisnikëri, ndërsa në punën intelektuale për kërshëri të pandalshme ndaj dokumentit, historisë dhe së vërtetës.
Jeta e tij profesionale përshkoi disa prej hapësirave më të rëndësishme të veprimtarisë publike shqiptare: nga gazetaria dhe mediat e pavarura, te institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, kërkimi akademik dhe historiografia. Në të gjitha këto fusha la gjurmën e një intelektuali që besonte se fjala e shkruar duhet të mbështetet në përgjegjësi, ndërsa historia në dokument dhe argument.
Pas vetes la bashkëshorten, vajzën, dy djemtë, një nip dhe një mbesë, familjen e gjerë, miqtë, kolegët dhe një trashëgimi të çmuar intelektuale, e cila do të vazhdojë të jetojë përmes librave, studimeve dhe shkrimeve të tij.
Sipas dëshirës së tij dhe lidhjes së përhershme shpirtërore me vendlindjen, Dr. Daut Dauti do të varroset në Kokaj, në tokën të cilën e deshi gjatë gjithë jetës dhe së cilës iu kthye vazhdimisht përmes shkrimeve, kujtimeve dhe tregimeve të tij.
Dauti po kthehet për herë të fundit në Kokajn e tij.
Këtë herë jo për të shkruar për të, por për t’u prehur në tokën ku nisën kujtimet e tij.
Megjithatë, largimi i tij fizik nuk e mbyll rrugëtimin e një intelektuali që la pas një trashëgimi të pasur në gazetari, historiografi dhe publicistikë. Librat, studimet, dokumentet e hulumtuara, shkrimet dhe kujtimi për Dr. Daut Dautin do të mbeten pjesë e kujtesës intelektuale dhe kulturore shqiptare.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Dr. Daut Dautin.
Ngushëllime familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën, bashkëpunuan me të dhe e çmuan veprën dhe personalitetin e tij./rajonipress/


